April 27, 2024
Maqedoni

Kuvend, seancë për barazi gjinore, konsensus për barazi gjinore në zgjedhje

Të drejtat e grave vazhdojnë të jenë çështje në politikën e vendit. Në Kuvend ku u organizua seancë për barazinë gjinore, u shfaqën pakënaqësitë për mosavancimin e të drejtës së gruas për të konkurruar baras me kandidatët meshkuj në zgjedhjet lokale.

“Dërgoj apel deri tek të gjithë deputetët dhe deputetet 50-50, burra dhe gra, është lehtë të thuhet pasi kjo është e natyrshme për ta ndërtuar të ardhmen. Por, kjo nuk ndodhi dje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nuk u vendos kuota prej 30% për gratë për t’u zgjedhur kryetare të komunave, ashtu sikurse e dhamë fjalën vitin e kaluar, pasi për këtë nevojitet konsensus jo midis grave, por midis të gjithë deputetëve nga të gjitha partitë politike.”, – deklaroi kryetarja e Klubit të deputeteve, Lolita Ristova.

“Jam e bindur se gjetja e hapësirës për të vepruar dhe të qenit e dukshme është hapi i parë që duhet të ndërmerret. Mirëqenia bashkë me të drejtat e njeriut, por edhe perspektiva gjinore të bëhet vokacion për të gjithë njerëzit pa dallim.”, – theksoi deputetja, Rina Ajdari.

Por, kryetari i Parlamentit, Jovan Mitreski, u shpreh se Kuvendi ka treguar përkushtim në avancimin e barazisë gjinore, duke tejkaluar pragun prej 40% gra deputete, që sipas tij nuk ka qenë praktikë e mëhershme.

“Këtë e arritëm pasi që si grupe parlamentare, si parti politike, kemi pasur konsensus për këtë çështje dhe kemi njohur prioritetin që të sigurohet përfaqësim më i madh i grave në Kuvend, pasi që vetëm në këtë mënyrë do të ketë përfaqësim real dhe të barabartë i të gjithë qytetarëve.”, – u shpreh kryetari i Parlamentit, Jovan Mitreski.

Deputetet theksuan nevojën e betejës së përbashkët edhe me burrat kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, kundër gjuhës së urrejtjes dhe dhunës ndaj fëmijëve.