May 10, 2024
Maqedoni

Kasami: Angazhohemi për uljen e numrit të komunave dhe për rritje të kompetencave të tyre

Koalicioni VLEN në qeverisje garanton praktikat evropiane të decentralizimit: më shumë autonomi fiskale dhe më shumë fuqi vendimmarrëse e kompetenca në komunat tona. Kjo do të thotë, më shumë zhvillim dhe më shumë barazi për qytetarët tanë.
Maqedonia e Veriut sot është ndër shtetet më të centralizuara në kontinent, gjë që ka rritur pabarazinë e zhvillimit rajonal, veçanërisht aty ku banojnë shqiptarët. Nevojitet një model i mirëfilltë decentralizimi, që mundëson vetëqeverisje lokale efikase dhe efiçiente, e cila plotëson nevojat e qytetarëve dhe i jep fund politikës së shantazhimit dhe të kushtëzimit të komunave nga niveli qendror përmes sistemit të donacioneve dhe të investimeve nga lart poshtë. Synimi ynë kryesor është që të dyfishohen të ardhurat e komunave prej të ardhurave të përgjithshme publike, duke mundësuar autonomi fiskale të qëndrueshme për vetëqeverisjen lokale si dhe investime e zhvillim për vetë qytetarët.

Koalicioni VLEN garanton rritje substanciale të investimeve kapitale në rajonet më pak të zhvilluara, dhe sidomos atje ku nuk ka pasur fare investime të tilla.
Do të angazhohemi për shndërrimin e regjioneve aktuale planore në Qendra të Avancuara Administrative, ku pasqyrimi dhe shtrirja e të gjitha niveleve të pushtetit ekzekutiv (ministri, ndërmarrje publike, agjenci, drejtori, shoqëri aksionare) dhe gjyqësor (gjykata dhe prokurori të apelit) do të bëhet sipas modelit të regjioneve, e jo si modeli aktual që shkakton konfuzion dhe disbalancë.
Që të ketë barazi, duhet të ketë kompensim. Në ato regjione ku në të shkuarën është investuar më pak, tash duhet të investohet më shumë. Barazia në zhvillimin e rajoneve është e mirë e përbashkët, ajo i intereson të gjithëve, sepse sjell rritje të kohezionit shoqëror, rrit bashkëpunimin, çliron potencialin ekonomik dhe forcon bashkëjetesën e mirëqenien në Maqedoninë e Veriut.
Edhe përkundër rritjes së investimeve qendrore për zhvillim të barabartë rajonal gjatë viteve të fundit, arritja e cakut të 1% të PBV-së mbetet shumë larg pasi që detyrimi ligjor nuk zbatohet: vetëm 7,4 milion euro jane ndarë në buxhetin e vitit 2021, dhe rreth 7,8 milion euro në buxhetin e vitit 2022, apo përafërsisht 0,05% e PBV-së. Ne do ta rishohim dhe do ta zbatojmë ligjin që parasheh që 1% e PBV-së alokohet për zhvillim të barabartë rajonal.
Do të zbatohen programe specifike për regjionet planore më pak të zhvilluara nga ana e Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik dhe do të rriten kompetencat e komunave në menaxhimin e pasurive natyrore, si uji, pyjet, dhe minierat.
VLEN poashtu mbështet një reformë administrative territoriale për komunat e Maqedonisë së Veriut, duke reflektuar principet e qeverisjes lokale në Bashkimin Evropian.
Riorganizimi i komunave duhet të jetë në bazë të funksionalitetit. Dallimi mes komunave, duke patur parasysh demografinë, territorian, ekonominë dhe infrastrukturën, nuk duhet të jetë më i madh se 20%.
Ne qëndrojmë për zvogëlim të numrit të komunave, dhe për rritje të kompetencave të tyre. Kjo do të rrisë efikasitetin në dhënien e shërbimeve, por edhe mirëpërdorimin e buxhetit.

Të nderuar qytetarë,
Qeverisjen tonë të mirë në nivel lokal me 8 maj do ta zgjerojmë në nivel republikan. Së bashku do të fitojmë e së bashku do të gëzojmë!

Ju faleminderit!