12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare, prej tyre një zyrtar policor, pas përshkallëzimit të dhunës mes forcave të policisë dhe protestuesve të mbledhur rreth ndërtesës së Kuvendit. E në komunikatë Policia ka thënë se 6 zyrtarë policorë janë lënduar. Situata përshkallëzojë kur policia nisi të përdorte gaz lotsjellës për të hapur rrugën që deputetët të largohen nga objekti i Kuvendit të Kosovës. Protestuesit bllokuan deputetët duke thënë se nuk do të lejohen të kalojnë pa e miratuar edhe në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Specialen. Madje deputeti i Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi u kthyer dhunshëm brenda objektit nga protestuesit. Plotësim/ndryshimi i Ligjit për Specialen u votua sot në lexim të parë, por nuk pati dakordim mes Vetëvendosjes dhe PDK-së për t’u votuar edhe në lexim të dytë. PDK-ja tha se kryeministri Albin Kurti ka kushtëzuar votimin në lexim të dytë me zgjedhjen e presidentit. Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Policia: Gjashtë zyrtarë policorë u lënduan, u intervenua vetëm kur u shfaq dhunë
5 min. më parë / 5 tet 2026 23:12
Policia
Photo: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka publikuar edhe një komunikatë me të dhënat e fundit nga protesta që përshkallëzoi në Prishtinë.

Siç thuhet në njoftim, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësorë si dhe 11 protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore po ashtu.

Siç thuhet tutje në njoftim, Policia e Kosovës ka intervenuar me gaz lotsjellës, përfshirë topin e ujit për të shpërndarë protestuesit me qëllim që të parandalohet eskalimi i mëtejmë i situatës.

" "

Pacolli: Qysh po ua merr mendja me i mbrojtë ata në Hagë pa president?
23 min. më parë / 5 tet 2026 22:55
Fitore Pacolli
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka reaguar pas protestës së sotme dhe eskalimit të situatës. Ajo ka thënë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare në Hagë nuk mbrohen pa president dhe se përpjekja për ta barazuar fatin politik të një partie me fatin historik të UÇK-së është keqpërdorim.

“E qysh po ua merr mendja me i mbrojtë ata në Hagë, pa president e në fushatë zgjedhore? Kë po dojnë me e mbrojtë kështu? Se ata në Hagë, jo që nuk po i mbrojnë, por po i keqpërdorin për fushatë. Përpjekja për ta barazuar fatin politik të një partie me fatin historik të UÇK-së është keqpërdorim i luftës për interesa të ngushta partiake. Ne kemi qenë dhe jemi kundër kësaj Gjykate”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ajo tutje ka shkruar se mënyra më e mirë për t’i mbrojtur ish-krerët e UÇK-së në Hagë është duke i funksionalizuar institucionet e vendit “dhe të punojmë bashkë në mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ishte e drejtë dhe e pastër.”

OVL UÇK – protestuesve: Mëngjesi duhet të na gjejë në shesh
37 min. më parë / 5 tet 2026 22:41
OVL e UÇK-së
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ka bërë thirrje protestuesve që nesër në mëngjes të mblidhen sërish në sheshin e Prishtinës.

Nesër është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit ose vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh. Rrjedhimisht edhe afati i fundit për t’u votuar në lexim të dytë plotësim/ndryshimi i Ligjit për Specialen.

“Popull i dashur. Kategori të dala nga lufta e UÇK-së. Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës. Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon”, thuhet në postimin në Facebook të OVL UÇK-së.

E kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka treguar se ka marrë lëndime nga gati lotsjellës, por ka falënderuar policinë që e ka tërhequr shpejt dhe i ka dhënë ndihmën. Ai ka treguar se dy veteranë tjerë kanë marrë lëndime më të rënda, njëri është goditur në kokë nga bombola e lotsjellësit.

Ai po ashtu ka thënë se është arrestuar djali i vëllait të ish-presidentrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gucati ka thënë se protesta do të vazhdojë nesër.

“Nuk sulmohen veteranët. Kjo që ka bërë Albini sot është turpi më i madha. Serbia na ka përndjek, vra, këtë e ka bërë Albini sot. Nuk e provokuam policinë, ishim me gazetarë ne. Asnjë polic nuk e kemi provokuar apo shtyrë. Nesër kemi protestë prapë, ta shohim si shkon. Nesër nuk vijmë duar thatë…Do të marrim gur e tulla, si Albini që i ka qorruar policinë. Pasi po do Albini me shku deri në fund atëherë do të shkojmë. Me veteran nuk ka lojë”, tha Gucati.

Ai ka thënë se kërkesa e vetme është të miratohet në lexim të dytë ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Nuk po kërkojmë para, asgjë s’po duam. Vetëm ligji me kalu sa më shpejt”, tha Gucati.

Situata nis të qetësohet, forcat policore tërhiqen drejt Kuvendit
38 min. më parë / 5 tet 2026 22:39
Policia
Foto: KOHA

Forcat speciale të Policisë së Kosovës kanë nisur të zhvendosen nga ana ku kishin vendosur kordonin te Teatri Kombëtar për te objekti i Qeverisë së Kosovës.

Protestuesit pas zhvendosjes nisën të afrohen drejt ndërtesës së Qeverisë.

Paraprakisht deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, u ka bërë thirrje protestuesve të jenë të qetë.

Po ashtu deputetët e PDK-së, Enver Hoxhaj, Blerta Deliu-Kodra dhe Ariana Musliu-Shoshi, kanë folur me komandantin operacional të Policisë dhe u kanë bërë thirrje të tërhiqen forcat policore dhe janë ankuar për dhunë joproporcionale.

VIDEO:

Syla: 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njëri prej tyre polic
41 min. më parë / 5 tet 2026 22:36
emergjenca
Ilustrim

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka bërë të ditur se 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve në protestën e sotme.

Prej të lënduarve një është zyrtar policor ndërsa 11 të tjerë janë protestues.

Syla ka bërë të ditur gjithashtu se gjendja e tyre është stabile dhe pas trajtimit janë lëshuar në shtëpi. Nga të lënduarit, tre janë trajtuar prej plagëve prerëse.

“Deri më tani në Qendrën Emergjente, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 12 persona, prej tyre një polic. Të gjithë kanë marë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre është stabile. Pas trajtimit të ofruar të gjithë janë lëshuar në shtëpi. Tetë prej të lënduarve janë trajtuar dhe nga ekipa e Klinikës së Oftalmologjisë për shkak të veprimit të lotsjellësit, kurse tre të tjerë plagë prerëse”, ka thënë në një përgjigje për KOHËN, Syla.

Deputetët e PDK-së kërkojnë nga komandanti policor t’i tërheqë policët, ankohen për dhunën
1 o. më parë / 5 tet 2026 22:16
Komandanti – PDK
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, Blerta Deliu-Kodra dhe Ariana Musliu-Shoshi kanë shkuar te komandanti i njësitit të Policisë së Kosovës për të kërkuar tërheqjen e forcave policore nga sheshi ku kanë vendosur kordonin. Ata janë ankuar te një komandant operacional i Policisë për dhunën joproporcionale të përdorur. Ndërsa kanë thënë se në një rast tre policë kanë përdorur dhunë ndaj një qytetari.

Komandanti i Policisë ka thënë se është sulmuar policia dhe se ka të lënduar edhe në mesin e policisë. Ai ka thënë se çdo polic që ka përdorur dhunë joproporcionale do të japë përgjegjësi.
Në kërkesën e deputetëve për tërheqjen e kordonit të Policisë, ai ka thënë se duhet të marrë urdhër. Por ai ka thënë se protestuesit duhet të protestojnë në mënyrë të qetë.

“Jemi me i tërheq. Na duhet konfirmim nga stafi udhëheqës. Asnjë arsye të qëndrojmë nuk e kemi. Sheshi nuk është i policisë por i qytetarëve”, ka thënë komandanti operacional.

Hoxhaj në prononcim për media ka thënë se kur ka parë pamjen e dhunës nga policia e përdorur, janë detyruar të dalin nga Kuvendi i Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se deputetët e PDK-së do të jenë në Kuvend.

Tahiri: Në Kuvend janë vetëm deputetët e PDK-së dhe Aleancës
1 o. më parë / 5 tet 2026 21:54
Arian Tahiri
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri bashkë me Altin Krasniqin, djalin e Jakup Krasniqit kanë dalë te protestuesit dhe janë deklaruar.

Tahiri nga aty ka ftuar sërish deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, që të vijnë në Kuvend dhe të votojnë edhe në lexim të dytë për ndryshimet në Ligjin për Specialen.

Tahiri gjithashtu ka thënë se aktualisht në ambientet e Kuvendit të Kosovës janë të gjithë deputetët e PDK-së dhe Aleancës, por nuk janë ata të Vetëvendosjes apo Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Qytetarët me të drejtë kanë kërkuar që deputetët të qëndrojnë në Kuvendin e Kosovës. Do të jemi edhe në shesh edhe në Kuvendin e Kosovës deri në minutat e fundit sa të përfundojë mandati. Janë të gjithë deputetët e PDK-së dhe Aleancës. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka bërë thirrje sërish që ndryshimi i Ligjit për Specialen të mos përzihet me çështjen e presidentit.

“Kanë mbetur vetëm edhe disa orë. Krejt çka po kërkojmë është që Albin Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të kthehen në Kuvendin e Kosovës. Ligji është obligim kombëtar të votohet, është urgjencë. Po tentohet të krijohet si pazar politik çështja e presidentit. Ligji është obligim kombëtar, presidenti përgjegjësi politike. Në këto rrethana është shumë e rëndësishme të krijohet konsensus. E rëndësishme është që Ligji të votohet por nuk duhet të lidhet me çështjen e presidentit”, ka thënë Tahiri.

Edhe Krasniqi ka thënë se të gjithë deputetët duhet të jenë në Kuvendin e Kosovës dhe të votojnë Ligjin për Specialen. Ai gjithashtu shtoi se kjo çështje nuk duhet të kthehet në politike.

“Nuk është çështje politike Ligji për Specialen. Ata duhet të jenë në Kuvend të votojnë Ligjin dhe të mos e kthejnë në çështje politike dhe të procedohet me çështje të tjera. Protestuesit po bëjnë protestë të qetë prandaj edhe në mënyrë proporcionale duhet të jetë edhe përgjigja e Policisë së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

PDK: Qeveria ta ndalë dhunën ndaj protestuesve
1 o. më parë / 5 tet 2026 21:36
Partia Demokratike e Kosovës – PDK
Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar dhunën ndaj protestuesve. PDK-ja ka kërkuar nga organet shtetërore “ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”.

Protestuesit janë mbledhur duke kërkuar të votohet edhe në lexim të dytë ndryshimi i Ligjit për Specialen. Ndryshimi i Ligjit për Specialen u votua në lexim të parë. Protestuesit nuk lejuan deputetët të largohen nga Kuvendi pa u votuar në lexim të dytë. E Policia e Kosovës në tentim për të mundësuar këtë ka përdorur gaz lotsjellës e topa uji. Ka nisur ta shpërndajë turmën.

“PDK kërkon nga organet shtetërore të ndalin dhunën ndaj protestuesve. Masat e përdorura ndaj një proteste që ka qenë e qetë për 20 ditë me radhë janë tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme. Qëndresa e qytetarëve nuk mund të trajtohet si kërcënim dhe as të përdoret si pretekst për ushtrim dhune. Është e papranueshme që institucionet e sigurisë po përdoren skajshmërisht për qëllime politike apo për ta shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve. Ato kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre. Çdo përpjekje për t’i vënë në shërbim të interesave të pushtetit përbën abuzim të rëndë me përgjegjësinë shtetërore. Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për protestë. PDK u bën thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe ta përmbyllin miratimin e ligjit që mbron UÇK-në. Përgjegjësia institucionale në këtë moment kërkon vendimmarrje, respekt për qytetarët dhe mbrojtje të dinjitetit të çlirimtarëve”, thuhet në reagim të PDK-së.

E deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, në një lidhje direkte në “Konfront” të KTV-së ka thënë se kryeministri Albin Kurti po kërkon favore partiake për të kaluar një ligj që nuk është për PDK-në.

Policia po largon protestuesit nga sheshi “Skënderbeu”, fillon arrestimet
1 o. më parë / 5 tet 2026 21:32
Policia
Photo: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka nisur të largojë protestuesit nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë. Në pamje shihet duke u arrestuar njëri prej tyre para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Një protestues tjetër shihet i gjakosur teksa një tjetër po mundohe ta trajtojë.

Haradinaj: Kam paralajmëruar se Kurti po e çon vendin në zgjedhje
1 o. më parë / 5 tet 2026 21:26
Ramush Haradinaj
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka kërkuar nga kryeministri i vendit Albin Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në Kuvend dhe të votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Haradinaj ka thënë se nuk ka logjikë që të ikin deputetët kur kanë mbetur pak më shumë se 24 orë nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Ai ka deklaruar se edhe më parë ka paralajmëruar që Kurti dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje.

“Pra, në një situatë të tillë, ata që kanë ende ndërgjegje i bëj thirrje të kthehen në Kuvend. Ta votojmë ligjin për Dhomat e Specializuara dhe t’i kthehemi agjendës shtetërore. Nuk ka logjikë pra me u ndërprerë seanca, me ik deputetët kur kanë mbetur vetëm edhe pak më shumë se 24 orë nga afati kushtetues, edhe për zgjidhjen e presidentit. Është e vërtetë edhe e kam paralajmëruar gjithnjë se Kurti dhe Vetëvendosje po e çojnë vendin në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar tutje se nuk është koha që të iket nga Kuvendi i Kosovës dhe ka përsëritur thirrjen që të kthehen në Kuvend deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të qetësohet situata edhe me protestuesit jashtë.

“E dënojmë fuqishëm një sjellje të tillë. Nuk është koha që të iket nga Kuvendi i Kosovës. Çdo orë është e vlefshme dhe në çdo orë mund të bëjmë gjënë e duhur deri nesër në mesnatë, pra votimin e Ligjit. Po ashtu edhe ne të kthehemi në shtëpitë tona në familjet tona, po ashtu edhe qytetarët të shkojnë në shtëpitë e tyre. Kjo është një vepër e dënueshme për ata që i përfaqësojnë popullin”, ka deklaruar Haradinaj në konferencën për media nga holli i Kuvendit.

Nagavci: Ka ende kohë, shpresoj të ketë takime sonte apo nesër
2 o. më parë / 5 tet 2026 21:09
Nagavci
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk po e di qëllimin e vërtetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Nagavci në një lidhje direkte në “Konfront” të KTV-së, ka thënë se kushdo që interesohet për adresimin si duhet të pyetjes së aktgjykimit të Speciales, duhet të punojë të bashkohet bashkë e të mos mbetet vendi pa institucione në kohë të ndjeshme.

Nagavci ka thënë se beson se ka akoma kohë për të evituar këtë.

“Shpresoj të ketë takime e diskutime edhe gjatë mbrëmjes së sotme apo nesër. Ka kohë të thirret edhe seanca për presidentin e edhe shqyrtimi në lexim të dytë i ndryshimit të Ligjit për Specialen”, tha Nagavci.

Ajo ka thënë se për kalimin në leximin e dytë të ndryshimit të Ligjit për Specialen ka vota, por tha se nuk ka pajtueshmëri e deklarim tashmë sa i përket procesit të presidentit.

Më 6 tetor është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.

“Besoj është e qartë edhe për deputetët e edhe qytetarët se sa shumë është e rëndësishme që të kemi një president”, tha Nagavci.

Gjini: Gjykata Speciale thelbi i arsyes pse Kurti është në pushtet
2 o. më parë / 5 tet 2026 20:53
Ardian Gjini
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i “vetmi politikan që me çdo qelizë të trurit e trupit të tij e ka dashur Gjykatën Speciale”.

Gjini në një postim në Facebook, ka thënë se mosvotimi i Speciales nga deputetët e Vetëvendosjes në vitin 2015 ka qenë “oportunizëm i pasur e jo biundje e ndonjë natyre”. Ai ka thënë se Specialja është thelbi i arsyes pse Kurti është në pushtet.

Gjini ka thënë se Kurti e ka programuar këtë kaos. Ai ka thënë se Kurti nga qershori e ka luajtur lojën e fajësimit.

“Në fakt, Gjykata Speciale është thelbi i arsyes se pse Kurti është në pushtet. Që prej qershorit, Aleanca iu ka paralajmëruar se Kurti do prapë zgjedhje. I ka mbyllur vet të gjitha opsionet për të dalur nga bllokada politike. Nuk e ka marrë parasysh ofertën e Aleancës, e ka poshtëruar me plot qëllim Lidhjen Demokratike dhe së fundi luajti me Partinë Demokratike. Përndryshe nuk do kishte pritur deri sot për ta votuar në parim ligjin. Do ta kishte bërë më herët. Përndryshe nuk do t’i fuste 22 projektligje në procedurë të përshpejtuar sot. Përndryshe nuk do ta kushtëzonte fare votimin e ligjit për Gjykatën Speciale me votimin e presidentit. Nëse vërtet dëshironte t’i shmangte zgjedhjet, ëin-ëin ka pasur. Por nuk deshi. Që prej qershorit lojën e fajësimit e ka luajtur. Mund t’iu them se iu kemi paralajmëruar. E tash? Shohim gaz lotsjellës e krisma në sheshin kryesor të kryeqytetit, kundër vlerave tona të lirisë. Po nesër? Vetëvendosje e pyet Gjykatën Kushtetuese nëse Albulena mund t’i shpallë zgjedhjet. Ky është kaos i programuar nga Kurti i cili nuk e do krijesën që e udhëheq, e që është Republika e pavarur e lirë dhe demokratike e Kosovës. Ky nuk i do as njerëzit që e duan e që e votojnë. Ndërsa, tjerët i urren. Por Kosova jonë nuk do të shkatërrohet. Do t’i mbijetojë edhe kësaj krize. Do ta mbijetojë edhe Kurtin dhe kastën e tij të keqbërësve”, ka shkruar Gjini në Facebook.

Pas eskalimit të situatës, Policia del me njoftim
2 o. më parë / 5 tet 2026 20:32
Policia
Policia e Kosovës ka thënë se përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme që u ka bërë protestuesve që të respektohet ligji e të protestohet në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve nga Kuvendi i Kosovës dhe për ta vënë situatën nën kontroll.

Policia ka thënë se janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.

“Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotësjellës, për të mundësuar daljen e përsonaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll. Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarreve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave. Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtë e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet. Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Përshkallëzohet situata në Prishtinë, tentohet shpërndarja e protestuesve me gaz lotsjellës dhe top uji
2 o. më parë / 5 tet 2026 20:25
Policia e Kosoves
Photo: Driton Paçarada

Është përshkallëzuar situata në Prishtinë pas protestës para Kuvendit të Kosovës në të cilën protestuesit kanë kërkuar që ndryshimi i Ligjit për Specialen të kalojë edhe në lexim të dytë.

Nga kjo protestë kanë mbetur të lënduar zyrtarë policorë dhe protestues. Edhe kryetari i OVL UÇK-së është parë në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, Njësia Speciale ka dalë me autoblindë dhe me topë me ujë po synon shpërndarjen e protestuesve.

Situatë e tensionuar vazhdon të jetë edhe në hapësirat përreth Kuvendit të Kosovës, ku sërish është hedhur gazlotsjellës në drejtim të protestuesve.

Paraprakisht në rrugën “Agim Ramadani” janë djegur edhe kontejnerë dhe është hedhur gazlotsjellës, derisa protestuesit kanë hedhur mjete prioteknike në drejtim të zyrtarëve policorë dhe institucionit të Kuvendit të Kosovës.

Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestës ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i sulmoi para grave e fëmijëve dhe iku.

“Ai Xhelali që sot rri ulur në kollutukun që u ngrit mbi gjakun e dëshmorëve, sot na ra, na gjuajti para fëmijëve tanë, para grave tona, para nënave tona e iku me bisht nën shalë. Ashtu siç është si qyqar. Po vazhdojnë të na gjuajnë, e ne do të vazhdojmë të rezistojmë, s’do të ndalemi”, ka thënë Haziri para protestuesve.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka thënë se përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme që u ka bërë protestuesve që të respektohet ligji e të protestohet në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve nga Kuvendi i Kosovës dhe për ta vënë situatën nën kontroll.

Policia ka thënë se janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.

Deputetët e Vetëvendosjes dalin nga objekti i Kuvendit
3 o. më parë / 5 tet 2026 19:25
VV
Photo: Kosova Press

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalur nga objekti i Kuvendit të Kosovës, pasi Policia e Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit që kishin rrethuar objektin.

Pasi nuk është arritur dakordim mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës për t’u mbajtur një seancë tjetër, deputetët e VV-së janë larguar nga Kuvendi ndërsa ata të PDK-së vazhdojnë të qëndrojnë.

Nga PDK-ja kanë thënë se është kushtëzuar votimi në lexim të dytë i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara me votimin e presidentit.

Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.

PDK fton deputetët: Ejani të votohet Ligji sa s’është shpërbërë Kuvendi
4 o. më parë / 5 tet 2026 19:16
Arian Tahiri
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri në një konferencë për media me nënkryetaren e Kuvendit, Vlora Çitaku ka ftuar deputetët që të vijnë dhe të votojnë ndryshimet në Ligjin për Specialen edhe në lexim të dytë në orët sa kanë mbetur para se të shpërbëhet kjo legjislaturë.

Ai ka thënë se është obligim dhe përgjegjësi e çdo force politike të votohen ndryshimet e këtij Ligji.

“Është obligim dhe përgjegjësi kombëtare e secilës forcë politike dhe secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, të vijë në Kuvend në këto orë sa kanë mbetur para se të shpërbëhet Kuvendi dhe të miratohet Ligji për Specialen edhe në lexim të dytë”, ka thënë Tahiri.

Edhe Çitaku ka thënë se po kërkojnë që Ligji të miratohet pa asnjë kusht. Sipas Çitakut, në takim votimi i këtij Ligji është kushtëzuar me votimin e presidentit nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne kërkojmë që Ligji të miratohet pa asnjë kusht. Janë procese të ndara. Si mund të kushtëzosh mbrojtjen e UÇK-së. Është papërgjegjësi politike, historike e kombëtare. Kemi edhe pak orë kohë. Do të jemi këtu. Nuk lëvizim. Shpresojmë të ketë reflektim edhe nga subjektet tjera politike, përkatësisht nga Albin Kurti e Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Çitaku.

Ka dështuar të arrihet një marrëveshje mes PDK-së dhe Vetëvendosjes për të votuar në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Deputetët të Vetëvendosjes janë parë duke dal prej objektit nga dalja nga Qeveria. Ndërsa policia ka hedhur gaz lotsjellës në atë dalje.

Sipas PDK-së takimi ka dështuar pasi kryeministri Albin Kurti ka kushtëzuar votimin e ndryshimeve të Ligjit në lexim të dytë, me zgjedhjen e presidentit.

Protestues janë mbledhur rreth Kuvendit duke mos lejuar deputetët të largohen.

Gashi jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në LDK, shkak mosvotimi për Specialen
4 o. më parë / 5 tet 2026 19:04
Xhafer Gashi
Xhafer Gashi ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Lidhjen Demokratike të Kosovës pasi kjo parti gjatë ditës së sotme nuk i votoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Gashi ka thënë se nuk mund t’i mbaj këto pozita kur qëndrimi për këtë çështje bie ndesh me përgjegjësinë që ndjen ndaj njerëzve që përfaqëson.

Ai ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga pozitat si: Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, Anëtar i Kryesisë dhe kryetar i degës së LDK-së në Obiliq.

“Sot duhet ta vendosim atdheun përpara vetes dhe interesave të ngushta partiake. Nuk mund t’i mbaj pozitat e mia në parti kur qëndrimi i saj për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen time dhe me përgjegjësinë që ndiej ndaj njerëzve që përfaqësoj. Heshtja ime do të rëndonte më shumë se largimi. Prandaj, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e mia në Lidhjen Demokratike të Kosovës: Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm; Anëtar i Kryesisë; Kryetar i Degës së LDK-së në Obiliq”, ka thënë Gashi në njoftimin e tij në Facebook në lidhje me këtë çështje.

Policia hedh gaz lotsjellës
4 o. më parë / 5 tet 2026 18:48
gaz Lotsjells protesta
Photo: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka filluar të hedh gaz lotsjellës drejt protestuesve pasi të njëjtit kanë bllokuar hyrjet e Kuvendit të Kosovës, për të mos lejuar deputetët që dalin nga ky institucion.

Paraprakisht, Çlirim Haziri njëri nga organizatorët e protestave, ka thënë se zyrtarët policorë po i nënshtrohen Albin Kurtit. Ai ka përsëritur se deputetët do të dalin nga Kuvendi vetëm “mbi trupat e tyre”. Ndërkohë është shtuar numri i forcave të policisë.

Protesta po vazhdon me thirrjet që të votohen ndryshimet në Ligjin për Specialen, derisa është parë shtimi i forcave policore.

Policia ka hedhur lotsjellës nga, përfshirë nga hyrja në drejtim të rrugës “Agim Ramadani” në tentim për ta liruar rrugën për largimin e deputetëve. Protestuesit kanë vazhduar hedhjen e mjeteve piroteknike. Ata kanë vendosur rrethoja të hekurit nga ajo rrugë. Janë djegur edhe shportat e bërrlokut të cilat janë vendosur në rrugë. Në vendin e ngjarjes është parë edhe autoambulanca.

Gjatë ditës protestuesit kanë hedhur edhe mjete piroteknike drejt Kuvendit me ç’rast kanë thyer xhamat. Protestuesit me dhunë kanë kapur edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi dhe e kanë kthyer drejt Kuvendit.

Gjithashtu dhunshëm e kanë kapur edhe ish-zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi drejt Qeverisë së Kosovës. Ai më pas, bashkë më zyrtarët policorë që po e mbronin u sulmua edhe me ujë nga protestuesit.

LDK reagon pasi deputetët e saj u vendosën në një rresht me at të Listës Serbe: Përpjekje e ulët për linçim publik e kërcënim politik
4 o. më parë / 5 tet 2026 18:40
ldk selia logo
Photo: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi deputetët e kësaj partie janë vendosur nga protestuesit para Kuvendit në një listë me deputetët e Listës Serbe të cilët s’e kanë votuar në lexim të parë plotësim/ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

LDK-ja ka thënë se kjo është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik.

“Vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit tonë parimor, logjik e shtetar, është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik. Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla. Qëndrimi ynë buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës. Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike. Çështje kaq të ndjeshme kërkojnë seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët tanë”, thuhet në reagim të LDK-së.

LDK-ja ka thënë se askush s’mund t’i caktojë qëndrim me shantazh dhe t’ia marrë identitetin me kërcënim.

“Po aq qartë, LDK nuk e braktis identitetin e vet ekzistencial. Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi. Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi. Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi. LDK-së nuk i caktohet qëndrimi me shantazh. Dhe nuk i merret identiteti me kërcënim. U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre të tregojnë përgjegjësi dhe të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e përkrahësit e tyre. Të ndalin gjuhën e linçimit dhe të mos e kthejnë këtë çështje në betejë kundër njëri-tjetrit. Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë”, thuhet në reagim.

Deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votimin në parim të ndryshimit të Ligjit për Specialen.
Jehona Lushaku – Sadriu, deputete e LDK-së, në seancën e Kuvendit ka thënë se lufta e UÇK-së është e shenjtë, por ka thënë se nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme.

Ka thënë se asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive e as ta zhbëjë karakterin çlirimtar të kësaj lufte.

Ajo ka deklaruar se nuk mund të premtojnë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike.

“Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon detyrimet dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën. Vet miratimit i këtyre ndryshimeve nuk garanton zbatimin e tyre e as rezultatin që u premtohet qytetarëve sot. Ndryshimet e miratuara nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit kushtetues’, ka thënë ajo.

Ka thënë se për LDK-në rruga e vetme për të ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore, rruga e Apelit.

Haziri i drejtohet zyrtarëve policorë: Po i nënshtroheni Albin Kurtit
4 o. më parë / 5 tet 2026 18:38
Çlirim Haziri
Çlirim Haziri njëri nga organizatorët e protestës, ka thënë nga protesta para Kuvendit të Kosovës se zyrtarët policorë po i nënshtrohen Albin Kurtit.

“Kur kemi qenë ne shumë e këta pak i kemi ruajtur sytë. E sot këta, i nënshtrohen urdhërave të Albin Kurtit dhe Qeverisë që nuk e kalon Ligjin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kemi me i shiku në sy secilin prej këtyre si do të sillen me neve kur këta janë shumë e na jemi pak. Nuk do të lëvizim nga këtu”, ka thënë Haziri para masës duke iu drejtuar zyrtarëve të Policisë së Kosovës që po qëndrojnë para Kuvendit të Kosovës.

Ai ka përsëritur se deputetët do të dalin nga Kuvendi vetëm “mbi trupat e tyre”.

Protesta po vazhdon me thirrjet që të votohen ndryshimet në Ligjin për Specialen, derisa është parë shtimi i forcave policore.

Gruda për fjalimin e Kurtit: Veç sa s’i bëri thirrje Hagës të mos e zbatojë ligjin nëse miratohet
4 o. më parë / 5 tet 2026 18:22
perparim gruda
Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një postim në Facebook ka thënë se fjalimi i kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Specialen, ishte “dorëzim para përgjegjësisë që ka”.

Gruda në postim në Facebook tha se ai fjalim ishte sabotim i ligjit, pavarësisht se në fund Kurti dhe deputetët e Vetëvendosjes e miratuan në lexim të parë.

“Fjalimi i Albin Kurtit në Kuvend për Ligjin për Gjykatën Speciale ishte dorëzim para përgjegjësisë që ka. Ishte, në thelb, sabotim i ligjit, pavarësisht se në fund e votoi. Njeriu që për gjashtë vite të procesit gjyqësor në Hagë nuk ka ndërmarrë asnjë hap, sot fliste për strategji dhe për atë se si ky ligj nuk qenka i duhuri. Madje, me argumentet që përdori kundër tij, veç sa nuk i bëri thirrje Hagës që të mos e zbatojë ligjin nëse miratohet”, ka shkruar Gruda.

Gruda pati një fjalosje me Kurtin gjatë seancës.

E deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Kurti po thotë “votoma presidentin, ta votoj ligjin”.

“’Votoma Presidentin, ta votoj ligjin’, a ka shprehje ma të qartë të pazarit me kauzën e çlirimtarëve? Po thoni se UÇK-ja është e të gjithëve. Atëherë pse vota juaj për ligjin varet prej asaj çka merrni për vete? Nëse UÇK-ja është e të gjithëve, edhe përgjegjësia është e të gjithëve. Votojeni ligjin pa ia vu çmimin!” – ka shkruar Deliu-Kodra.

Kurti u takua me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Takimi zgjati afro dy orë. Pas takimit është mbledhur Grupi Parlamentar i PDK-së.

MASH-i thotë se ka pranuar dëshmi se u ftuan në mënyrë obligative maturantët në protestë
5 o. më parë / 5 tet 2026 18:15
Ministria e Arsimit
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka thënë se ka pranuar dëshmi se në grupe të prindërve në rrjete sociale kanë qarkulluar njoftime për pjesëmarrjen e obligueshme të maturantëve në protestën e sotme para institucioneve të Kosovës, ku po kërkohet të votohen ndryshimet në Ligjin për Specialen.

Ministria u ka bërë thirrje drejtorive komunale të arsimit e Inspektoratit Qendror të Arsimit, që të ndërmerren masa e të monitorohet çdo ankesë e presion ndaj nxënësve.

“Orari mësimor duhet të respektohet dhe nxënësit nuk duhet të organizohen apo largohen nga procesi mësimor për asnjë qëllim. Ministria u bën thirrje drejtorive komunale të arsimit dhe institucioneve edukativo-arsimore që të ndërmarrin masat e nevojshme për respektimin e këtyre kërkesave. Inspektorati Qendror i Arsimit, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, do të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave dhe do të trajtojë çdo informacion apo ankesë lidhur me detyrimin, presionin ndaj nxënësve apo pengimin e zhvillimit të rregullt të procesit mësimor”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Përfundon takimi Kurti-Hamza, mblidhet grupi parlamentar i PDK-së
5 o. më parë / 5 tet 2026 17:44
Bedri Hamza Albin Kurti
KOHA/Ilustrim

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Siç bëhet e ditur për KOHËN, pas takimit është parë të mblidhet grupi parlamentar i PDK-së.

Ende nuk ka deklarime për media.

KDI: Presioni politik nuk mund të shndërrohet në presion fizik
5 o. më parë / 5 tet 2026 17:40
KDI
Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar duke thënë se pengimi fizik i deputetëve që të hyjnë apo të largohen nga Kuvendi, si dhe kërcënimi e përdorimi i dhunës ndaj tyre, është presion mbi institucionin dhe mbi ushtrimin e lirë të mandatit. KDI-ja thotë se artikulimi i kërkesave përmes protestave është bazamenti i demokracisë, por ata nuk duhet pengohen.

“Asnjë protestues apo organizatë nuk mund të vendosë përmes bllokimit fizik se kush hyn, kush del apo si duhet të votojë një deputet. Deputetët kanë të drejtë të votojnë, të mos votojnë dhe të mbajnë përgjegjësi politike për vendimet e tyre. Protesta duhet të mbetet protestë, ndërsa presioni politik nuk mund të shndërrohet në presion fizik”, thuhet në reagim.

Instituti Demokratik i Kosovës u ka bërë thirrje krerëve të subjekteve politike që të dalin para protestuesve, të flasin drejtpërdrejt me ta dhe ta marrin përgjegjësinë për qëndrimet e tyre.

Manxhuka: Ndërgjegja jonë është e pastër, e ju goditni deputetët e LVV-së e vëllezërit e dëshmorëve
5 o. më parë / 5 tet 2026 17:34
arlind manxhuka
Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka ka reaguar pasi protestuesit kapën dhunshëm deputetin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi dhe e drejtuan drejt hapësirës së Kuvendit të Kosovës.

Manxhuka ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithmonë ballëhapur, duke iu referuar kundërshtisë që nga viti 2015 për Gjykatën Speciale, derisa ka vazhduar me “e ju goditni deputetët e LVV-së, ushtarët e UÇK-së e vëllezërit e dëshmorëve”.

Manxhuka është shprehur se ndërgjegja e tyre politike është e pastër si loti.

“Ballhapur përpara secilës temë. Edhe karshi Gjykatës Speciale. Protestuam me kohë, ngritëm alarmin kur duhej, treguam me vakt. Sot, sërish ballhapur, votuam PËR në propozimin e atyre që më 2015 nuk na dëgjuan. E ju goditni! Goditni deputetët e LVV-së, ushtarët e UÇK-së, të burgosurit politik, vëllezërit e dëshmorëve. Ndërgjegja jonë politike është e pastër. Si loti”, ka shkruar Manxhuka.

Deputeti Rexhepi teksa po dilte nga hapësira e Kuvendit të Kosovës, u kap dhunshëm nga protestuesit për ta kthyer brenda.

Rexhepi ka një vëlla dëshmor i cili ka qenë pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramdani”, Njazi Rexhepi i rënë në Betejën e Koshares. Vëllai tjetër, Jonuz Rexhepi është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndaj sulmit ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Ajo e ka quajtur të papranueshme dhe turpshme sjelljen ndaj deputetit Fahrush Rexhepi.

“Pamjet ku protestuesit e kapin për duarsh dhe e shtyjnë me forcë një deputet të Republikës së Kosovës nuk kanë asgjë të përbashkët me të drejtën demokratike për protestë. Protesta është e drejtë, kritika është e drejtë, kërkesa për llogaridhënie është e drejtë, por askush nuk ka të drejtë të përdorë forcën fizike ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të qytetarëve. Dhe ironia bëhet edhe më e rëndë kur viktimë e kësaj sjelljeje është Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, profesor universitar dhe doktor i shkencave të historisë, sot deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Një njeri që vjen nga një familje e cila lirisë së Kosovës i ka dhënë shumë. Vëllai i tij, Njazi Rexhepi, është Dëshmor i Kombit, pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, i rënë në Betejën e Koshares. Vëllai tjetër, Jonuz Rexhepi, është veteran i luftës dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ajo ka thënë se askush s’ka të drejtë të ushtrojë dhunë duke u thirrur në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Prandaj, para se dikush ta kapë për krahu, ta shtyjë apo të tentojë ta poshtërojë publikisht Fahrush Rexhepin, le ta dijë mirë se kë ka përballë dhe nga çfarë familjeje vjen. Askush nuk fiton të drejtën të ushtrojë dhunë duke u thirrur në emër të UÇK-së, aq më pak ndaj një njeriu, familja e të cilit ka paguar me gjak çmimin e lirisë së Kosovës. Liria për të cilën ranë dëshmorët nuk u fitua që sot, në emër të saj, të kapen me forcë deputetët e Republikës. Kjo nuk është mbrojtje e vlerave të luftës. Kjo është cenim i tyre”, ka shkruar Nagavci.

Aleanca bën thirrje që të votohet ndryshimi i Ligjit për Speciale edhe në lexim të dytë
5 o. më parë / 5 tet 2026 17:35
Besnik Tahiri
Besnik Tahiri (Foto: KOHA)

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, u ka bërë thirrje deputetëve që të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë edhe në lexim të dytë plotësim/ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Tahiri në prononcim për media nga holli i Kuvendit ka thënë se Aleanca është e shqetësuar për situatën që po ndodh në Kuvend dhe rreth tij.

“Çka po presin. Çka është duke pritur shumica, Vetëvendosja. Çfarë po pres. Pse nuk e sjellin Ligjin. Çfarë duhet të ndodhë më shumë, e shini çka po ndodh rreth Kuvendit. Kaloi Ligji në lexim të parë me miratimin dhe mbështetjen e Vetëvendosjes, sponsorizimin e PDK-së dhe mbështetjen të AAK-së dhe pakicave. Çfarë po presin. A po presin me ndodh ndonjë incident më i madh apo çka? AAK-ja fton urgjentisht Vetëvendosjen dhe të gjithë deputetët e Kuvendit të kthehen në sallë e ta sjellin Ligjin në lexim të dytë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se s’ka asnjë arsye për të mos kaluar ndryshimet edhe në lexim të dytë.

Çlirim Haziri fton qytetarët para Kuvendit: Sot s’ka vend për heshtje
5 o. më parë / 5 tet 2026 17:25
Çlirim Haziri
Photo: Driton Paçarada

Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestave kundër vendimit të Speciales ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen para hyrjeve të Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit kanë rrethuar Kuvendin dhe nuk po i lejojnë deputetët të dalin pa u votua edhe në lexim të dytë plotësim/ndryshimi i Ligjit për Specialen.

“THIRRJE GJITHËPOPULLORE! EJANI TË GJITHË TE KUVENDI I KOSOVËS! UÇK-ja ka nevojë për ne. TANI! Sot nuk ka vend për heshtje. Sot duhet të jemi të gjithë bashkë. TË GJITHË NË SHESH! O SOT, O KURRË! Për UÇK-në. Për drejtësi. EJANI TANI!” – ka shkruar në Facebook, Çlirim Haziri, që është i biri i heroit Xhavit Haziri.

E në një prononcim për media Haziri ka thënë se asnjë deputet s’mund të largohet nga Kuvendi pa u votuar edhe në lexim të dytë ndryshimi i Ligjit për Specialen.

“S’do të ketë mundësi asnjë deputet, i asnjë partie, të dalë nga kjo sallë e Kuvendit pa shkelur mbi trupat tonë. Do të shtrihemi në tokë, le të na shkelin ne e të vazhdojnë te familjet e tyre”, tha Haziri.

Protestuesit kthyen dhunshëm në Kuvend deputetin e Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, ndërsa e tërhoqën edhe ish-zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Nis takimi Kurti-Hamza
6 o. më parë / 5 tet 2026 16:43
Hamza e Kurti
Photo: Driton Paçarada

Ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Burime të KOHËS bëjnë të ditur se ata aktualisht janë në takim.

Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvend ka thënë se sot gjatë ditës do të takohet sërish me kryetarin e PDK-së Bedri Hamza.

Nga PDK-ja që e ka iniciuar nismën për ndryshim të Ligjit, kanë thënë se presin që ai të miratohet të sot në të dyja leximet.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se pas miratimit të projektligjit, partia e tij është e gatshme për marrëveshje me Vetëvendosjen për zgjedhjen e presidentit, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja.

Afati i fundit për zgjedhje të presidentit është 6 tetori.

Deputeti i LVV-së dhe Bislimi kthehen dhunshëm brenda hapësirës së institucioneve të Kosovës
6 o. më parë / 5 tet 2026 16:39
Fahrush Rexhepi
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fahrush Rexhepi është kthyer dhunshëm brenda hapësirës së Kuvendit të Kosovës nga protestuesit pasi i njëjti po largohej nga ky institucion.

Në një moment protestuesit e kanë kapur fizikisht dhe e kanë hedhur përtej rrethojave të Policisë së Kosovës.

As Besnik Bislimi që u emërua në krye të Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike, nga kryeministri Albin Kurti, nuk është lejuar prej protestuesve që të largohet nga Qeveria e Kosovës. Ai është kthyer me përcjelljen e Policisë së Kosovës pasi u kap për krahu nga disa protestues.

Edhe Bislimi edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës u sulmuan me ujë më pastaj nga protestuesit.

Çitaku: I ftojmë të gjithë deputetët të kthehen në sallë dhe ta votojnë Ligjin për Specialen
6 o. më parë / 5 tet 2026 16:35
vlora citaku
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se si parti do të qëndrojnë në sallën plenare, ndërsa u ka bërë thirrje partive të tjera politike që të marrin pjesë në seancë, në mënyrë që plotësim/ndryshimi i Ligjit për Specialen të votohet në lexim të dytë, raporton Ekonomia Online.

Ajo pas seancës së jashtëzakonshme plenare tha se çështja e presidentit është e ndarë nga ajo prej Speciales.

“I ftojmë të gjithë deputetët të kthehen në sallë dhe të votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë të ndara. Votimi i ligjit është detyrim jo vetëm politik, por edhe kombëtar. Çështja e presidentit është çështje e marrëveshjes, janë totalisht të ndara”, tha ajo.

Deputetët e PDK-së dhe AAK-së po qëndrojnë në sallë edhe pas përfundimit të seancës.

Protestuesit lejojnë të largohet stafi civil, por jo deputetët
6 o. më parë / 5 tet 2026 16:18
Stafi civil
Photo: Driton Paçarada

Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ndërkohë stafi civil i këtyre institucioneve kanë dalë nga objektet me përcjellje dhe në mënyrë të organizuar.

Deputetët nuk janë lejuar nga protestuesit që të dalin nga Kuvendi i Kosovës, ndërkohë po vazhdojnë të qëndrojnë në seancë.

Protesta ka nisur në mëngjesin e sotëm me kërkesën që të kalojë në dy lexime plotësim-ndryshimi i Ligjit për Specialen.

Protesta nuk ka qenë aq e qetë sa në ditët e kaluara, meqë kanë kaluar disa orë prej kur kanë filluar përdorimin e këtyre fishekzjarrëve.

Organizatorët kanë kërkuar që protesta të vazhdojë e qetë por xhamat e Kuvendit të Kosovës janë thyer nga disa protestues.

Policia: Një protestues është shoqëruar për hedhje të mjeteve piroteknike
7 o. më parë / 5 tet 2026 15:40
protesta
Photo: Driton Paçarada

Protesta e qytetarëve ka vazhduar edhe sot pranë objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku protestuesit kanë shprehur pakënaqësitë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe kanë pritur votimin e plotësim-ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, sipas detyrës zyrtare, ka vazhduar me masat dhe planifikimet e nevojshme për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e protestës.

Sipas Policisë, protestuesit kanë qëndruar përreth objektit të Kuvendit, ndërsa persona të caktuar kanë tentuar kohë pas kohe të futen brenda rrethojave të Kuvendit dhe kanë hedhur mjete të ndryshme, përfshirë mjete piroteknike, në drejtim të objekteve shtetërore.

Policia ka bërë të ditur se vazhdimisht u ka kërkuar protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin mjete piroteknike apo gjësende të tjera.

“Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të protestohet në mënyrë të qetë, Policia e Kosovës është detyruar të marrë masa ndaj një protestuesi, i cili dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, personi është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se njeh të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë në mënyrë të qetë dhe demokratike.

Njëkohësisht, Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet në fuqi.

Tahiri: Ta thërrasim mendjen e përgjegjësinë për Ligjin për Specialen
9 o. më parë / 5 tet 2026 14:11
Besnik Tahiri
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar kompromis në Kuvend pas largimit të deputetëve të PDK-së nga salla, pasi nuk u hodh në votim mocioni për votimin e Ligjit për Specialen sot në orën 17:30.

Tahiri tha se Aleanca po e përcjell me shqetësim situatën si brenda Kuvendit, ashtu edhe jashtë tij, duke theksuar se ekziston vullneti politik për miratimin e ligjit në dy lexime.

“Ajo që ne dëgjuam nga të gjithë akterët, edhe nga LVV-ja edhe nga PDK-ja, nga Aleanca e nga vetë kryeministri është që ka një zotim për të miratuar këtë ligj në dy lexime”, tha Tahiri.

Ai kërkoi nga deputetët që të tregojnë përgjegjësi dhe të gjejnë kompromis për ta kaluar ligjin, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet më tej.

“Pak ta thërrisni mendjen e përgjegjësinë, kompromisin në mënyrë që ta kalojmë”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij, procedura për miratimin e ligjit mund të përfundojë shpejt, ndërsa më pas Kuvendi do të ketë kohë për të diskutuar edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Ta tejkalojmë këtë në mënyrë që ta kryejmë, është proces shumë i shkurtër, të vazhdojmë me këto pika dhe më pas kemi edhe 24 orë për të diskutuar çështjen e presidentit”, deklaroi Tahiri.

PDK-ja lëshon sallën pasi s’hidhet në votim mocioni për votim të Ligjit për Specialen, kthehen sërish
9 o. më parë / 5 tet 2026 14:06
kuvend
Deputetët e PDK-së e kanë lëshuar sallën ku po i zhvillon punimet seanca plenare, pasi që nuk është hedhur në votim mocioni procedural me të cilin kërkohej që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen të votohej sot në orën 17:30.

Por pastaj janë kthyer sërish në sallën plenare.

Mocioni është paraqitur nga shefi i Grupit, deputeti Arian Tahiri.

Por ai është kundërshtuar nga kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu e cila i ka kërkuar Tahirit ta tërheqë mocionin.

Haxhiu ka thënë se dakordimi ishte që, pas takimit mes kryetarëve të PDK-së dhe LVV-së, mund të arrihej dakordim për çështjen në fjalë.

Ajo ka thënë se nuk e kupton sesi PDK-ja e ndryshoi qëndrimin për pak kohë.

Haxhiu ka shtuar se tash nuk ka çështje më të rëndësishme se sa ajo për presidentin.

Haxhiu: Nuk e kuptoj pse PDK-ja e ndryshoi qëndrimin, duhet të gjejmë zgjidhje për presidentin
9 o. më parë / 5 tet 2026 14:01
haxhiu
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga Tahiri ta tërheqë mocionin.

Ka thënë se dakordimi ishte që, pas takimit mes kryetarëve të PDK-së dhe LVV-së, mund të arrihej dakordim për çështjen në fjalë.

Ajo ka thënë se nuk e kupton sesi PDK-ja e ndryshoi qëndrimin për pak kohë.

Ka shtuar se tash nuk ka çështje më të rëndësishme se sa ajo për presidentin.

“Si ka mundësi që, pa kaluar pak kohë, dilni dhe e ndryshoni qëndrimin? Nuk ju kuptoj. Është e rëndësishme t’i japim vendit president. Sot ju ftoj të takoheni, të merreni vesh. Nuk ka më të rëndësishme se presidenti. Nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje për shkak të presidentit. Ju lutem që të veproni me përgjegjësi. Po ju kërkoj, me respektin më të madh, të takoheni. Jam shumë optimiste që mund ta gjejmë një zgjidhje. Nuk është e drejtë të luani me ndjenjat e protestuesve dhe nuk kemi nevojë për mocione të tilla. Silluni me përgjegjësinë më të lartë. UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja, ajo është e popullit të Kosovës. Nuk keni nevojë të keni pronësinë mbi UÇK-në”, ka thënë ajo.

PDK-ja kërkon që ndryshimi i Ligjit për Specialen të votohet në lexim të dytë sot në orën 17:30
9 o. më parë / 5 tet 2026 13:53
arian tahiri
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që procedura për miratim të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen të përfundojnë sot brenda ditës.

Tahiri ka propozuar që Projektligji bashkë me amendamentet të votohet nëpër komisione deri në orën 17:30, e pastaj të votohet edhe në seancë në lexim të dytë në Kuvend.

“Propozoj që amendamentet në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të mund t’i adresohen Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30. Komisioni Funksional, deri në orën 15:30, duhet ta shqyrtojë projektligjin në fjalë. Komisioni Funksional, deri në orën 17:00, pra sot, duhet t’ia paraqesë Kuvendit raportin me rekomandimet për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për shqyrtimin e dytë në seancën plenare. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar do të bëhet në seancën plenare sot, më 5 tetor 2026, në orën 17:30”, ka theksuar Tahiri.

Deputetët e PDK-së rikthehen në sallën e Kuvendit
9 o. më parë / 5 tet 2026 13:48
dpk
Deputetët e PDK-së janë rikthyer në sallën e Kuvendit.

Të pranishëm janë edhe deputetë të LVV-së, LDK-së e Aleancës.

Kryetari i PDPK-së, Bedri Hamza ishte larguar pas votimit të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili u miratua në lexim të parë. PDK-ja i ka thënë më herët KOHËS se një takim mes Kurtit e Hamzës ishte planifikuar të mbahej nga ora 12:30 porse një i tillë nuk është zhvilluar pasi Kurti ka qëndruar nga fillimi në seancë.

Takimin me Hamzën, Kurti e ka paralajmëruar sot gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Nrecaj: Pa dekret të Presidentit, ndryshimi i Ligjit për Specialen s’mund të hyjë në fuqi
9 o. më parë / 5 tet 2026 13:31
Anton Nrecaj
Juristi Anton Nrecaj ka thënë se edhe nëse Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara miratohet në Kuvend, ai nuk mund të hyjë në fuqi pa dekretimin nga Presidenti.

Sipas tij, mungesa e një presidenti të zgjedhur do të krijonte pengesë ligjore për zbatimin e tij.

Nrecaj ka shpjeguar se një nga ndryshimet kryesore të propozuara është kufizimi i juridiksionit të Dhomave të Specializuara, në mënyrë që rastet që konsiderohen jashtë këtij juridiksioni të trajtohen nga gjykatat vendore të Kosovës.

Po ashtu, sipas tij, ndryshimet parashohin edhe kufizimin e dënimit maksimal me burgim nga 25 në 15 vjet.

Megjithatë, Nrecaj ka theksuar se miratimi i ligjit në Kuvend nuk është hapi përfundimtar.

“Të gjitha këto, në rast se kalon Ligji në Kuvend, partitë politike duhet të kenë qasje shumë serioze, e jo sa për t’u thënë qytetarëve që ne kaluam ligjin dhe fajin t’ua hedhin dikujt tjetër, sepse ky ligj nuk mund të hyjë në fuqi pa dekret të Presidentit”, ka thënë Nrecaj.

Sipas tij, pas miratimit në Kuvend, ligji duhet të kalojë edhe në filtrat e Zyrës së Presidentit, ndërsa nëse vlerësohet se ndonjë dispozitë është në kundërshtim me Kushtetutën, ajo mund të kthehet në Kuvend.

“Deri te ardhja e dekretit, i njëjti ligj duhet të kalojë në filtrat e Zyrës së Presidentit dhe në rast se zyra ligjore konsideron se një dispozitë ligjore bie ndesh me Kushtetutën, mund ta kthejë në Kuvend”, është shprehur ai.

Nrecaj ka shtuar se nëse nuk zgjidhet presidenti, miratimi i ligjit mund të shërbejë vetëm për qetësimin e situatës politike dhe të protestuesve që kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Specialen.

“Nëse deri nesër nuk do të kemi president, kjo është vetëm një farsë politike për t’i qetësuar gjakrat e nxehta të shumë qytetarëve, të cilët me të drejtë kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së”, ka deklaruar ai.

Në PDK thanë që Kurti e Hamza takohen në 12:30, por kryeministri ende ndodhet në seancë
10 o. më parë / 5 tet 2026 12:51
Nga: Rrezon Gashi
Hamza e Kurti
Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvend ka thënë se sot gjatë ditës do të takohet sërish me kryetarin e PDK-së Bedri Hmaza.

Ndonëse në PDK-ja KOHËS i kanë thënë që takimi do të zhvillohet rreth orës 12:30, Kurti ende ndodhet në sallën e seancave plenare, ku po i vazhdon punimet Kuvendi.

Deputetët e PDK-së e kanë lëshuar seancën rreth orës 12:15 dhe tek po dilnin u pa një diskutim me tone konfrontuese mes deputetit Përparim Gruda dhe Kurtit.

Musmurati: Deputetët s’po lejohen të dalin nga Kuvendi, presim votimin e Projektligjit në lexim të dytë
10 o. më parë / 5 tet 2026 12:35
Besianë Musmurati
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se protestuesit po qëndrojnë pranë të gjitha hyrjeve dhe daljeve të Kuvendit, duke mos lejuar deputetët të largohen nga objekti.

Ajo ka kërkuar që Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të votohet sa më shpejt edhe në lexim të dytë.

Në një prononcim për KTV-në nga protesta që po mbahet jashtë hapësirave të Kuvendit, Musmurati u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës në sheshin “Skënderbeu”, duke theksuar se procesi nuk ka përfunduar me miratimin e projektligjit në lexim të parë.

“Ju i shihni tanimë se në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kuvendit ka qytetarë që po rrinë afër dhe nuk po i lejojnë deputetët të dalin jashtë, sepse dëshirojmë që ligji të kalojë edhe në lexim të dytë…Ende nuk ka përfunduar asgjë. Ka përfunduar vetëm leximi i parë dhe ne nuk do të zmbrapsemi derisa të votohet edhe në leximin e dytë”, u shpreh ajo.

Sipas Musmuratit, kërkesat e protestuesve kanë qenë të njëjta që nga fillimi: miratimi i ligjit dhe sigurimi i fondeve.

Ajo tha se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e këtyre kërkesave.

Musmurati gjithashtu tha se organizatorët kanë bërë vazhdimisht thirrje për qetësi dhe theksoi se protestuesit nuk kanë qëndrim kundër Policisë së Kosovës.

Një dritare e Kuvendit thyhet nga fishekzjarrët e hedhur nga protestuesit
11 o. më parë / 5 tet 2026 12:04
Nga: Valbona Bytyqi
Fishekzjarrët
Seanca plenare në të cilën u votua Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe që po vazhdon me pikat tjera të rendit të ditës, po mbahet nën zhurmën e mjeteve piroteknike që po hedhen nga protestuesit në oborrin e Kuvendit.

Protesta nuk ka qenë aq e qetë sa në ditët e kaluara, meqë kanë kaluar disa orë prej kur kanë filluar përdorimin e këtyre fishekzjarrëve.

Organizatorët kanë kërkuar që protesta të vazhdojë e qetë.

Zyrtarët e policisë kanë bërë thirrje që këto mjete të mos hidhen në objektin e Kuvendit, por thirrjet janë injoruar nga të rinjtë që po hedhin fishekzjarrë.

Ekipi i KOHËS në terren ka bërë të ditur se është thyer një dritare e katit të dytë të objektit të Kuvendit, e cila shfrytëzohet për të kaluar nëpër hapësira e Kuvendit.

Është bërë thirrje që të ketë kujdes në mënyrë që të mos lëndohet asnjë person.

Një reagim të tillë e ka nxitur ardhja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila është sharë dhe është hedhur me mjete piroteknike dhe është sharë derisa ka hyrë në Kuvend.

Fishekzjarrët po hedhen nga një grup prej katër-pesë personash.

Haxhiu u bën thirrje protestuesve për qetësi: UÇK-ja nuk mbrohet me dhunë
11 o. më parë / 5 tet 2026 12:12
Haxhiu- kuvend
Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje protestuesve ta ruajnë qetësinë.

Ajo ka thënë se e drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, por ka shtuar se UÇK-ja nuk mbrohet përmes dhunës.

“​Nga kjo foltore u bëj thirrje protestuesve ta ruajnë karakterin paqësor të protestës, sepse dhuna e dëmton kauzën që duam ta mbrojmë, atë të UÇK-së dhe atë të çlirimtarëve tanë. Kuvendi e miratoi në parim projektligjin, prandaj u bëj thirrje të gjithëve ta ruajnë qetësinë dhe protesta të vazhdojë në mënyrë paqësore. Edhe grupet parlamentare duhet të bëjnë thirrje të njëjtë. As UÇK-në e as çlirimtarët nuk mund t’i mbrojmë me dhunë. Vlerat e tyre nuk mbrohen me dhunë”, ka thënë ajo.

Mjete piroteknike janë hedhur në oborrin e Kuvendit të Kosovës nga disa protestues që janë duke qëndruar para këtij institucioni.

Kurti e Hamza takohen sot në orën 12:30 në Kuvend
11 o. më parë / 5 tet 2026 12:08
Kurti – Hamza
Fotot: Arkiv

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti do të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza sot në orën 12:30.

Takimin e ka paralajmëruar Kurti në fjalimin e tij në seancën ku deputetët e miratuan në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

Nga PDK-ja që e ka iniciuar nismën për ndryshim të Ligjit, kanë thënë se presin që ai të miratohet të hënën në të dyja leximet.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se pas miratimit të projektligjit, partia e tij është e gatshme për marrëveshje me Vetëvendosjen për zgjedhjen e presidentit, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja.

Afati i fundit për zgjedhje të presidentit është 6 tetori.

Ndërkohë Kurti në fjalën e tij në Kuvend, të hënën ka theksuar nevojën për stabilitet institucional.

“Duhet ligj për Gjykatën në Hagë por edhe president për Kosovën. S’mund të bëhet njëra pa tjetrën. Na duhet një strategji serioze, por për ta zbatuar atë strategji na duhen institucione funksionale. Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional, rrezikon të përfundojë në dështim”, ka thënë Kurti.

Votohet në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen
12 o. më parë / 5 tet 2026 11:06
deputete
Është votuar me 91 vota për në lexim të parë Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen.

Në votim nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i LDK-së.

Deputeti Përparim Gruda ka paraqitur propozimet për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen.

Ndër të tjera ka deklaruar se procesi 6-vjeçar në Gjykatën Speciale ka vërtetuar përtej çdo dyshimi se nuk kishte trafikim të organeve, akuzë mbi të cilën u themelua Gjykata Speciale. Ai ka thënë se tashmë Kosovës i është vënë një re tjetër e zezë e të cilën Kuvendi nuk duhet ta lejojë.

Ka deklaruar se nuk prishin asnjë detyrim ndërkombëtar me këtë veprim.

“Jemi në rregull me të gjitha veprimet ndërkombëtare që ka ndërmarr Kosova dhe jemi në rregull me Kushtetutën”, ka thënë ai. Gruda ka bërë thirrje që të votohet në lexim të parë.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli ka rekomanduar që të miratohet në parim Projektligji në fjalë.

Të dielën nga PDK-ja që e ka iniciuar nismën për ndryshim të Ligjit, kanë thënë se presin që ai të miratohet të hënën në të dyja leximet.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se pas miratimit të projektligjit, partia e tij është e gatshme për marrëveshje me Vetëvendosjen për zgjedhjen e presidentit, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja.

Afati i fundit për zgjedhje të presidentit është 6 tetori.

Pas miratimit në parim Projektligjit duhet të shqyrtohet në katër komisionet e përhershme të Kuvendit, për t’u rikthyer në seancë për shqyrtim në lexim të dytë.

Haradinaj: AAK-ja e voton ndryshimin e Ligjit për Specialen, vendimet e saj janë ofendim për popullin
12 o. më parë / 5 tet 2026 11:01
Ramush Haradinaj
Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në seancën e Kuvendit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara se vendimet dënuese ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbëjnë, siç u shpreh ai, ofendim për popullin e Kosovës, institucionet dhe drejtësinë.

Ai ka thënë se Aleanca e mbështet këtë ndryshim të Ligjit, duke kërkuar që ai të procedohet me urgjencë dhe të miratohet në të dyja leximet brenda së njëjtës ditë.

“Ne jemi të ofenduar rëndë. Një vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së është ofendim për popullin e Kosovës, për gjakun tonë, për këtë Parlament e edhe për drejtësinë. Ligjin e sotëm Aleanca e voton dhe i kërkojmë këtij Parlamenti që me mocion ta vendosë në të dyja leximet dhe ta kryejmë sot”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, përgjigjja më e drejtë ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale do të ishte anulimi i saj.

“Nderi i shqiptarëve, i ynë, i këtij Kuvendi do të ishte një ligj me një nen dhe anulim i kësaj gjykate. Nuk jemi në faj me këtë ligj, është shumë pak dhe shumë vonë”, është shprehur ai.

Kurti: Ju mbështesim, por bashkë me votën duhet ta merrni edhe përgjegjësinë
12 o. më parë / 5 tet 2026 11:00
Albiin Kurti
Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se lufta e drejtë e popullit ishte luftë çlirimtare. UÇK-ja, sipas Kurtit, ishte shprehja më e lartë në histori që nga Lidhja e Prizrenit.

Ka thënë se lufta ishte përgjigje ndaj gjenocidit të kryer nga Serbia ndaj Kosovës.

Kurti, para deputetëve, ka thënë se për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq.

Ai ka deklaruar se lëvizjet për ndryshimin e ligjit janë të ngutshme dhe të paanalizuara mirë.

“Ka qenë një kohë e shkurtër për të analizuar ligjin, sidomos kur nuk e kemi aktgjykimin e prerë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Specialen janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar sa duhet. Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015. Atëherë nuk na keni dëgjuar, por sot do të duhej të na konsultoni. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan e jo ndaj atyre që e kundërshtuan”, ka thënë ai.

Ka thënë se s’do t’i pengojnë por bashkë me këtë votë duhet ta marrin edhe përgjegjësinë politike.

“Ne po ju themi se kjo çështje kërkon më shumë kohë dhe më shumë analizë. Ju po u thoni qytetarëve se e keni zgjidhjen. Ne nuk jemi të bindur se është kështu, por përsëri nuk do t’ju pengojmë. Duhet ta keni parasysh jo vetëm shkakun që ju shtyn të votoni sot, por edhe pasojat që mund t’i prodhojë ky votim nesër. Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie, por duhet të sigurohemi që, duke tentuar ta korrigjojmë një gabim, të mos e prodhojmë një tjetër. Megjithëkëto, ne s’po ju pengojmë. Por, bashkë me këtë votë, duhet ta merrni edhe përgjegjësinë politike”, është shprehur Kurti.

Ka shtuar se nuk janë të bindur për dobinë e këtij ligji.

“Duhet ligj për Gjykatën në Hagë por edhe president për Kosovën. S’mund të bëhet njëra pa tjetrën. Na duhet një strategji serioze, por për ta zbatuar atë strategji na duhen institucione funksionale. Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional, rrezikon të përfundojë në dështim”, ka thënë.

Ka falënderuar Hamzën për takimet, derisa ka paralajmëruar takim edhe sot.

LDK-ja s’e voton ndryshimin e Ligjit për Specialen
12 o. më parë / 5 tet 2026 10:50
ldk
Photo: Driton Paçarada

Jehona Lushaku – Sadriu, deputete e LDK-së, ka thënë se lufta e UÇK-së është e shenjtë, por ka thënë se nuk mudn të bëhet pjesë e kësaj nisme.

Ka thënë se asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive e as ta zhbëjë karakterin çlirimtar të kësaj lufte.

Ajo ka deklaruar se nuk mund të premtojnë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike.

“Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon detyrimet dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën. Vet miratimit i këtyre ndryshimeve nuk garanton zbatimin e tyre e as rezultatin që u premtohet qytetarëve sot. Ndryshimet e miratuara nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit kushtetues’, ka thënë ajo.

Ka thënë se për LDK-në rruga e vetme për të ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore, rruga e Apelit.

Protestuesit hedhin mjete piroteknike pranë Kuvendit gjatë seancës për Ligjin për Specialen
12 o. më parë / 5 tet 2026 10:41
Nga: Valbona Bytyqi dhe Rrezon Gashi
Petarda
Derisa po mbahet seanca plenare me pikë të parë të rendit të ditës plotësim-ndryshimin e Ligjit për Specialen, protestuesit pranë hapësirave të Kuvendit kanë nisur përdorimin e mjeteve piroteknike.

Ekipi i KOHËS në terren ka bërë të ditur se krismat e këtyre mjeteve nisën të ndihen më intensivisht gjatë fjalës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Hedhja e tyre nuk është ndalur as me të marrë fjalën deputeti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, parti që ka iniciuar ndryshimin e këtij ligji.

Hamza: Kjo çështje ka të bëjë me historinë dhe të ardhmen e vendit
12 o. më parë / 5 tet 2026 10:39
bedri hamza
Photo: Driton Paçarada

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se kjo çështje ka të bëjë me historinë e vendit dhe të ardhmen e tij.

Ka shtuar se kanë kërkuar e vazhdojnë të besojnë në drejtësi.

Gjykimin e Speciales e ka quajtur proces të rëndë për vendin.

“Janë krijuar dhe është amandamentuar Kushtetuta në bazë të raportit i cili ka bartur në vetvete akuza të tmerrshme. Jam

sqShqip