Dibër, 26 tetor – Komuna e Dibrës po forcon bashkëpunimin me komunat arbëreshe në Itali. Me ftesë të kryetarit të shoqatës arbëreshe “Fili Meridiani”, Ettore Bonanno, dhe në kuadër të aktivitetit “Arbëria Digital Fest 2026”, të organizuar nga kjo shoqatë, një delegacion i pushtetit vendor të Dibrës, i kryesuar nga kryetari i komunës, Fisnik Mela, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kalabri të Italisë. Në njoftimin e Komunës së Dibrës thuhet se gjatë vizitës delegacioni dibran qëndroi në vendbanimet arbëreshe Shën Kolli, Karfici dhe Puheriu, si dhe në komunën e Vacarizzo Albanese.

“Gjatë takimeve u zhvilluan diskutime frytdhënëse për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Dibrës dhe komunave arbëreshe, me fokus në projekte të përbashkëta për të rinjtë, binjakëzimin e komunave, si dhe krijimin e programeve të shkëmbimit rinor. Gjatë vizitës, nikoqirët u ofruan të pranishmëve edhe specialitete të gastronomisë arbëreshe”, thuhet në njoftimin e komunës. Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, thekson se vizita përfaqëson një mundësi të rëndësishme për ndërtimin e partneriteteve afatgjata dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Dibrës dhe komuniteteve arbëreshe. Synimi është realizimi i projekteve konkrete që do të sjellin përfitime për të rinjtë, kulturën dhe zhvillimin e të dyja palëve.

Komuna e Dibrës ka kohë që zhvillon bashkëpunim me komunat arbëreshe në Kalabri të Italisë. Ndër vite janë realizuar disa vizita të përfaqësuesve të komunave arbëreshe në Dibër, gjatë të cilave janë shprehur vlerësime dhe dëshira për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Pritet që së shpejti të organizohen aktivitete të përbashkëta mes të rinjve nga Dibra dhe komunat arbëreshe të Kalabrisë, përmes programeve të shkëmbimit rinor. Pushteti vendor i Dibrës ka shprehur disa herë interesimin për binjakëzimin me komunat arbëreshe. Edhe aktivitetet kulturore kanë luajtur rol në afrimin e dy komuniteteve. Ansambli arbëresh, gjatë paraqitjeve të tij në Qendrën për Kulturë në Dibër, është pritur me duartrokitje të shumta, ndërsa dibranët në përgjithësi tregojnë interes për zhvillimin e një bashkëpunimi afatgjatë me arbëreshët e Italisë. (koha.mk)

" "
sqShqip