Sot ka filluar edhe zyrtarisht hapja e rrugës Tetovë-Prizren. Kështu së paku bëhet me dije nga Tirana, kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Ai thotë se si komunë, por edhe si Vlen, për këtë rrugë do të vazhdojnë me intensitet të njëjtë deri në përfundimin e plotë dhe lidhjen me shtetin e Kosovës. Benefitit sipas Kasamit do të jenë të mëdha edhe në aspekt social, por edhe në aspekt ekonomik.

“Një lajm i madh për Tetovën! Sot kanë nisur punimet në terren për segmentin e rrugës Tetovë-Prizren që kalon mbi fshatin Shipkovicë. Kjo pjesë e korridorit Tetovë-Prizren është e rëndësishme sepse me këtë po nisin në terren punimet për realizimin e këtij projekti mbarëkombëtar. Besojmë që me projektimin edhe të tunelit, përfundimisht ëndrra e shqiptarëve për t’u lidhur përmes Sharrit po bëhet realitet”, tha Kasami.

Kryetari i bashkësisë lokale të Shipkovicës, Nexhazi Kadriu, në një prononcim për tv KOHA tha se ky lajm është pritur shumë mirë nga banorët e fshatit dhe se ka qenë një ëndërr e kahmoçme për t’u lidhur me Prizrenin. Ai thotë se me depërtimin e kësaj rrugë, dukshëm do të ulet ngarkesa brenda Shipkovicës nga ana e banorëve të fshatrave të tjerë të Malësisë që e frekuentojnë në përditshmëri.

Përndryshe, kjo rrugë ka qenë një premtim i shumë cikleve zgjedhore nga shumë parti politike. Shteti i Kosovës, nga ana tjetër, ka avancuar në hapjen e trasesë drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut.

" "
sqShqip