Gazetarja Liridona Vejseli ka reaguar ndaj pretendimeve se Qendra analitike “Abdilaqim Ademi” e BDI-së ka buxhet të pavarur dhe funksionon si institucion i pavarur, duke vënë në pikëpyetje interpretimin e saj të ligjit, të shprehura nga udhëheqësja e kësaj Qendre, Fatjona Geci.
Vejseli i referohet raportit të Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2024 dhe dispozitave ligjore që rregullojnë funksionimin e qendrave kërkimore-analitike të partive politike, sipas të cilave këto qendra janë pjesë e organizimit partiak dhe nuk kanë personalitet juridik të veçantë.
“Ku e sheh pavarësinë, zonja Geci?”, pyet Vejseli.
Sipas gazetares, neni 2 i ligjit përcakton se qendrat funksionojnë në kuadër të partive politike, ndërsa neni 4 parasheh që drejtuesit dhe punonjësit e tyre emërohen dhe shkarkohen nga vetë partia.
Vejseli sqaron se edhe pse ligji parasheh financim nga buxheti i shtetit dhe llogari të veçantë bankare për qendrën, kjo nuk nënkupton pavarësi institucionale apo financiare nga partia, pasi për veprimtarinë financiare raporton vetë partia politike, në përputhje me nenet 26 dhe 27 të Ligjit për financimin e partive politike.
Në reagimin e saj, gazetarja ngre edhe një pyetje konkrete për Fatjona Gecin, lidhur me pagën dhe mënyrën e pagesës së saj.
Ajo kërkon që Geci të publikojë kontratën e punës dhe dokumentin e pagesës, me të dhënat personale të mbuluara, për të sqaruar se “kush figuron si punëdhënës dhe nga cila llogari është paguar, ajo e BDI-së apo llogaria e veçantë e Qendrës analitike”.

