Kongresi i Manastirit u mbajt më 14-22 nëntor 1908.
Urim dhe mesazh drejtuar shqiptarëve kudo në trojet shqiptare e në botë dhe njëherësh apel për institucionet dhe politikëbërësit
Të dashur dhe të respektuar vëllezër e motra shqiptarë, kudo që jetoni, punoni dhe frymoni shqip.
Në emrin tim personal dhe njëherësh në cilësinë e Ish-arsimtarit, punëtor i arsimit për 42 vjet. dhe Kryetar i Nderit të SHASH-it „Naim Frashëri“, Kumanovë–Likovë, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju uroj përzemërsisht 118-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një prej ngjarjeve më madhore në historinë e kulturës, arsimit dhe identitetit tonë kombëtar.Alfabeti ynë nuk është thjesht një sistem shkronjash. Ai është simbol i unitetit kombëtar, i përpjekjeve shekullore për dije, arsim, emancipim dhe ruajtjen e identitetit shqiptar. Pas çdo shkronje që shkruajmë qëndrojnë përpjekjet, sakrificat dhe vizioni i atyre atdhetarëve që kuptuan se një komb nuk mund ta ndërtojë të ardhmen pa gjuhën, arsimin dhe kulturën e vet. Por, në këtë ditë me rëndësi të veçantë historike, krahas urimit, ndiej edhe përgjegjësinë qytetare dhe institucionale për t’u drejtuar një apel të sinqertë të gjithë pushtetarëve, përfaqësuesve institucionalë dhe politikëbërësve shqiptarë.
Gjuha shqipe nuk duhet të jetë e pranishme vetëm në fjalimet solemne, në manifestimet festive dhe në deklaratat publike. Ajo duhet të jetë e pranishme, e dukshme dhe e respektuar në jetën e përditshme institucionale. Është koha që institucionet, nga pushteti lokal deri te ai qendror, ta respektojnë dhe ta zbatojnë në praktikë përdorimin e alfabetit dhe gjuhës shqipe, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Politikëbërësit duhet ta kuptojnë se respektimi i gjuhës shqipe nuk është çështje vullneti individual, favor politik apo privilegj që u jepet qytetarëve shqiptarë. Aty ku ligji garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, zbatimi i tij është detyrim institucional dhe juridik. Prandaj, mos e përdorni gjuhën shqipe vetëm si mjet për të fituar mbështetjen e qytetarëve, por bëjeni atë pjesë të pandashme të përgjegjësisë suaj institucionale.
Një komb që e nderon alfabetin e vet, duhet ta mbrojë edhe gjuhën e tij në institucionet ku vendosen fatet e qytetarëve. Nuk mjafton të përkujtojmë Kongresin e Manastirit me fjalë, duhet ta dëshmojmë respektin ndaj tij me vepra konkrete.
Le të jetë ky 118-vjetor jo vetëm një ditë përkujtimi dhe krenarie historike, por edhe një thirrje për ndërgjegjësim, përgjegjësi dhe veprim institucional. Gjuha shqipe është trashëgimia jonë e përbashkët, pasuria jonë shpirtërore dhe ura që lidh brezat me historinë dhe të ardhmen tonë. Ta nderojmë alfabetin, ta respektojmë gjuhën dhe ta zbatojmë ligjin! Sepse dashuria për gjuhën shqipe nuk dëshmohet vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me vepra.
Gëzuar 118-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe! Me respekt dhe konsideratë të veçantë,
Etem Xheladini
Ish-arsimtar, punëtor i arsimit për 42 vjet, e Kryetar Nderi i SHASH-it „Naim Frashëri“ Kumanovë–Likovë

