Etem Xheladini
Çfarë duhet të ndodhë që politikëbërësit shqiptarë, kudo që jetojnë shqiptarët në trojet e tyre, të ulen më në fund në një tryezë të përbashkët kur janë në pyetje interesat kombëtare. Kjo nuk është pyetje për një parti politike, për një lider të caktuar apo për një mandat qeverisës. Është një pyetje që i drejtohet ndërgjegjes politike shqiptare. Shqiptarët në Republikën e Kosovës, Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi kanë kaluar tri dekada e gjysmë në një realitet të ri politik. Kanë ndryshuar sistemet, qeveritë, partitë dhe liderët. Janë zhvilluar luftëra, janë nënshkruar marrëveshje, janë fituar e humbur zgjedhje dhe janë ndërtuar institucione të reja.Por pyetja që vazhdon të mbetet pezull është: a kemi arritur të ndërtojmë një vizion të përbashkët politik për çështjet që prekin interesat jetike të shqiptarëve.Fatkeqësisht, shumë zhvillime të viteve të fundit na japin arsye serioze për ta shtruar këtë pyetje.
Në Kosovë, krizat institucionale, ciklet e shpeshta zgjedhore dhe përplasjet e vazhdueshme politike kanë krijuar një klimë ku energjia politike shpesh konsumohet në konflikte të brendshme, ndërkohë që çështjet strategjike kërkojnë stabilitet, vizion dhe bashkëpunim.Rasti i ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, dhe zhvillimet gjyqësore që lidhen me ta kanë prekur ndjeshmëri të jashtëzakonshme shoqërore e kombëtare. Pikërisht për shkak të kësaj ndjeshmërie, qëndrimi ndaj proceseve të tilla duhet të mbështetet njëkohësisht në respektimin e drejtësisë, fakteve, të drejtave të akuzuarve dhe interesit publik.
Në Shqipëri, polarizimi politik dhe protestat e vazhdueshme kanë dëshmuar edhe një herë se sa e thellë është kriza e besimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve politike. Kur qytetari humb besimin te politika, nuk është vetëm një parti që duhet të shqetësohet; është vetë sistemi politik që duhet të reflektojë.
Ndërsa në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas dekadash të tëra dhe veçanërisht pas konfliktit të vitit 2001, çështja e pozitës politike, institucionale, gjuhësore dhe kulturore të shqiptarëve vazhdon të jetë një temë e rëndësishme e debatit publik. Shqiptarët nuk duhet të trajtohen si një faktor që aktivizohet vetëm në periudhat zgjedhore apo si një numër që shërben për të ndërtuar shumica parlamentare. Të drejtat politike nuk duhet të jenë dhuratë nga askush. Ato duhet të ndërtohen mbi barazinë qytetare, parimet demokratike dhe marrëveshjet kushtetuese e ligjore.
Në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi, çështjet që lidhen me përfaqësimin politik, përdorimin e gjuhës, arsimin, zhvillimin ekonomik, identitetin kulturor dhe pjesëmarrjen institucionale të shqiptarëve kërkojnë po ashtu vëmendje të vazhdueshme dhe një qasje më të koordinuar.
Dhe këtu shtrohet pyetja më e madhe: A DO TË VAZHDOJMË TË JEMI TË PËRÇARË ATËHERË KUR DUHET TË JEMI BASHKË. Politikëbërësit shqiptarë duhet ta kuptojnë se bashkëpunimi për interesat kombëtare nuk do të thotë bashkim i partive, as eliminim i dallimeve ideologjike dhe as heqje dorë nga pluralizmi politik. Përkundrazi, do të thotë që, përtej interesave partiake dhe cikleve zgjedhore, të ekzistojë një minimum kombëtar i dakordësuar, mbi të cilin mund të bashkohen institucionet, partitë, akademikët, shoqëria civile dhe ekspertët. Prandaj, ndoshta ka ardhur koha që politikëbërësit shqiptarë nga të gjitha hapësirat shqiptare të mblidhen në një tryezë serioze dhe të ndërtojnë një: PLATFORMË KOMBËTARE SHQIPTARE. Një platformë që nuk synon të zëvendësojë shtetet, institucionet apo partitë politike, por të përcaktojë parimet dhe objektivat strategjike të përbashkëta për shqiptarët kudo që jetojnë. Një platformë e tillë mund të trajtojë:
– mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në përputhje me kushtetutat, ligjet dhe standardet evropiane,
– përdorimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në institucionet ku kjo garantohet ose kërkohet nga kuadri ligjor,
– përfaqësimin politik dhe institucional,
– arsimin dhe kulturën shqiptare,
– zhvillimin ekonomik të trevave shqiptare,
– mbrojtjen e trashëgimisë kulturore,
– bashkëpunimin ndërmjet universiteteve, akademive, institucioneve dhe shoqërisë civile,
– koordinimin e qëndrimeve për çështje me interes të përbashkët,
– forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe komuniteteve shqiptare në rajon,
– mbështetjen e proceseve demokratike dhe të integrimit evropian;
– respektimin e plotë të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Kjo platformë nuk duhet të jetë dokument elektoral, nuk duhet të jetë pronë e një partie, nuk duhet të jetë instrument i një lideri. Duhet të jetë një dokument i përgjegjësisë politike dhe qytetare.

