Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, në një konferencë për media ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski dhe koalicionin VLEN se po përpiqen të mjegullojnë të vërtetën lidhur me procesin e hyrjes së Alta Bankës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut, përcjell Zhurnal.mk.
Ademi tha se dokumentet zyrtare, sipas tij, tregojnë një kronologji të qartë të vendimeve dhe procedurave që kanë çuar deri te marrja e Stopanska Bankës së Manastirit nga Alta Banka e Beogradit.
“Qeveria e Mickoskit dhe VLEN-it po përpiqet ta mjegullojë të vërtetën për Alta Bankën, duke përzier vendime të viteve të ndryshme dhe çështje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por dokumentet zyrtare flasin qartë”, deklaroi Ademi.
Ai u ndal fillimisht te një vendim i Qeverisë së 24 tetorit 2023, duke theksuar se ai kishte të bënte me mbrojtjen e aksioneve që Maqedonia e Veriut i kishte trashëguar nga procesi i sukcesionit të ish-Jugosllavisë.
Sipas Ademit, bëhej fjalë për aksione në një bankë të mëparshme jugosllave, e cila ndërkohë ishte blerë nga Alta Banka e Beogradit.
Ai sqaroi se, sipas legjislacionit serb, një aksionar që zotëron më shumë se 90 për qind të aksioneve mund t’i marrë edhe aksionet e mbetura pa pëlqimin e aksionarëve të vegjël.
“Edhe përkundër kësaj mundësie ligjore, Qeveria jonë nuk qëndroi duarkryq. Përkundrazi, e angazhoi Avokaturën Shtetërore të na përfaqësonte në Serbi, për të mbrojtur deri në fund interesat dhe pronën e shtetit”, tha Ademi.
Sipas tij, vendimi i vitit 2023 nuk kishte lidhje me hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut dhe as me blerjen e Stopanska Bankës në Manastir.
Ademi: Procesi konkret nisi në vitin 2025
Duke iu referuar vitit 2025, Ademi tha se procesi konkret për marrjen e Stopanska Bankës së Manastirit nga Alta Banka e Beogradit është zhvilluar gjatë mandatit të Qeverisë së VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it.
Ai përmendi datën 1 shtator 2025, kur, sipas tij, Banka Popullore dha pëlqimin paraprak për pjesëmarrje të kualifikuar.
Më pas, më 10 shtator 2025, Komisioni i Letrave me Vlerë, me vendimin nr. 10-69, i dha Alta Bankës leje për ofertën për marrjen në kontroll të Stopanska Bankës.
Ademi veçanërisht iu referua kryetares së Komisionit të Letrave me Vlerë, Bujare Abazi, të cilën e identifikoi si kuadër të VLEN-it.
“Shikojeni mirë këtë dokument: vendimi mban emrin e kryetares së Komisionit, Bujare Abazi, kuadër i VLEN-it. Kjo është leja zyrtare për ofertën e marrjes në kontroll, e botuar në Gazetën Zyrtare më 22 shtator 2025”, tha Ademi.
Ai më tej përmendi edhe vendimin e Qeverisë së 23 shtatorit 2025, të miratuar me propozim të ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Sipas Ademit, përmes këtij vendimi, 16 institucione publike u udhëzuan të shqyrtojnë pranimin ose refuzimin e ofertës së Alta Bankës për aksionet që posedonin, ndërsa për pranimin e ofertës kërkoheshin deklarata me shkrim brenda afatit të përcaktuar.
“Pra, Qeveria nuk ishte spektatore. Ajo e futi ofertën e Alta Bankës në procedurat e veta dhe mobilizoi institucionet publike për ta trajtuar atë”, deklaroi nënkryetari i BDI-së.
“Të gjitha vendimet kyçe ndodhën gjatë mandatit të Qeverisë aktuale”
Ademi tha se në tetor të vitit 2025 oferta e Alta Bankës për marrjen e Stopanska Bankës rezultoi e suksesshme, ndërsa në dhjetor banka mori emrin Alta Banka.
Ai vlerësoi se pëlqimi bankar, leja për ofertën e marrjes në kontroll dhe veprimet e Qeverisë lidhur me aksionet publike janë zhvilluar gjatë mandatit të Qeverisë aktuale.
“Kjo kronologji nuk mund të ndryshohet me deklarata politike”, tha Ademi.
Në fund të konferencës, nënkryetari i BDI-së kërkoi përgjigje nga kryeministri Mickoski dhe ministrat e VLEN-it lidhur me procesin.
“Dhe çfarë verifikimesh u bënë për pronarët e bankës? Pse Qeveria u përfshi në trajtimin e ofertës nga institucionet publike dhe çfarë vendosën konkretisht ato? Çfarë përgjegjësie mban secili institucion, përfshirë Komisionin e drejtuar nga Bujare Abazi, për vendimet që ka marrë?”, pyeti Ademi.
Ai tha se qytetarët meritojnë dokumente dhe përgjigje, dhe jo, siç u shpreh, përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë te një vendim i vitit 2023, i cili sipas tij kishte një qëllim krejt tjetër.
“Rrena i ka këmbët e shkurtra. Dokumentet mbeten!”, përfundoi Arbër Ademi.

