Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe Ministër i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë sot në promovimin e sistemit One Stop Shop në pikën kufitare të Qafë Thanës, së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Sali theksoi se promovimi u bë në Ditën e 22 Nëntorit, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një datë që sipas tij mban në vete historinë, sakrificën dhe krenarinë kombëtare.
“Është simbolike që pikërisht në këtë ditë historike, kur kujtojmë ata që u bashkuan për t’i dhënë gjuhës shqipe alfabetin e saj të njësuar, ne bëjmë një hap konkret për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe për të afruar edhe më shumë njerëzit tanë”, shkruan Sali.
Ai thekson se 22 Nëntori kujton se bashkimi, gjuha dhe identiteti janë vlera që lidhin brezat, ndërsa projekte si One Stop Shop dëshmojnë se këto lidhje mund të kthehen në bashkëpunim konkret.
“Në më pak pritje, më pak burokraci dhe më shumë lehtësi për qytetarët”, shkruan Sali.
“Sepse historia na ka mësuar sa shumë kemi sakrifikuar për të qenë bashkë, ndërsa përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe mundësi më të mira për brezat që vijnë”, përfundon ai.

