Shkruan:Liridon Ramadani
Po afrohet Kongresi i Tetorit i ASH-së dhe, pa e tepruar, mendoj se ky është një nga kongreset më të rëndësishme që ka pasur kjo organizatë.
Po e them mendimin tim shumë lirshëm, sepse jam vetëm aktivist. Nuk kam asnjë funksion në parti dhe, për më tepër, jam nga ata aktivistë që jo gjithmonë jam pajtuar me vendimet e partisë. Ndonjëherë edhe brenda organizatës jam treguar rebel kur kam menduar se diçka nuk është bërë siç duhet.
Prandaj sot nuk kam arsye të flas për interesa apo pozita.
Mendimi im është i thjeshtë se ASH ka nevojë për stabilitet.
Po, ka nevojë edhe për freski, ndryshime dhe njerëz të rinj. Por ndryshimi nuk do të thotë domosdoshmërisht ndryshim i timonierit në një kohë kur anija ka nevojë për qetësi.
Për mua, Arben Taravari duhet të ketë edhe një mandat.
Jo sepse ASH nuk ka njerëz të tjerë. Përkundrazi.
Por sepse Taravari është një nga njerëzit që ka sjellë më së shumti njerëz me potencial në këtë organizatë, është emri që për vite e ka mbajtur ASH-në në shpinë dhe me të cilin ASH ka arritur edhe fitore të rëndësishme.
Dhe ka edhe diçka tjetër që nuk duhet harruar.
Taravari ka sakrifikuar profesionin e tij për politikën dhe për ASH-në. Jam i bindur se, në aspektin personal, shumë më lehtë do t’i konvenonte të mos kandidonte përsëri për kryetar.
Por pikërisht këtu qëndron përgjegjësia.
Në këtë turbulencë ku ndodhet ASH, partia ka nevojë më shumë se kurrë për përvojën, qetësinë dhe lidershipin e Arben Taravarit.
Pastaj, me stabilitet të krijuar, le të vijë edhe freskia, le të hapet rruga për gjeneratat e reja dhe për ndryshimet që janë të domosdoshme.
Por sot, para së gjithash, ASH duhet të stabilizohet, të forcohet dhe të rritet.
Dhe për këtë fazë, unë besoj se Taravari është ende njeriu që duhet ta udhëheqë këtë proces.

