Nga Enver Bytyçi
“Donika Gërvalla nuk e “turpëron” babain e saj, Jusufin, siç thotë zoti Buja, pse kërkon të sqarohen të vëtetat, qofshin ato edhe të hidhura”
“Donika Gërvalla është tradhtare”, thirri dikush nga podiumi i tubimit në mbështetje të katër ish-komandantëve. Ky dikushi është një politikan i ri, djali i një politikani të vjetër. I ati thërriste dikur me sa fuqi kishte: “Ibrahim Rugova është tradhtar”! Madje bashkë me ata që janë në Hagë. “Donika të japë dorëheqjen, ose të shkarkohet”, thërrasin djemtë e atyre që para 27-8 viteve thërrisnin “Poshtë Rugova”! Dhe shkaku, arsyeja, motovi është gjithashtu i njëjtë. – Lufta për pushtet!
U përpoqën atëherë që ta fundosnin Ibrahim Rugovën, sepse nuk mund ta rivalizonin atë. Shpifja ishte mjet i luftës për pushtet atëherë dhe sërishmi shpifja mbetet mjet lufte sot kundër Donika Gërvallës. Sepse shpifësit janë të njëjtë, madje në trashëgimi. Gërvalla është në skalionin e parë të pritës. Eshtë ministre e Drejtësisë. Nëse rrëzojnë Donikën do t’i turren kryeministrit Kurti. Donika dhe Kurti janë dy autoritetet që cënojnë dhe madje e rrënojnë ëndërrrën për pushtet e pasuri të atyre që grabitën 100 apo 200 hektar tokë në emër të luftës e duke shfrytëzuar pushtetin. E morën këtë tokë me 3.5 euro për 100 m2 dhe e shitën me 5000 ose 7000 euro pas dy muajsh. Sepse kishin në dorë projektet nga kalonin autostradat dhe i shpronësuan tokat e grabitura me 2000 fishin e çmimit. Tani kanë frikë. Duan që t’i gëzojnë ato pasuri që ia grabitën qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Dhe kush? Ata që thonë se “kanë luftuar për çlirimin e saj”!
Donika është ministre dhe para saj këta që thërrasin për “tradhtinë e saj” ndjehen shumë të kërcënuar. Por vo betëm kaq. Akuzuesit kundër saj kanë humbur sensin e arsyes e të logjikës. Sepse kur i thuhet ministres së Drejtësisë “tradhtare”, duhet zbuluar kë dhe çfarë ajo tradhtoi. Kjo nuk ndodh. Thjesht duhet të hidhet akuza në publik. Pa lidhja midis akuzës dhe shkakut të saj . Kë tradhtoi Donika Gërvalla? Askënd. Edhe nëse do të kishte dëshmuar në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë, ajo i është drejtuar asaj për drejtësi, duke provuar të vërtetën. Po nëse dikush thotë dhe mbron të vërtetën, nuk mund të quhet tradhtar. Përkundrazi, tradhtar janë mohuesit e së vërtetës. E vërteta dhe pohimi i saj, edhe kur fokus i saj janë Hashimi e dikush tjetër, nuk përbëjnë askund në botë tradhti dhe pabesi.
Tradhtia është pabesi. Donika Gërvalla është politikania më e drejtpërdrejtë në Kosovë. Sepse ka marrë kulturën gjermane të të qenit e drejtpërdrejtë dhe nuk ka asgjë të bëjë me kulturën tonë të shpifjes dhe trillimit e mashtrimit. Të qenit i drejtpërdrejtë krijon armiq, por nuk të bën “tradhtar”. Përkundrazi, është ndershmëri! Por për ata që e akuzojnë atë si “tradhtare”, e vërteta është tradhti dhe mashtrimi është virtyt. Të ambjetuar me sensin e rrenës, këta politikanë pa kokë dhe pa moral, i ngrejnë lapidar mashtrimit, gënjeshtrës dhe trillimit. A mund të jetë dhe si mund të jetë e vërteta “tradhtare” dhe gënjeshtra e virtytshme?! Këtë mund ta shpjegojnë vetëm ata, të cilëve u mungon virtyti. Por kushdo që i adresohet Donika Gërvallës si “tadhtare” dhe më pas i kërkon asaj dorëheqjen, nuk bën gjë tjetër, veçse riprovon faktin se provat e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë janë të sakta dhe reale. Sepse edhe atëherë, thotë gjykata, ishte operuar me logon e etiketimit “tradhtar” si mjet lufte për pushtet!
Po kush janë nxitësit e kësaj loje të ndyrë? Pikërisht ata që në jetën e tyre e kanë tradhtuar interesin e Kosovës. Sepse nuk ishte interes i Kosovës ndarja e saj. Sepse nuk ishte interes i Kosovës Open Balkan. Dhe sepse nuk është interes i Kosovës krijimi i Jugosllavisë së Re, të cilën e paralajmëroi ish-shefi i NATO-s, Robertson. Aksioni i politikës opozitare në Kosovë kundër Donika Gërvallës sot dhe kundër Albin Kurtit sot e nesër, është linjë përçarjeje politike dhe etike në shoqërinë e Kosovës e për pasojë edhe preludi i ndryshimit të statusit të Kosovës nga shtet i pavarur dhe sovran, në një Republikë minus në një Jugosllavi të re të sunduar sërishmi nga Serbia e me kryeqytet Beogradin. Kësisoj bëhet realitet opsioni i ish-kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano, kur në nëntor 1997 takoi Milosheviçin në Kretë dhe më pas gjatë një vizite në Lisbonë deklaroi se “Kryeqytet i shqiptarëve të Kosovës ësjtë Beogradi”! Në ato gjurmë shkojnë akuzat e sotme të politikanëve opozitarë që etiketojnë dhe kërkojnë dorëheqjen e Donika Gërvallës. Ose që pengojnë krijimin e institucioneve.
Por ka edhe një Fato Nano më të përkushtuar në shërbim të Serbisë, që e nxit aksionin opozitar në Kosovë në armiqësi me Gërvallën, Kurtin e të tjerë përfaqësues të mazhorancës. Ky është kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama. Arsyeja është shumë e thjeshtë: – Zonja Donika është kritikja më e hapur kundër veprimeve enti-Kosovë të Edi Ramës. I përkushtuar për hakmarrje Rama luan të gjitha fijet e tij të errëta për ta denigruar atë dhe madje edhe për ta poshtëruar. Ata që thirrën kundër saj në tubimet e Prishtinës duket qartë se nuk u mjafton vetëm akuza. Kur shkruan në murin e godinës së ministrësë së Drejtësisë kundër saj, donin që ta “poshtronin” ministren në fjalë. Një veprim çmendurie i stilit të Edi Ramës. Një akt dhune që nëse do të tolerohet, mund të tejkalojë krimet e vrasjeve të shqiptarëve si Behajudin Hallaçi.
Ndaj dhe kam një thirrje të sinqertë: – Ndaluni dhe zbrapsuni sa nuk është vonë. Donika Gërvalla nuk e “turpëron” babain e saj, Jusufin, siç thotë zoti Buja, pse kërkon të sqarohen të vëtetat, qofshin ato edhe të hidhura. Ne kemi nevojë për të vërtetën. Nëse vijojmë ta fshehim atë, kurrë nuk do të bëhemi komb, por do të mbesim në zonat fisnore tradicionale. Kosova ka nevojë për shtet. Shteti është garant edhe i drejtësisë. Nëse këta që duan ta mbrojnë drejtësinë e Hagës drejtohen kundër shtetit, atëherë e kanë humbur çdo lidhje me të vërtetën dhe janë llugave të padrejtësisë!

