Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Takimi u fokusua në marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, problematikat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të drejtat e tyre me fokus në gjuhën shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione dhe nevojën e bashkimit të faktorit politik shqiptar kur bëhet fjalë për të mbrojtur çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Për Presidentin Begaj: “Ligji për përfaqësimin adekuat dhe Marrëveshja e Ohrit nuk janë për diskutim, janë për zbatim!”
Presidenti Begaj kërkoi angazhimin e Kryeparlamentarit Gashi në zgjidhjen e kërkesave të studentëve të Jurisprudencës për të dhënë provimin në gjuhën shqipe.
“Unë uroj që studentëve që protestojnë për dhënien e provimit në gjuhën shqipe t’u lejohet kjo e drejtë dhe të rregullohet ky mekanizëm në mënyrë ligjore e të drejtë”, – u shpreh Presidenti Begaj.
“Shqiptarët janë faktor shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në një shtet multietnik bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërmjet etnive janë shumë të rëndësishme. Garantimi institucional me kornizë ligjore detyruese i të drejtave të fituara dhe jo produkt i balancave të rastësishme është një garanci më shumë per avancimin real të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt proceseve integruese në BE”, – theksoi Kreu i Shtetit.
Fuqizimi i Diasporës shqiptare, e cila për Presidentin Begaj është ”fuqia dhe zemra e kombit”, ishte, gjithashtu, një ndër temat që u diskutua në takim.
/rtsh.al/

