Reagim publik ndaj trajtimit të përsëritur në pikat kufitare të Republikës së Maqedonisë së Veriut
23.08.2026
Etem Xheladini
Sa vlen ky maltretim, sa duhet të durohet dhe deri kur duhet të heshtet. Edhe pas më shumë se një viti e gjysmë, i njëjti skenar përsëritet gjatë kalimit të pikave kufitare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndalesa të gjata dhe pritje të pakuptimta, pa një arsyetim të qartë dhe të pranueshëm.
Sot, më 23.08.2026, në këtë ditë të nxehtë vere, është e papranueshme që një qytetar të ndalohet dhe të mbahet për rreth gjysmë ore e më tepër, pa iu dhënë një shpjegim konkret për arsyen e këtij trajtimi.
Kur dihet se bëhet fjalë për një punëtor të arsimit që ka kaluar 42 vite në procesin edukativo-arsimor, një arsimdashës dhe humanist që pjesën më të madhe të jetës ia ka kushtuar edukimit dhe formimit të brezave, lind pyetja, pas 71 vitesh jetë dhe pas dekadash pune e kontributi shoqëror, a është kjo mënyra se si duhet të trajtohet një qytetar në shtetin ku jeton, ka punuar dhe ka kontribuar.
Dua ta theksoj se në këtë reagim nuk bëhet fjalë vetëm për mua si individ. Çdo ndalesë e tillë prek edhe bashkëudhëtarët me të cilët udhëtoj, por edhe qytetarët e tjerë që presin pas nesh në radhë për të kaluar kufirin. Koha e humbur gjatë një kontrolli të zgjatur nuk është vetëm koha ime, ajo bëhet barrë edhe për dhjetëra qytetarë të tjerë që presin pa asnjë faj.
Duhet të bëhet një dallim i qartë, respekti për ligjin dhe institucionet është i padiskutueshëm, por respekti duhet të jetë i ndërsjellë. Kontrolli kufitar mund të jetë i ligjshëm dhe i nevojshëm, por mënyra e ushtrimit të tij duhet të jetë profesionale, proporcionale, transparente dhe dinjitoze.
Për hir të së vërtetës, dua të nënvizoj se në këto raste policët kufitarë janë treguar korrektë dhe me sjellje profesionale. Pikërisht për këtë arsye, pyetja ime nuk drejtohet ndaj çdo polici si individ, por ndaj mekanizmave dhe strukturave që duhet të japin përgjigje se përse një situatë e tillë përsëritet prej më shumë se një viti e gjysmë.
KU JANË PËRFAQËSUESIT POLITIKË? Ky reagim publik u drejtohet edhe përfaqësuesve politikë që pretendojnë se përfaqësojnë qytetarët shqiptarë në institucionet e këtij shteti.
Ku jeni kur qytetari kërkon mbrojtje institucionale dhe një përgjigje të arsyeshme. Nuk kërkoj privilegj, nuk kërkoj trajtim mbi ligjin, nuk kërkoj lëmoshë. Kërkoj vetëm atë që i takon çdo qytetari, dinjitet, respekt, transparencë dhe trajtim të barabartë para institucioneve.
Është e kuptueshme se politikanët mund të mos kenë qasje të drejtpërdrejtë në çdo strukturë shtetërore. Por pikërisht për këtë ekzistojnë institucionet, deputetët, ministrat dhe mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare e institucionale, që problemet e qytetarëve të mos mbeten vetëm ankesa në rrjetet sociale.
Nuk mund të kërkohet vota e qytetarit gjatë fushatave zgjedhore dhe më pas të mungojë zëri i përfaqësuesit të tij kur ai qytetar përballet me një problem të përsëritur institucional.
A DUHET TË HESHTIN ATA QË KANË SAKRIFIKUAR PËR ARSIMIN SHQIP.
Përfaqësuesve politikë shqiptarë dua t’ua kujtoj edhe një fakt tjetër që nuk duhet të harrohet. Ka pasur një kohë kur arsimi në gjuhën shqipe nuk ishte një e drejtë që merrej si e mirëqenë. Shumë punëtorë të arsimit dhe intelektualë shqiptarë u përballëm me presione, sakrifica dhe vështirësi të mëdha për të mbajtur gjallë dhe për ta zhvilluar arsimin shqip. Ata që sot mund të ulen në institucione dhe të flasin në emër të shqiptarëve, duhet të mos harrojnë se arsimi shqip në Kumanovë dhe më gjerë nuk u ndërtua me privilegje, por me sakrificë, punë dhe përkushtim. Prandaj është e dhimbshme kur një punëtor i arsimit, pas 42 vitesh kontribut në edukimin e brezave, në moshën 71-vjeçare, duhet, si unë, prof. Etem Xheladini, të dalë publikisht për të kërkuar që të mos trajtohet në mënyrë të pakuptueshme dhe të përsëritur në pikat kufitare. Dua ta shrojë një pyetje publike “PSE ZËRI NGRIHET VETËM KUR PREKEN TË FUQISHMIT”. Nuk mund të mos kujtoj edhe reagimet e fuqishme politike që kemi parë kur në pika kufitare janë ndaluar familjarë të kryeministrit Hristijan Mickoski apo përfaqësues politikë të partive shqiptare në pushtet dhe kur ata kanë deklaruar publikisht se janë maltretuar. Nëse ndalimi dhe maltretimi i një familjeje apo një politikani konsiderohet i papranueshëm dhe meriton reagim të menjëhershëm politik, pse duhet të jetë më pak i rëndësishëm shqetësimi i një pensionisti, ish-punëtori të arsimit, humanisti dhe qytetari të zakonshëm. A nuk duhet të jetë i njëjtë standardi?
Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Dinjiteti njerëzor gjithashtu.
Prandaj kërkoj nga përfaqësuesit politikë shqiptarë, nga institucionet kompetente dhe nga organet përgjegjëse që këtë çështje ta trajtojnë seriozisht dhe institucionalisht. Jo vetëm me deklarata, jo vetëm me premtime, por me veprime konkrete dhe me një përgjigje të qartë se pse kjo situatë vazhdon prej më shumë se një viti e gjysmë. Dua të shtojë NUK KËRKOJ PRIVILEGJ, KËRKOJ TË MË LINI TË QETË. Pas 71 vitesh jetë dhe pas 42 vitesh në shërbim të arsimit dhe aktiviteteve humanitare, nuk dua privilegje. Nuk kërkoj që ligji të anashkalohet për shkakun tim, nuk kërkoj lëmoshë. Kërkoj vetëm të më lini të kaloj si çdo qytetar tjetër, në përputhje me ligjin dhe me dinjitetin që i takon çdo njeriu.
Nëse ndaj meje ekziston ndonjë çështje konkrete, le të më komunikohet qartë dhe në mënyrë transparente. Nëse nuk ekziston, atëherë ndalesat e përsëritura dhe të pajustifikuara duhet të marrin fund.
Sepse një shtet serioz nuk matet vetëm me ligjet që miraton, por edhe me mënyrën se si institucionet e tij e trajtojnë qytetarin më të zakonshëm.
Dhe në fund, pyetja mbetet deri kur duhet të zgjasë ky avaz, një vit e gjysmë është shumë gjatë për një “rastësi”. Një vit e gjysmë është shumë gjatë për një “keqkuptim”.
Dhe një vit e gjysmë është tepër gjatë që institucionet dhe përfaqësuesit politikë të vazhdojnë të heshtin. Nuk kërkoj privilegj, kërkoj drejtësi, dinjitet dhe respekt. As më shumë, as më pak!

