Koha për një vendim historik, një hapësirë që së shpejti do të braktiset duhet t’i kthehet kulturës, rinisë dhe komunitetit shqiptar

Etem Xheladini

Kumanova, përkundër nevojës që ka për objekte shkollore, ka nevojë edhe për hapësira ku kultura shqiptare të marrë frymë, të zhvillohet dhe të krijojë të ardhmen.
Ajo që shihni në fotografi është ish-Kombinati i Zikut, një objekt i njohur në hyrje të Kumanovës, në anën e djathtë, përballë qendrës tregtare “La Plaza”, në lagjen Karposh, aty ku fillon edhe Lagjja e Trimave.
Në kohën e ish-Jugosllavisë, ky objekt ka shërbyer si kombinat bujqësor. Për afro dy dekada, ky objekt është përdorur për zhvillimin e mësimit në shkollat e mesme në gjuhën shqipe, ndërsa gjatë kësaj periudhe është rinovuar disa herë. Megjithatë, historia e këtij objekti dëshmon edhe një problem më të madh, mungesën e një vizioni afatgjatë për hapësirat publike që duhet t’i shërbejnë arsimit, kulturës dhe zhvillimit të komunitetit shqiptar.
Në vitin 2003/2004, me vendim të Qeverisë, objekti iu dha për shfrytëzim Gjimnazit, tashmë “Sami Frashëri”, si dhe paraleleve të shkollës së mesme teknike në gjuhën shqipe “Nace Bugjoni”. Mirëpo, që nga ajo kohë, pavarësisht nevojave të vazhdueshme, nuk është bërë një zgjidhje e qëndrueshme dhe adekuate për funksionimin e këtyre institucioneve.
Sot, me ndryshimet e fundit dhe së shpejti me transferimin e shkollave të mesme në objektet e ish-kazermës, shtrohet një pyetje që nuk duhet të anashkalohet, çfarë do të bëhet me këtë objekt, a do të lihet përsëri të zbehet, të degradohet dhe të harrohet, apo do të kemi guximin ta shndërrojmë atë në një Qendër Kulturore Shqiptare të Kumanovës.

NJË OBJEKT, NJË MUNDËSI HISTORIKE

" "

Ky objekt ka potencial të jashtëzakonshëm për t’u shndërruar në një qendër moderne kulturore, rinore dhe informative, e cila do t’i shërbente jo vetëm Kumanovës, por edhe komunitetit shqiptar të rajonit.
Në një hapësirë të tillë mund të krijohen kushte për zhvillimin e: teatrit dhe dramës shqiptare, muzikës dhe festivaleve, folklorit dhe valleve tradicionale, letërsisë dhe promovimit të librave, pikturës dhe arteve pamore, kurseve dhe trajnimeve për të rinjtë, aktiviteteve të shoqatave kulturore, punëtorive krijuese dhe edukative, veprimtarive të grave dhe të rinjve, aktiviteteve sportive dhe rekreative, konferencave, debateve dhe tryezave kulturore, arkivimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Do të ishte një hapësirë ku rinia shqiptare e Kumanovës nuk do të kërkonte vend në rrugë, kafene apo hapësira të papërshtatshme, por do të gjente një shtëpi të vërtetë për talentin, kreativitetin dhe ëndrrat e saj. Aty do të mund të gjenin kushte më të mira për veprimtarinë e tyre Drama Shqipe e Kumanovës, Ansambli “Bajram Shabani”, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë, “Java Kulturore Shqiptare”, shoqatat e piktorëve, shoqatat e grave, muzikantët e rinj, klubet dhe organizatat sportive, si dhe shumë iniciativa të tjera qytetare e kulturore.

KUMANOVA MERITON NJË SHTËPI TË KULTURËS SHQIPTARE

Është e vërtetë se ideja për ta shndërruar këtë objekt në një qendër kulturore shqiptare nuk është e re. Për vite me radhë, aktivistë kulturorë, intelektualë dhe veprimtarë politikë shqiptarë e kanë parë këtë hapësirë si një mundësi të madhe. Por ajo që ka munguar deri më sot ka qenë vendosmëria institucionale dhe veprimi konkret.
Nuk mjaftojnë më deklaratat, nuk mjaftojnë më premtimet, nuk mjafton më të thuhet se “një ditë do të bëhet”.
Kjo ditë duhet të jetë tani, nese duam që kultura shqiptare në Kumanovë të ketë të ardhme, duhet t’i krijojmë infrastrukturën që ajo meriton. Nëse duam që të rinjtë të zhvillojnë talentet e tyre, duhet t’u krijojmë hapësira. Nëse duam ta ruajmë identitetin, gjuhën, traditën dhe trashëgiminë tonë kulturore, duhet të investojmë në institucione që i mbrojnë dhe i zhvillojnë ato.

NJË THIRRJE PËR INSTITUCIONET DHE POLITIKËBËRËSIT

Për këtë arsye, shoqatat dhe institucionet kulturore shqiptare të Kumanovës duhet të dalin me një kërkesë të përbashkët, serioze dhe urgjente, drejtuar të gjitha institucioneve kompetente, e veçanërisht Qeverisë, si institucion që mund të marrë vendimin përfundimtar lidhur me statusin dhe destinimin e këtij objekti.
Kjo nuk duhet të jetë çështje e një individi, një partie apo e një shoqate.
Kjo duhet të jetë çështje e përbashkët e kulturës shqiptare, e rinisë dhe e së ardhmes së Kumanovës. Prandaj nevojitet përkrahja e parezervë e politikëbërësve shqiptarë, e intelektualëve, e organizatave kulturore, e mërgatës dhe e të gjithë qytetarëve që besojnë se investimi në kulturë është investim në një shoqëri më të arsimuar, më të emancipuar dhe më të sigurt.
Sepse një fëmijë që ka një bibliotekë, një skenë, një studio muzike, një sallë arti apo një hapësirë sportive, ka më shumë mundësi të ndërtojë një të ardhme sesa një fëmijë të cilit i ofrohet vetëm rruga.
Kultura nuk është luks, kultura është nevojë. Hapësira kulturore nuk është shpenzim, ajo është investim.
Rinia nuk është problem, rinia është potenciali më i madh i qytetit.

ËSHTË KOHA E FUNDIT!

Shqiptarët e Kumanovës kanë dhënë shumë për arsimin, kulturën dhe jetën shoqërore, tani është koha që institucionet t’i japin diçka rinisë shqiptare të Kumanovës.
Ish-Kombinati i Zikut nuk duhet të bëhet edhe një objekt i harruar. Ai duhet të bëhet një simbol i ringjalljes kulturore shqiptare në Kumanovë.
Le ta kthejmë një hapësirë që dikur prodhonte për ekonominë në një hapësirë që do të prodhojë dije, art, kulturë, talent dhe shpresë për brezat e rinj. Rinia shqiptare e meriton, kultura shqiptare e meriton.
Është koha e fundit që diçka e madhe, e dobishme dhe e qëndrueshme të ndodhë në Kumanovë.

Etem Xheladini
Ish-kryetar i SHASH “Naim Frashëri”, Kumanovë–Likovë

sqShqip