Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka folur për konkursin për Akademinë e policisë, duke theksuar se pas 26 vitesh pauzë është riaktivizuar procesi, ndërsa shqetësim mbetet numri i ulët i aplikantëve shqiptarë.

I ftuar në emisionin “Debat në Shenja” në TV Shenja, Iseni tha se nga gjithsej 509 aplikantë nga shkollat e mesme, vetëm 29 kanë qenë shqiptarë.

“Nga 509 aplikantë, vetëm 29 shqiptarë kanë aplikuar sa u përket nxënësve të shkollave të mesme. Kjo paraqet një shifër të vogël prej 5.7 për qind të numrit të përgjithshëm. Në fazën e parë u eliminuan gjithsej 106 aplikantë, prej të cilëve edhe 12 shqiptarë”, deklaroi Iseni.

Ai tha se konkursi ka qenë i hapur dhe se njoftimi është publikuar në të dyja gjuhët, maqedonisht dhe shqip. Sipas tij, problemi kryesor ka qenë niveli i ulët i interesimit të nxënësve shqiptarë.

" "

“Është shqetësues fakti i numrave, por e vërteta është se interesimi ka qenë i ulur sa u përket nxënësve shqiptarë”, tha Iseni.

Zëvendësministri paralajmëroi se për vitin e ardhshëm do të ndërmerren hapa për të rritur informimin dhe interesimin e të rinjve shqiptarë për Shkollën e policisë.

“Kemi filluar të punojmë në atë drejtim që të sensibilizojmë. Si kabinet, për vitin e ardhshëm do të angazhohemi me broshura, do të shkojmë për vizita nëpër shkolla ku frekuentojnë nxënësit shqiptarë dhe do të bëjmë një promovim më të duhur”, u shpreh Iseni.

sqShqip