Etem Xheladini

Ka momente kur heshtja është zgjedhje, por ka edhe momente kur heshtja bëhet përgjegjësi, ne ndodhemi pikërisht në një kohë të tillë. Hapësira shqiptare po përballet me zhvillime të rëndësishme politike, juridike dhe shoqërore. Në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarë, zhvillimet politike po kërkojnë analizë, maturi dhe vizion. Dhe pikërisht atëherë lind pyetja që nuk mund të shmanget:KU ËSHTË AKADEMIA SHQIPTARE, ku janë akademikët, ku janë profesorët universitarë. Ku janë historianët, juristët, politologët, sociologët, filozofët dhe studiuesit shqiptarë. Ku është zëri i tyre publik, a është e mundur që në një periudhë kaq të ndjeshme për shoqërinë shqiptare, një pjesë e madhe e elitës akademike të qëndrojë kaq larg debatit publik. Pas zhvillimeve të fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pas vendimeve që kanë prekur figura dhe ngjarje me peshë të jashtëzakonshme në historinë e Kosovës, shoqëria shqiptare ka nevojë për analizë serioze, jo për heshtje. Nuk kërkohet nga akademikët të bëhen politikanë, nuk kërkohet që ata të rreshtohen pas partive. Nuk kërkohet që të mbrojnë apo të sulmojnë individë. Kërkohet diçka shumë më e rëndësishme: TË FLASIN SI AKADEMIKË, të flasin me dokumente, me argumente, me dije, me përgjegjësi, me integritet. Sepse nëse akademia hesht, hapësirën e saj e mbushin zhurma politike, propaganda, emocionet dhe interpretimet pa bazë shkencore.
Dhe kjo është e rrezikshme për çdo shoqëri. A KUJTOJMË AKADEMIKËT E DIKURSHËM, ka pasur një kohë kur intelektuali shqiptar nuk e shihte universitetin si një kullë të mbyllur nga realiteti. Ai e ndiente veten pjesë të fatit të shoqërisë. Figura si Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Ukshin Hoti, Mark Krasniqi, Anton Çeta, Zekeria Cana, Ali Hadri, Ejup Statovci, Azem Shkreli, Dervish Rozhaja, Esat Stavileci, dhe shumë të tjerë, në rrethana dhe fusha të ndryshme, dëshmuan se intelektuali mund të jetë edhe ndërgjegje e shoqërisë. Ata nuk kishin vetëm tituj, kishin përgjegjësi.Nuk kishin vetëm diploma, kishin vizion. Nuk kishin vetëm katedra, kishin guxim intelektual. Dhe këtu qëndron shqetësimi ynë: ÇFARË NDODHI ME ZËRIN E AKADEMISË SHQIPTARE. A kemi sot më pak probleme se dikur, Jo. A kemi më pak sfida kombëtare, politike, juridike e shoqërore, Jo. Atëherë pse kemi kaq pak zëra akademikë në hapësirën publike, pse në vend të analizës shkencore shpesh dëgjojmë vetëm deklarata politike. Pse akademikët nuk e ndiejnë si detyrim moral dhe intelektual që të analizojnë zhvillimet që shqetësojnë shoqërinë. Sigurisht, çdo akademik ka të drejtë të zgjedhë të heshtë. Por shoqëria ka po aq të drejtë të pyesë: PSE PO HESHTNI, Sepse titulli akademik nuk është vetëm privilegj. Është përgjegjësi, katedra nuk është vetëm vend pune, është vend nga i cili duhet të ndriçohet shoqëria. Institucioni akademik nuk mund të jetë vetëm administratë, konferenca, projekte dhe publikime. Ai duhet të jetë edhe zë kritik, kujtesë kolektive dhe orientim shoqëror. NËSE AKADEMIA NUK FLET, KUSH DO TË FLASË, nëse historianët nuk flasin për historinë, kush do ta analizojë atë, nëse juristët nuk flasin për drejtësinë, kush do t’ia shpjegojë qytetarit, nëse politologët nuk analizojnë zhvillimet politike, kush do t’i ndihmojë shoqërisë t’i kuptojë ato, nëse sociologët heshtin për pasojat shoqërore, kush do t’i evidentojë ato. Dhe nëse intelektualët heshtin në momentet kur shoqëria ka nevojë për ta, atëherë heshtja e tyre bëhet pjesë e problemit. Nuk duhet të kërkojmë akademikë që t’i bëjnë jehonë politikës. Duhet të kërkojmë akademikë që t’i bëjnë jehonë të vërtetës, faktit dhe argumentit.
Kjo është detyra e tyre, kjo është përgjegjësia e tyre.Dhe kjo është arsyeja pse pyetja duhet të bëhet sot, publikisht dhe pa frikë: KU ËSHTË ZËRI I AKADEMIKËVE SHQIPTARË. Sepse një komb nuk ka nevojë vetëm për politikanë që flasin, ka nevojë për intelektualë që mendojnë dhe guxojnë të flasin. Nuk ka nevojë vetëm për institucione që funksionojnë, ka nevojë për institucione që marrin përgjegjësi.
Dhe mbi të gjitha, nuk ka nevojë vetëm për akademikë me tituj, KA NEVOJË PËR AKADEMIKË ME NDËRGJEGJE.

sqShqip