Ka vende ku historia kalon si një lumë dhe ka vende ku ajo mpikset në gjak. Srebrenica është njëri prej tyre.
Ajo nuk është vetëm një datë në kalendarin e tragjedive njerëzore. Është një plagë që i kujton botës se qytetërimi nuk është një gjendje e fituar përgjithmonë. Mjafton një çast kur urrejtja vishet me pushtet dhe heshtja me arsyetime, që errësira të rikthehet.
Varret e Srebrenicës nuk mbajnë vetëm eshtrat e mijëra njerëzve të pafajshëm. Ato mbajnë edhe peshën e ndërgjegjes së njerëzimit që pa, vonoi dhe nuk arriti ta ndalte tragjedinë.
Prandaj, Srebrenica nuk duhet kujtuar vetëm me lule e ceremoni. Ajo duhet kujtuar si një paralajmërim se harresa është aleatja më besnike e krimit, ndërsa kujtesa është forma më e lartë e drejtësisë që mund t’u ofrohet atyre që nuk patën mundësi të mbroheshin.
Lavdi viktimave të Srebrenicës. Kujtimi i tyre qoftë i përjetshëm. (Izet Mexhiti)

