May 11, 2024
Maqedoni

Kandidatët për president, para fushate partitë me akuza dhe kritika

Përfaqësues nga blloku politik shqiptarë, BDI dhe Aleanca për shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, në emisionin debativ “Zoom” në TVM2, shkëmbyen akuza dhe qëndrime për dy kandidatët shqiptarë për president, Bujar Osmani dhe Arben Taravari.

Bajram Kadrija nga BDI tha se Osmani ka strategji të sakta dhe është i dëshmuar edhe në arenën ndërkombëtare, kurse akuzoi se Taravari për të plotësuar apetitetet e veta përçan partinë e tij dhe bën koalicionime të dyshimta dhe të paqëndrueshme.

“Idetë e mëdha nuk lindin aty për aty, nuk lindin as në fejsbuk as para selive partiake, por lindin shumë më herët, trasohen dhe realizohen. Për momentin, Bujar Osmani është një ndër kuadrot më të profilizuar në këtë garë që besojmë se do të hasë në përkrahje më të gjerë të grupeve etnike, se sa vetëm në mesin e shqiptarëve, por besoj që do të marrë një numër të konsiderueshëm të votave dhe do të kalojë në rrethin e dytë dhe do të jetë pretendenti kryesor për president në RMV.”, – theksoi Bajram Kadrija nga BDI.

Bashkim Bakiu nga koalicioni VLEN, thekson se Arben Taravari është njeriu i cili në anketën e fundit te IRI-t u shpall si njeriu me besueshmërinë dhe rejtingun më të lartë në vend. Bakiu vlerësoi se kundërkandidati i Taravarit, Bujar Osmani, derisa ishte në pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme dhe ka kryesuar me OSBE-në nuk ka vizituar Kosovën në vizitë zyrtare, si dhe nuk ka dënuar sulmet e grupeve terroriste serbe në veri të Kosovës.

“Dua të përmend se ai si ministër i Punëve të Jashtme asnjëherë se ka vizituar Kosovën dhe kjo është një mesazh shumë i rëndësishëm për shqiptarët dhe për shtetin. Ai ia krijoi mundësinë që ministri i Punëve të Jashtme rus të vijë në Maqedoni dhe nuk janë këto epitete të një personaliteti që duhet të garojë në zgjedhje presidenciale.”, – deklaroi Bashkim Bakiu nga koalicioni VLEN.

Sa i përket bllokut politik maqedonas, ka vazhduar përplasja mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, sa i përket personaliteteve që bartin kandidaturat për president të shtetit.

Nga VMRO-DPMNE-ja theksojnë se Pendarovski dhe LSDM-ja në pafuqi filluan të sulmojnë gratë me lajme të rreme para qytetarëve, duke e ditur se fundi i tyre është afër.

“Për manipuluesin Pendarovski dhe partinë e tij LSD, tani më nuk mund t’ju kalojë asnjë gënjeshtër para qytetarëve. Është më se e qartë dhe do ta kenë edhe më të qartë ditën e zgjedhjeve, kur populli do t’i gjykojë për të gjitha krimet dhe gënjeshtrat që kanë bërë për këto 7 vite.”, thuhet në kumtesën e VMRO DPMNE-së.

Nga ana tjetër, LSDM-ja ripërsërit se qytetarët me presidentin, Stevo Pendarovski, do të arrijnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa me kandidaten e VMRO-DPMNE-së, Gordana Silojanovska, do të ballafaqohen me izolim dhe kthim prapa. “Në DPMNE nuk ka ndryshim, është e njëjta parti që thotë një gjë, bën tjetër, që bën premtime të rreme, të cilat nuk i përmbush kurrë. E vetmja gjë që ofrojnë DPMNE dhe Siljanovska është të heqim dorë nga e ardhmja, nga shpresa, të izolohemi dhe t’i themi lamtumirë çdo ndryshimi real dhe thelbësor për një të nesërme më të mirë.”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.