May 10, 2024
Lajmet e rejaMaqedoni

Sela: Ky është kusht – ose pranoni ndryshimet kushtetuese ose duhet të thoni se nuk jeni për anëtarësim në BE

-Ose i pranon ndryshimet kushtetuese ose duhet të thuash se nuk je për anëtarësim në Bashkimin Evropian, këto janë dy drejtimet, shprehet lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, në intervistë për MIA-n.

Sela mbetet në qëndrimin se fillimisht duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese, e më pas të formohet Qeveria. Debati rreth ndryshimeve kushtetuese, siç bën të ditur, ka mbaruar dhe duhet vetëm të votohet.

“Pasi të bëhet shumica e re, duhet të ulemi dhe të votojmë ndryshimet kushtetuese. Nga pikëpamja formale-juridike, ne nuk kemi asnjë problem meqë fakti që do të ndodhin zgjedhje nuk do të thotë se do të kemi shtet të ri. Është i njëjti shtet dhe vazhdojnë seancat e përbërjes së kaluar të Kuvendit vazhdojnë dhe ne mund të votojmë për ndryshimet kushtetuese. Ky do të ishte kushti për krijimin e Qeverisë së re”, shprehet Sela.

Integrimi evropian mbetet prioritet për Aleancën për Shqiptarët, ndërsa sipas Selës, agresioni rus në Ukrainë ka sjellë rrethana lehtësuese në lidhje me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe si shtet duhet ta shfrytëzojmë këtë moment.

“Ky është kusht. Duhet të jetë e qartë për të gjithë qytetarët, duhet t’ua thonë të gjithë aktorëve politikë që shkojnë para tyre dhe thonë se nëse marrim votat dhe shumicën do të ndryshojmë marrëveshjen, etj. Ky është kusht – ose e pranoni ose duhet të thoni se nuk jeni për anëtarësim në BE. Janë dy rrugë. Të gjithë aktorët politikë që dalin para qytetarëve me program për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të jenë të gatshëm në ditën e parë kur do të thirret Kuvendi i ri për të votuar ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojmë. Mendoj se agresioni rus në Ukrainë ka sjellë rrethana lehtësuese rreth anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment sepse do të jetë shumë më e lehtë për ne që të jemi anëtare e barabartë e BE-së”, thekson Sela.

Si parti, pret që të fitojnë së paku pesë vende në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa ky numër, thotë ajo, do të ishte më i lartë në varësi të asaj se sa vende të deputetëve do të fitojë koalicioni i Frontit Evropian.