Bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti, ishte sot në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku me kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Edi Rama, me Zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut dhe Ministrin e Çështjeve Evropiane Bekim Sali dhe me bashkëkryetarin e VLEN Bilall Kasami përuroi sistemin “One Stop Shop” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Mexhiti e lidhi këtë ditë me një ngjarje të 20 vjetëve më parë, kur ishte po në këtë vendkalim për ta sjellë në Shkup bustin e Skënderbeut.
“Atëherë, autoritetet nuk kishin dhënë leje që busti i Skënderbeut të hynte në vend. Na u desh të këmbëngulnim që ta sillnim përmes Qafë Thanës dhe ta vendosnim në Shkup, në sheshin që sot mban emrin e tij. Pra, ajo që atëherë dukej e pamundur, sot na duket krejt e natyrshme”, shkruan Mexhiti.
Sipas tij, në të njëjtin vend ku dikur duhej këmbëngulur që të kalonte busti, sot dy shtetet po zbatojnë një marrëveshje që ua lehtëson kalimin qytetarëve. Kontrollet kufitare do të kryhen në një vend të përbashkët, me një ndalesë të vetme.
“Atëherë na duhej të përballeshim me pengesa edhe për ta vendosur një figurë të historisë sonë në një shesh të Shkupit. Sot ulemi në të njëjtën tryezë, marrim vendime të përbashkëta dhe i zbatojmë në paqe, dhe me respekt për të drejtat e secilit”, thekson ai.
Mexhiti bën të ditur se, me VLEN-in në qeverisje, pas Kosovës ky model po shtrihet edhe me Shqipërinë. Zbatimi nis sot në Qafë Thanë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe vendkalimet Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht–Trebisht.
“Përgjegjësia jonë është ta çojmë deri në fund këtë punë, që qytetarët ta ndiejnë ndryshimin sa herë që kalojnë kufirin”, shkruan ai.
Mexhiti vuri në dukje edhe se sistemi po nis pikërisht më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit.
“Në Manastir, mbi një shekull më parë, shqiptarë nga vise të ndryshme u ulën bashkë dhe i dhanë shqipes një alfabet të përbashkët. Me të kemi mësuar të lexojmë e të shkruajmë në të dyja anët e këtij kufiri. Sot, po ua shkurtojmë pritjen në kufi njerëzve që e flasin atë gjuhë kur mbërrijnë te familja, te miqtë, te njerëzit e tyre. Për mua, kjo është mënyra më e mirë për ta shënuar këtë 22 Nëntor”, përfundon Mexhiti.

