Një ngjarje tragjike në vendin e punës në Itali i ka marrë jetën Vehap Dearit, 47-vjeçarit nga fshati Dëbërcë i Komunës së Zhelinës. Ai humbi jetën më 11 nëntor, gjatë punës në një platformë për nxjerrjen e gazit natyror në Detin Adriatik, përcjell tetova1
Sipas raportimeve të mediave italiane, Deari, i cili prej vitesh jetonte dhe punonte në qytetin e Ravennës, ishte i angazhuar në platformën detare Brenda, përballë brigjeve të qytetit Pesaro.
Ai ishte i punësuar në kompaninë Donelli Srl, e cila kryente punime në strukturat metalike të platformës.
Sipas informacioneve të bëra publike nga sindikatat italiane, 47-vjeçari dyshohet se ka rënë në det gjatë kryerjes së punës. Një nga kolegët e tij është hedhur në ujë në përpjekje për ta shpëtuar, por fatkeqësisht ndërhyrja nuk arriti të parandalojë tragjedinë.
Ndërkohë, sindikatat FIM-CISL dhe UILM-UIL kanë ngritur shqetësime lidhur me operacionin e shpëtimit. Sipas informacioneve paraprake sindikale, trupi i viktimës mund të jetë gjetur rreth tri orë pas rënies në det, por kjo kohë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Vdekja e punëtorit ka nxitur reagime të shumta nga organizatat sindikale në Itali, të cilat kërkojnë hetim të plotë për rrethanat e ngjarjes, respektimin e masave të sigurisë dhe funksionimin e procedurave emergjente në platformë.
Në shenjë proteste dhe për të kërkuar zbardhjen e rastit, sindikata FIOM-CGIL ka shpallur grevë dyorëshe për 17 nëntor, në të gjitha ndërmarrjet e sektorit metalpunues në provincën e Ravennës.
Shkaqet e sakta të tragjedisë dhe përgjegjësitë e mundshme mbeten ende nën hetim.
Humbja e Vehap Dearit përbën një lajm të rëndë për familjen, të afërmit dhe komunitetin nga Dëbërca e Komunës së Zhelinës./tetova1.mk

