Etem Xheladini
Shoqëria nuk ka nevojë të i ngrit liderët aq lart sa të mos guxoni më t’i kritikoni, ne kemi nevojë për pushtetarë që i shërbejnë popullit dhe kauzës kombëtare, jo për diktatorë që kërkojnë t’u shërbehet atyre. Shoqëritë, shpeshherë, janë vetë ato që i ngrenë liderët në piedestale të larta dhe, pa e kuptuar, u krijojnë kushtet për t’u shndërruar nga përfaqësues të popullit në sundimtarë që kërkojnë bindje të pakushtëzuar. Historia e Ballkanit dhe ajo e shumë vendeve të tjera na japin mësime të dhimbshme se çfarë ndodh kur pushteti nuk shoqërohet me përgjegjësi, kur respekti shndërrohet në servilizëm dhe kur përkrahja politike kthehet në adhurim të verbër. A nuk na mjafton shembulli i Serbisë, ku ngritja e liderëve në piedestale të pakontestueshme, ndër të tjera, u krijoi hapësirë politikave autoritare. Përvoja e periudhës së Sllobodan Millosheviqit dhe zhvillimet politike nën Aleksandar Vuçiqin na kujtojnë se përqendrimi i pushtetit dhe dobësimi i kritikës publike janë çështje që kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme nga çdo shoqëri. Prandaj, duhet ta kuptojmë një të vërtetë themelore: respekti është vlerë, por servilizmi është rrezik, përkrahja është e drejtë, por përkrahja e verbër është gabim. Liderët nuk bëhen të paprekshëm vetëm për shkak të pushtetit që kanë në duart e tyre. Ata bëhen të tillë edhe kur njerëzit përreth tyre heshtin, kur bashkëpunëtorët u thonë vetëm atë që duan të dëgjojnë dhe kur shoqëria heq dorë nga e drejta për t’i kritikuar. Në ato çaste, heshtja nuk është më respekt, lajkatimi nuk është më besnikëri dhe servilizmi nuk është më përkrahje. Ato shndërrohen në pengesa për demokracinë, drejtësinë dhe zhvillimin shoqëror. Shoqëria që duartroket çdo vendim të liderit, edhe kur ai është i gabuar, nuk po i shërben as liderit, as popullit dhe as kauzës kombëtare. Ajo po e dobëson vetveten, ne si shoqëri, duhet të mësojmë të bëjmë dallimin mes respektit të merituar dhe nënshtrimit të verbër. Ata që kontribuojnë për popullin, për çështjen kombëtare dhe për të ardhmen e brezave meritojnë respekt, mirënjohje dhe përkrahje. Por asnjë kontribut, sado i madh të jetë, nuk duhet ta vendosë askënd mbi ligjin, mbi përgjegjësinë dhe mbi të drejtën e qytetarëve për të kërkuar llogari. Lideri nuk është pronar i popullit, ai është përfaqësues i tij. Pushteti nuk është privilegj për t’u shërbyer interesave personale, e klanore, por përgjegjësi për t’u shërbyer qytetarëve. Kauza kombëtare nuk është shkallë për t’u ngjitur drejt pushtetit, por obligim moral që kërkon ndershmëri, sakrificë dhe përgjegjësi. Prandaj, mos i hyjnizoni liderët, mos i ktheni në figura të paprekshme, mos e ngatërroni kritikën me armiqësinë dhe mos e konsideroni çdo mendim ndryshe si tradhti. Një shoqëri e shëndoshë nuk i frikësohet kritikës, sepse e di se kritika e drejtë ndihmon në korrigjimin e gabimeve dhe në përmirësimin e qeverisjes.
Përkundrazi, kur kritika shuhet, lajkatimi bëhet normë dhe besnikëria matet me heshtjen, atëherë krijohet terreni ku pushteti mund të largohet nga qytetari dhe të fillojë të sillet si pronar i fatit të tij. Liderët që e duan vërtet popullin nuk kërkojnë duartrokitje të përhershme; ata pranojnë edhe pyetjet e vështira, vërejtjet e drejta dhe kritikën e argumentuar. Madhështia e një lideri nuk matet me numrin e njerëzve që i përkulen, por me përgjegjësinë që merr, me të mirat që sjell dhe me respektin që tregon ndaj atyre që e kanë besuar. Një lider me vizion nuk ka nevojë ta ndërtojë autoritetin mbi frikën, mbi izolimin apo mbi distancën nga qytetarët. Ai duhet të jetë i afërt me ta, të dëgjojë shqetësimet e tyre, të jetojë me përgjegjësi dhe të japë llogari për vendimet që merr. Siguria e nevojshme për detyrën është një çështje; krijimi i një distance të panevojshme nga populli është krejt tjetër. Në fund të fundit, shoqëria jonë duhet t’ia bëjë vetes një pyetje të rëndësishme: A duam të krijojmë liderë që i shërbejnë popullit, apo sundimtarë që presin t’u shërbejë populli. Përgjigjja duhet të jetë e qartë, ne kemi nevojë për pushtetarë të përgjegjshëm, jo për diktatorë; për përfaqësues të popullit, jo për njerëz që e konsiderojnë veten mbi të, për liderë që e mbrojnë kauzën kombëtare, jo për ata që e përdorin atë për të fituar pushtet dhe për ta ruajtur atë me çdo kusht. Sepse kombet nuk forcohen duke i heshtur qytetarët, por duke ua dëgjuar zërin. Nuk përparojnë duke i adhuruar liderët, por duke i mbajtur ata përgjegjës. Dhe nuk ndërtojnë të ardhme duke prodhuar servilë, por duke edukuar qytetarë të lirë, të guximshëm dhe të ndërgjegjshëm. Sepse liderët vijnë e shkojnë, pushtetet ndërrohen, por populli dhe kombi mbeten. Një shoqëri që di të respektojë pa u bërë servile, të përkrahë pa u verbuar dhe të kritikojë pa u frikësuar, është një shoqëri që nuk e lejon askënd ta kthejë pushtetin në diktaturë.

