Bashkëkryetari i VLEN, Bilall Kasami, ishte sot në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski promovuan hyrjen në fuqi të sistemit hyrje-hyrje mes dy vendeve.
“Më pak kontrolle, më pak pritje, më shumë besim te njëri-tjetri!”, shkruan Kasami.
Ai bën të ditur se në Qafë Thanë dhe në katër vendkalime të tjera kufitare, qytetarët e dy vendeve do t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli.
“Shkurtojmë pritjet, lehtësojmë lidhjen mes dy shteteve tona dhe afrohemi me njëri-tjetrin si asnjëherë më parë”, thekson Kasami.
Sipas tij, ky ishte përcaktimi i VLEN-it, që me Shqipërinë dhe Kosovën të ketë afrim jo vetëm deklarativ, por edhe me masa konkrete.
“Ky ishte përcaktimi ynë si VLEN, që me Shqipërinë e Kosovën të afrohemi jo vetëm deklarativisht, por edhe me masa konkrete si One Stop Shop dhe me projekte infrastrukturore si dy autostradat strategjike që po i ndërtojmë”, shkruan ai.
Kasami e përmbylli statusin me urimin “Gëzuar Festat e Nëntorit!”

