PËRFAQËSUES NGA BFI MORËN PJESË NË MANIFESTIMIN QENDROR TË KONGRESIT TË ALFABETIT NË MANASTIR
Me rastin e shënimit të përvjetorit të Kongresit të Alfabetit Shqip, përfaqësuesi i Reisul Ulemasë të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Muftiu i Manastirit H. Amit ef. Rasimi mori pjesë në manifestimin qendror të organizuar në Manastir.
Manifestimi u organizua nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Muzeu i Alfabetit – Manastir dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.
Në këtë manifestim të rëndësishëm kulturor e historik morën pjesë personalitete të shumta publike dhe përfaqësues institucionalë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, ndër të cilët kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zv. Kryeministri i parë, krerët e koalicionit VLEN, kryeministri i Republikës së Kosovës, ministra, zëvendësministra, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Gjatë manifestimit, të pranishmit vizituan Muzeun e Alfabetit në Manastir, ku u njohën nga afër me historinë, dokumentet dhe dëshmitë e rëndësishme që pasqyrojnë rrugëtimin historik të alfabetit të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e Kongresit të Manastirit për identitetin kulturor e kombëtar shqiptar.
Manifestimi u shoqërua edhe me një program të veçantë kulturor, duke rikujtuar rëndësinë historike të 22 Nëntorit dhe kontributin e atyre që, përmes vizionit, përkushtimit dhe unitetit, hodhën themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.
Pjesëmarrja e përfaqësuesit të Bashkësisë Fetare Islame në këtë manifestim dëshmon rëndësinë e pranisë institucionale dhe të respektimit të ngjarjeve që kanë një domethënie të veçantë në historinë, kulturën dhe identitetin e shqipëtarëve.

