May 10, 2024
Maqedoni

VLEN: Çdo qytetari të Maqedonisë do i ndajmë nga 10 mijë euro nga aksionet e kompanive shtetërore

Koalicioni VLEN e ka bërë të qartë se nuk ka asnjë dilemë për detyrimin e realizimit të ndryshimeve kushtetuese, që janë të detyrueshme për ta vazhduar procesin e integrimit europian, dhe këtë do ta bëjë duke krijuar konsensus të gjerë politik me të gjitha subjektet politike në vend. Ndryshimet kushtetuese do të bëhen ashtu që gjatë bisedimeve për qeverinë e re do ta krijojmë një kornizë për integrim, e cila do t’i përfshijë hapat që duhet të ndërmerren, pra planin aksionar, si dhe afatet në të cilat duhet të realizohet ky plan.
Përveç ndryshimeve kushtetuese, që duhet të bëhen si parakusht për fillimin e negociatave me BE-në, VLEN-i konsideron se ndryshimet kushtetuese duhet t’i reflektojnë edhe kërkesat e shqiptarëve për ta bërë një kushtetutë që do ta simetrizojë shtetit në relacion më shoqërinë, kjo në përputhje me realitetin shoqëror dhe me demokracinë konsensuale. Për këtë arsye, VLEN-i do të propozojë që gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese të përfshihet edhe ndryshimi i emërtimit të gjuhës shqipe, duke e përmendur me emër e jo si “gjuhë që e flasin së paku 20% të popullatës dhe që dallon nga maqedonishtja”. Gjithashtu kërkesa jonë është që në këto ndryshime të përfshihet edhe neni që e sanksionon mosvjetrimin e lëndëve të korrupsionit politik.

Në pikën e integrimit europian programi i koalicionit VLEN përfshin përcaktimin e padiskutueshëm dhe pa ekuivoke europian, synimin kombëtar për përafrim me shtetet anëtare të BE-së në rajonin tonë, harmonizimin e plotë të politikës sonë me BE-në dhe NATO-n, pastaj distancimin e qartë të Maqedonisë së Veriut prej vendeve me qëndrime anti-BE e anti-NATO, si dhe dalje nga nisma “Ballkani i Hapur”.

Në këtë drejtim, për koalicionin VLEN është jashtëzakonisht e rëndësishme që të thellohet edhe integrimi kombëtar, që nënkupton masa si: euroregjione që na afrojnë me Kosovën dhe Shqipërinë, zonat e lira ekonomike ndërkufitare, krijimi ose avancimi i infrastrukturës rrugore kombëtare, integrimi ndërshqiptar në çdo sektor jopolitik, zbulimi, ruajtja dhe gjallërimi i trashëgimisë kulturore, afirmimi i përbashkët i kulturës shqiptare, lojërat e përbashkëta sportive kombëtare, një ERASMUS shqiptar e kështu me radhë. Në një botë të integruar, bashkë me integrimin me të tjerët duhet të ecë edhe integrimi ynë i brendshëm.

Drejt fitores deri në fitore!

Ia VLEN.

Ju faleminderit

Afrim Gashi, kryetar i AlternAtivA-s