Tetëdhjetë vjet histori, tetëdhjetë vjet dije, përkushtim dhe krenari kombëtare. Tetë dekada sakrificë e qëndresë, të shkruara me mundin e shumë brezave, të mbajtura gjallë me dashurinë për gjuhën shqipe dhe të trashëguara me krenari nga njëri brez te tjetri.
Në këtë përvjetor jubilar të shkollës shqipe në fshatin Allashec të Komunës së Likovës, nuk kujtojmë vetëm historinë e një institucioni arsimor. Kujtojmë një kapitull të rëndësishëm të historisë tonë arsimore e kombëtare, përpjekjet e njerëzve vizionarë, sakrificat e mësuesve të parë dhe vendosmërinë e prindërve e të veprimtarëve që kuptuan se pa arsim në gjuhën amtare nuk mund të ketë përparim të qëndrueshëm, emancipim dhe zhvillim kombëtar.
HISTORIA E THEMELIMIT DHE GJURMËT E PARA TË ARSIMIT SHQIP NË FSHATIN ALLASHEC
Objekti i parë shkollor në fshatin Allashec u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore dhe funksionoi deri në vitin 2002. Megjithatë, historia e arsimit shqip në këtë fshat nis më herët se ndërtimi i objektit të posaçëm shkollor. Sipas të dhënave dhe burimeve historike të konsultuara, mësimi në gjuhën shqipe fillimisht u zhvillua në mejtepin e fshatit. Deri më tani, nuk kemi gjetur dokumentacion të mjaftueshëm që të vërtetojë nëse, para përdorimit të mejtepit, mësimi ishte organizuar në ndonjë shtëpi private apo në ndonjë objekt tjetër të përkohshëm. Nga hulumtimet e deritanishme dalin këto të dhëna kronologjike:
– Viti shkollor 1945/1946, periudha që lidhet me fillimin e mësimit në gjuhën shqipe në Allashec.
– Viti 1946, në dokumentacionin arkivor të arsimit shqip në Kumanovë, shkolla e Allashecit figuron me emrin „Përparimi“. Kjo dëshmohet edhe nga dokumenti arkivor AE-125/236, i datës 28 mars 1946.
– Viti 1947, në një shkrim tjetër kushtuar historisë së Allashecit përmendet ky vit si periudhë e hapjes së shkollës, fillimisht në objektin e mejtepit.
– Viti 1951, u ndërtua objekti i parë i posaçëm shkollor katërklasësh.
– Viti 1955, shkolla mori emrin e rilindasit tonë të madh, Naim Frashëri.
– Viti 1980, arsimi në këtë vatër u zgjerua në nivelin tetëvjeçar.
Pra, dokumentacioni arkivor i vitit 1946 përbën një dëshmi të rëndësishme për ekzistencën dhe funksionimin e shkollës me emrin „Përparimi“. Ndërsa përmendja e vitit shkollor 1945/1946 dhe e vitit 1947 në burime të tjera kërkon trajtim të kujdesshëm, në mënyrë që historia të dokumentohet sa më saktë dhe me përgjegjësi shkencore. Për mua, dokumentimi i historisë nuk është vetëm një përpjekje për të rikujtuar të kaluarën, por edhe një detyrim ndaj së vërtetës dhe brezave që vijnë.
NDERIM PËR MËSUESIT E PARË, PISHTARËT QË NDEZËN DRITËN E DIJES
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, një vend të veçantë në kujtesën tonë zënë mësuesit e parë që morën mbi supe përgjegjësinë historike për arsimimin e fëmijëve shqiptarë në Allashec. Sipas burimeve dhe të dhënave të konsultuara, ndër emrat e mësuesve të parë të kësaj shkolle përmenden: Shefket Vela, Sulejman Etemi – Xheladini, Nebi Jashari, Sali Ramadani.
Këta emra nuk duhet të mbeten vetëm në faqet e dokumenteve apo në kujtesën e familjarëve. Ata meritojnë të zënë vendin e tyre të merituar në historinë e arsimit shqip të kësaj treve. Ata ishin njerëzit që, në rrethana të vështira të kohës, morën përsipër misionin fisnik të mësimdhënies. Me përkushtim, guxim dhe vetëdije të lartë arsimore, kontribuan që fëmijët e Allashecit të mësonin shkrim e lexim në gjuhën e nënës. Historia e një shkolle nuk mund të jetë e plotë pa historinë e njerëzve që e themeluan, pa emrat e mësuesve që qëndruan përpara dërrasës së zezë dhe pa sakrificën e prindërve që i dërguan fëmijët në shkollë, duke besuar se dija ishte rruga e vetme drejt një të ardhmeje më të mirë. Në kuadër të hulumtimeve për arsimin shqip në Kumanovë dhe rrethinë, studimet e Agim Rushitit, Tefik Jahiut, Minir Ademit, Sevdail Demirit, Naim Alimit dhe Etem Xheladinit, ndër të tjera, kanë trajtuar edhe historinë e shkollave dhe mësuesve të kësaj treve, përfshirë edhe Allashecin.
Për të ndriçuar sa më drejt këtë histori, janë konsultuar dokumente të Arkivit Historik të Kumanovës, ditarë të hershëm shkollorë të shkollës „Përparimi“, monografia „Me pishtarët e arsimit shqip në Komunën e Kumanovës e të Likovës (1945–1950)“, si dhe dëshmi të ish-nxënësve dhe familjarëve të mësuesve të parë. Hulumtimi historik mbetet një proces që kërkon vazhdimësi. Prandaj, çdo dokument, fotografi, dëshmi apo kujtim familjar që mund të ndihmojë në plotësimin e historisë së kësaj shkolle është me vlerë të veçantë.
SHKOLLA QË FORMËSOI BREZA DHE LA GJURMË NË JETËN E FSHATIT
Fillimisht si shkollë katërklasëshe e më pas, nga viti 1980, si shkollë tetëvjeçare, kjo vatër e arsimit shqip vazhdoi misionin e saj edukativo-arsimor, duke u bërë pjesë e pandashme e jetës së Allashecit.
Në vitin 1955, marrja e emrit të rilindasit Naim Frashëri i dha shkollës edhe një simbolikë të veçantë kulturore e kombëtare. Emri i poetit të madh, i cili arsimin dhe gjuhën shqipe i konsideronte themele të vetëdijes kombëtare, përfaqësonte një mesazh të fuqishëm për brezat që do të formoheshin në bankat e saj. Nga viti 1970 e deri më sot, shkolla funksionon si shkollë periferike e shkollës qendrore fillore „Faik Konica“ në Sllupçan. Përgjatë këtyre tetë dekadave, nga bankat e saj kanë dalë breza të tërë nxënësish, të cilët më vonë u formuan si mësues,

