Shkruan: Munaver Nuhiji

Mora shkas të reagoj lidhur me debatet, përplasjet dhe akuzat e ndërsjella ndërmjet partive politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në një klimë ku secila palë pretendon se ka të drejtë, ndërsa tjetrën e paraqet si fajtore, qytetarët mbeten përballë një morie deklaratash, akuzash dhe kundërakuzash.

Por, në fund të fundit, shtrohet pyetja: A po flasim për të vërtetën, apo kemi të bëjmë vetëm me një luftë fjalësh?

" "

Politika nuk duhet të shndërrohet në një arenë ku secili mundohet ta dëshmojë veten duke e akuzuar tjetrin. Qytetarët nuk kanë nevojë për përplasje fjalësh, por për fakte, përgjegjësi dhe rezultate konkrete.

Nuk mjafton që njëra palë të akuzojë tjetrën, as që pala tjetër të përgjigjet me kundërakuza. Nëse dikush ngre akuza, duhet t’i dëshmojë ato me fakte. Në të kundërtën, gjithçka mbetet vetëm fjalë kundër fjalës.

Partitë politike shqiptare duhet ta kuptojnë se përgjegjësia politike nuk matet me deklarata për media, por me punën, veprat dhe premtimet e realizuara.

Sepse, në fund, qytetarët nuk jetojnë nga fjalët e politikanëve, por nga pasojat e vendimeve të tyre.

Dhe mos harroni:

Fjala rëndon! Fjala lëndon! Fjala vret! Fjala mund të ndezë edhe luftëra!

Prandaj, kujdes me fjalët, sepse ato kanë peshë, sjellin pasoja dhe lënë gjurmë.

Fjala duhet të ndërtojë ura, jo të hapë plagë!

Sepse një shoqëri ka nevojë për bashkim, përgjegjësi dhe zhvillim, e jo për përçarje dhe luftëra politike pa fund.

sqShqip