Biznesmeni tetovar i njohur si Enver Tivoli (pronar i restoranteve Tivoli) dhe biznesmeni nga Kosova, Mehmet Prishtina, kanë filluar një ptojekt të përbashkët disa milionësh në Brezovicë, shkruan portali Lideri.mk.

Ja njoftimi i plotë nga vetë biznesmeni Enver Tivoli:

BASHKIMI I KAPITALIT – ATË QË POLITIKA NUK E BËN, E BËN EKONOMIA

NGA GURTHEMELI NË BREZOVICË, DREJT BASHKIMIT EKONOMIK SHQIPTAR

" "

Sot, së bashku me Mehmet Prishtina dhe Tivoli, nisëm një rrugëtim të ri: hodhëm gurthemelin e një projekti të madh turistik në zemër të Brezovicës, në bashkëpunim me Komunën e Shtërpcës.

Ky rrugëtim ka qenë i gjatë dhe aspak i lehtë. Kemi kaluar nëpër pengesa administrative, burokraci, moskuptim, interesa dhe nganjëherë edhe inate politike. Por kam mësuar një gjë në jetë: punët e mira duan kohë; vetëm belaja vjen shpejt.

Ne zgjodhëm të mos ankohemi, por të punojmë dhe të investojmë.

Sepse paraja nuk ka as sy, as fe, as kombësi. Kapitali shkon atje ku ka ide, punë, siguri dhe perspektivë. Po të kishte paraja sy, nuk do të shkonte te secili. Njeriun pa dije, pa përgjegjësi dhe pa vizion, paraja nuk e kompleton – përkundrazi, mund ta bëjë edhe më të rrezikshëm.

Për mua kapitali nuk është vetëm pasuri personale. Kapitali është mjet për zhvillim.

Me kapital ndërtohen shkolla, rrugë, spitale, qendra sportive e kulturore. Me kapital krijohen vende pune, financohet arsimi, zhvillohet bujqësia, turizmi dhe infrastruktura.

Prandaj e them prej kohësh: bashkimi i kapitalit shqiptar është një nga format më të fuqishme të bashkimit kombëtar.

Ne ende nuk kemi arritur ta kanalizojmë sa duhet kapitalin shqiptar në projekte të përbashkëta zhvillimore. Shpesh flasim për punë kombëtare, ndërsa zihemi mes vete dhe përfiton i treti.

Kombi nuk forcohet vetëm duke rrahur gjoksin. Forcohet duke krijuar ekonomi, dije, institucione, vende pune dhe mirëqenie.

Projekti që po zhvillojmë me Mehmet Prishtinën shtrihet në një hapësirë prej mbi 300 hektarësh, ku synojmë të ndërtojmë një destinacion të turizmit rural dhe malor me standarde bashkëkohore ndërkombëtare.

Pjesë e këtij projekti është edhe Vila e Titos në Brezovicë, së bashku me disa nga hotelet e asaj kohe, objekte që mbartin një histori të veçantë të kësaj qendre turistike. Synimi ynë është që kjo trashëgimi ekzistuese të mos mbetet dëshmi e një kohe të kaluar dhe të harrohet, por të integrohet me kujdes në zhvillimin e ri të Brezovicës.

Ne duam të ruajmë atë që ka vlerë historike, ta rinovojmë dhe t’i japim funksion të ri, duke e bashkuar historinë e Brezovicës me standardet e turizmit modern. Sepse zhvillim nuk do të thotë gjithmonë të rrënosh të vjetrën dhe të fillosh nga zero; zhvillim do të thotë edhe ta ruash trashëgiminë, ta modernizosh dhe ta kthesh përsëri në vlerë ekonomike e turistike.

Vizioni ynë është që kjo zonë të mos jetojë vetëm disa javë në dimër, por 365 ditë në vit.

Projekti përfshin bujtina në natyrë, agroturizëm, shtigje malore, biçikleta malore, aktivitete me adrenalinë, mjete me katër rrota, kalërim, fusha sportive, hapësira për rehabilitim dhe përgatitje të sportistëve, si dhe aktivitete të tjera që do ta bëjnë malin tërheqës në çdo stinë.

Dy lumenjtë e zonës krijojnë mundësi edhe për peshkim dhe aktivitete të tjera në natyrë.

Por vizioni ynë nuk përfundon te turizmi.

Banori vendas duhet të jetë pjesë dhe përfitues i drejtpërdrejtë i këtij zhvillimi, jo vetëm spektator i tij.

Prandaj synojmë bashkëpunim të drejtpërdrejtë me familjet dhe fermerët e zonës për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e produkteve vendore, me synim që ato të plotësojnë standardet dhe të pajisen me certifikim BIO aty ku është e mundur.

Do të nxitet grumbullimi dhe kultivimi i çajeve dhe bimëve mjekësore, boronicave, manaferrave dhe frutave të tjera të malit.

Do të zhvillohet bletaria, me koshere për prodhimin e mjaltit natyral të zonës.

Do të mbështetet kultivimi i kërpudhave, hudhrës së egër, arrave, lajthive dhe kulturave të tjera që i përshtaten klimës dhe tokës së kësaj treve.

Një vend të rëndësishëm do ta ketë edhe blegtoria alpine, veçanërisht prodhimi i qumështit dhe djathit të dhisë, si dhe produkteve të tjera tradicionale.

Por kemi një parim të qartë: produkti nuk duhet të largohet nga mali vetëm si lëndë e parë.

Ai duhet të prodhohet, grumbullohet, përpunohet, certifikohet, paketohet dhe të dalë në treg me identitetin e vet.

Nëse një familje prodhon mjaltë, një tjetër djathë, një tjetër boronica, manaferra, çaj mali apo kërpudha, ne duhet t’u krijojmë mundësinë që këto produkte të arrijnë te konsumatori.

Restorantet, bujtinat dhe objektet turistike të projektit duhet, sa më shumë që është e mundur, të furnizohen nga banorët e zonës.

Nga toka e banorit – në sofrën e turistit.
Nga puna e fermerit – te tregu.
Nga pasuria e malit – te mirëqenia e familjes.

Do të organizohen edhe seminare dhe trajnime për bujqësinë organike, blegtorinë, bletarinë, kultivimin e bimëve mjekësore, përpunimin, paketimin, marketingun dhe certifikimin e produkteve.

Sepse nuk mjafton t’i thuash fermerit: prodho.

Duhet t’i japësh dije, standard, treg dhe siguri se prodhimi i tij do të shitet.

Turizmi rural dhe agroturizmi duhet ta mbajnë banorin në tokën e vet dhe t’i japin mundësi të jetojë me dinjitet nga puna e vet. Të rinjtë nuk duhet ta shohin malin vetëm si vend prej nga duhet të largohen, por si një pasuri mbi të cilën mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Dhe këtu vijmë te një çështje shumë më e madhe.

Politikanët tanë duhet ta kuptojnë se ekonomia mund të na bashkojë shumë më fuqishëm sesa fjalimet politike.

Kapitali shqiptar sot është i shpërndarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Evropë, Amerikë dhe kudo në diasporë. Veçmas mund të jemi investitorë të suksesshëm; të bashkuar mund të bëhemi një fuqi ekonomike.

Prandaj ka ardhur koha që politika, ekonomistët, biznesmenët, profesionistët dhe diaspora të mbledhin forcën, dijen dhe kapitalin dhe të mendojnë seriozisht për krijimin e një banke kombëtare zhvillimore, të ndërtuar mbi baza profesionale dhe transparente.

Një institucion financiar që kapitalin dhe kursimet tona t’i orientojë drejt prodhimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë, energjisë, infrastrukturës dhe sipërmarrjes së të rinjve.

Jo një bankë për politikën, por një bankë për zhvillimin.

Sepse kapitali që vetëm ruhet është pasuri, por kapitali që investohet me dije krijon pasuri të re, vende pune dhe të ardhme.

Ne flasim shumë për bashkim kombëtar. Unë besoj se një nga themelet më të forta të tij është bashkimi ekonomik.

Nuk kemi nevojë vetëm për patriotizëm me fjalë. Na duhet edhe patriotizëm ekonomik: të investojmë te njëri-tjetri, të blejmë nga njëri-tjetri, të bashkëpunojmë, të krijojmë vende pune dhe ta kthejmë kapitalin tonë në zhvillim.

Sepse ekonomia krijon ura atje ku politika shpesh ndërton mure.

Ky projekt nuk është vetëm investim në ndërtesa.

Është investim në njerëz.
Në tokë.
Në prodhim.
Në dije.
Në ekonomi.
Në ruajtjen e trashëgimisë.
Dhe mbi të gjitha – në të ardhmen.

Me Mehmetin ndajmë bindjen se kapitali duhet të bashkojë, jo të ndajë. Nëse politika ngre kufij dhe barriera, ekonomia dhe interesi i përbashkët mund t’i kapërcejnë ato.

Ne sot vendosëm një gur në tokë, por synimi ynë është shumë më i madh:

Të dëshmojmë se bashkimi i dijes, kapitalit dhe punës mund të bëjë atë që politika për vite të tëra vetëm e premton.

Sepse në fund:

BASHKIMI I KAPITALIT BËN ATË QË POLITIKA SHPESH NUK E BËN.

I ul njerëzit në një tavolinë, u krijon interes të përbashkët dhe i bashkon rreth punës, zhvillimit dhe së ardhmes.

Puna e mbarë!

sqShqip