Shkruan: Munaver Nuhiji
Mora shkas për ta komentuar deklaratën e djeshme të ministrit lidhur me lejimin e 20 mijë punëtorëve të huaj gjatë vitit 2027 dhe të 30 mijë punëtorëve të tjerë deri në vitin 2030, kryesisht nga vendet e largëta të Azisë.
Ky paralajmërim ngre shumë pikëpyetje dhe na rikthen te një çështje thelbësore: Pse, pas 35 vitesh pavarësi, vendi ynë nuk po arrin të krijojë kushte të mjaftueshme që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në atdhe?
Gabimet në politikat ekonomike, mungesa e perspektivës dhe krizat e njëpasnjëshme gjatë këtyre tri dekadave kanë bërë që shumë të rinj të largohen nga vendi, në kërkim të punësimit, kushteve më të mira dhe një jete më dinjitoze. Ky emigrim i pandalshëm po e dëmton rëndë perspektivën e Maqedonisë së Veriut.
Si pasojë, tregu i punës po përballet me mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa importi i punëtorëve nga vendet e largëta po shihet si një nga zgjidhjet e mundshme.
Megjithatë, punësimi i fuqisë punëtore nga jashtë është një thikë me dy tehe! Ai mund të ndihmojë në plotësimin e nevojave të ekonomisë, por njëkohësisht ngre sfida që kërkojnë vëmendje dhe planifikim serioz, siç janë kualifikimi profesional, njohja e gjuhës, përshtatja kulturore dhe integrimi në shoqërinë tonë.
Prandaj, i bëj thirrje Qeverisë që të ndërmarrë masa konkrete për ta frenuar emigrimin e të rinjve dhe për ta zvogëluar papunësinë. Nevojiten politika që nxisin hapjen e vendeve të reja të punës, mbështetje për ndërmarrjet vendore, paga dinjitoze dhe lehtësira për çiftet e reja, veçanërisht në blerjen e banesës dhe krijimin e familjes.
Rinia është pasuria më e madhe e një vendi, ndërsa humbja e saj është humbje e së ardhmes sonë!
Një këshillë për rininë tonë: mos e humbni shpresën dhe mos hiqni dorë nga e drejta për një të ardhme më të mirë në vendin tuaj. Kërkoni mundësi, angazhohuni dhe bëhuni pjesë e ndryshimit, sepse ky vend ka nevojë për energjinë, dijen dhe guximin tuaj.
Por përgjegjësia nuk mund të bjerë vetëm mbi rininë. Shteti duhet të krijojë kushtet që të rinjtë të mos detyrohen të largohen për të jetuar me dinjitet.
Në fund, le të reflektojmë të gjithë: A do të vazhdojmë ta zbrazim vendin nga rinia jonë, ndërsa vendet e tjera përfitojnë nga puna dhe potenciali i saj?
Mos lejoni që rinia jonë të bëhet ujë për mullirin e Europës, ndërsa atdheu mbetet pa forcën, dijen dhe shpresën e vet më të madhe

