Deputeti belg, Michel De Maegd i ka kërkuar lloagari komisioneres për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos lidhur me skandalin e së dielës, ku tingujt e një kënge nacionaliste serbe për Kosovën u luajtën në koncertin zyrtar të hapjes së Forumit për Zgjerim në Bruksel.

De Maegd e quajti atë një gafë që rihapi plagët e kosovarëve.

“Të dielën në mbrëmje, gjatë Forumit Europian për Zgjerimin në Bruksel, u luajt një him nacionalist serb, i lidhur me pretendimet territoriale ndaj Kosovës, para përfaqësuesve europianë. Një gafë thellësisht e keqardhshme, e cila rihap plagët e një populli”, tha ai.

“Në vitin 1999, kalova tre muaj në Kosovë si reporter lufte. Përjetova krah popullsisë së saj represionin e regjimit të Millosheviqit, bombardimet, spastrimin etnik, mijëra të vrarët dhe qindra mijëra refugjatët. Këto pamje dhe këto vuajtje nuk do t’i harroj kurrë”, shtoi deputeti belg.

" "

Ai iu drejtua zyrtares së lartë europiane, duke e pyetur se si u bë kjo.

“Si ka mundur që një përzgjedhje e tillë muzikore t’i ketë shpëtuar vëmendjes së organizatorëve? Dhe, mbi të gjitha, a nuk do të ishte e drejtë që t’i kërkohej falje zyrtare popullit kosovar?”, pyeti ai.

Kos, siç tregoi vetë deputeti belg, pranoi se “shërbimet e saj” miratuan pjesët muzikore që u luajtën dhe tha se këtë ia ka sqaruar personalisht edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Komisarja pranoi se pjesët muzikore të luajtura nuk ishin miratuar nga shërbimet e saj. Ajo shprehu keqardhjen e saj të thellë, duke sqaruar se ia kishte përcjellë personalisht ato kryeministrit kosovar. Ajo gjithashtu rikonfirmoi mbështetjen politike dhe financiare të Bashkimit Europian për Kosovën, me këtë deklaratë të fortë: ‘A mund ta imagjinoni që do t’i integrojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo Kosovën? Kjo nuk është e mundur’”, tregoi De Maegd.

“I marr parasysh këto fjalë dhe këtë zotim. Sepse pa harruar historinë, e aq më pak duke e mohuar atë, nuk do ta ndërtojmë paqen. Këtë do ta bëjmë duke pasur guximin ta shohim atë në sy dhe ta tejkalojmë”, shkroi ai.

sqShqip