Autostrada Kërçovë-Ohër po ndërtohet me dinamikë të shkëlqyer. Segmenti nga fshati Izvor i Kërçovës deri në fshatin Vërbjan në komunën e Debarcës pritet të lëshohet në përdorim në javët e ardhshme, njoftoi nga Ohri zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
“Pra, ne po i përmbahemi asaj që premtuam, që është të kemi jo vetëm një autostradë të hapur plotësisht deri në fund të majit, por një autostradë me të gjitha dokumentet e nevojshme, diçka që për fat të keq nuk e kemi parë shpesh në të kaluarën, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, pjesa më e vështirë që shkon nga fshati Izvor, rajoni i Kërçovës deri në fshatin Vërbjan në Debërcë, pres të vihet në funksion në javët e ardhshme. Punimet ndërtimore atje janë përfunduar plotësisht, gjë që mund të shihet me sy”, deklaroi Nikolloski.
Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se tunelet, ose më saktë dy tubat e tunelit, janë hapur, prej të cilave njëri është 1.100 metra i gjatë, i dyti është 1.990 metra i gjatë dhe, siç theksoi ai, “këto janë tubat më të gjatë të tunelit në Maqedoni”.
“Gjithashtu, galeritë, katër galeritë që janë në këtë pjesë janë përfunduar, i gjithë trupi i rrugës, urat, viaduktet janë gjithashtu të përfunduara, kështu që nga pikëpamja e ndërtimit, e gjithë puna është e përfunduar. Ajo që po bëjmë aktualisht është zbatimi i direktivës më të fundit evropiane për sigurinë në komunikacion, veçanërisht në tunele, në mënyrë që të kryhen të gjitha testet e nevojshme në mënyrë që të kemi nivelin më të lartë të sigurisë brenda tunelit. Kjo do të jetë hera e parë që kjo direktivë evropiane zbatohet jo vetëm në Maqedoni, por në të gjithë rajonin dhe aktualisht po kryhen teste në atë drejtim, dhe sapo të përfundojnë këto teste, sigurisht që do t’ju ftojmë të bëni një turne dhe ta vini në funksion këtë pjesë të autostradës”, tha Nikolloski.
I pyetur sa është progresi në autostrada të cilat i ndërton “Behtel dhe Enka”, Nikolloski u përgjigj se progres më të madh ka në autostradën Prilep – Manastir.
“Progresi i segmenteve të ndryshme është i ndryshëm. Lidhur me segmentin1, që është nga Tetova në Gostivar, atje kemi 65% progres në punimet e dheut, përndryshe nuk kemi asfalt në asnjërën nga tre segmentet ende. Lidhur me segmentin e dytë, që është nga Gostivari në Bukojçan, kemi dy pjesë, pjesa nga Gostivari është tashmë në 60% progres, dhe pjesa nga Bukojçani tani po fillon të ndërtohet. Dhe në segmentin nga Prilepi në Manastir, sa i përket punimeve të dheut kemi mbi 80% progres”, deklaroi Nikolloski.
Sa i përket autostradës Trebenishtë – Qafë Thanë, zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se ka biseduar me kontraktorin “Behtel dhe Enka” dhe po bëjnë përpjekje ta gjejnë variantin më optimal në të cilën do të lëvizë ky segment.
“Po bisedojmë këtu edhe me kontraktorin ‘Behtel Enka’ dhe përpiqemi të gjejmë variantin më optimal, që sigurisht do të thotë ruajtja e statusit të të gjithë rajonit, që do të thotë jo vetëm pjesa Ohër-Strugë, por i të gjithë rajonit, dhe pres që së shpejti, ndoshta me fillimin e sezonit të ndërtimit, tashmë do të kemi aktivitete ndërtimore”, thotë Nikolloski.
Në çfarë rute do të lëvizë autostrada nga Trebenishta deri në Qafë Thanë do të vendosin ekspertët, potencoi Nikolloski.
“Unë personalisht nuk do të ndërhyj, sepse dikush para meje ka qenë në një pozicion të ngjashëm dhe padyshim ka bërë gabim. Ne jemi politikanë, marrim vendime bazuar në atë që kemi si informacion nga ekspertët. Mendoj se ky vendim duhet të merret nga ekspertë të mjedisit dhe sigurisht për ndërtim”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

