Qindra qytetarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut e viset e tjera shqiptare ndodhen në Tiranë për të marrë pjesë në protestën gjithëkombëtare.
Protesta në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë zhvillohet me moton “Unë jam UÇK” .
Një ekip i Klan Kosovës ndodhet në kryeqytetin shqiptar dhe po i përcjell nga afër zhvillimet nga protesta.
Të gjitha zhvillimet rreth protestës mund t’i ndiqni edhe në mbulimin special të Klan Kosovës si dhe në portalin Klankosova.tv.
Me “Jam Kosova e Shqiptarisë” përfundon protesta në Tiranë
Ka përfunduar protesta në Tiranë që u mbajt pro ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale.
Në këtë protestë mori pjesë edhe djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili e falënderoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën për kontributin në organizimin e protestës.
Folës në këtë protestë ishte edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili shfaqi kritikat e tij ndaj Speciales, duke thënë se kjo gjykatë zanafillën e ka në raportimet trilluese ruso-serbe.
Ahmeti po ashtu kërkoi lirimin sa më të shpejtë të katërshes së UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Protesta përfundoi me interpretimin “Jam Kosova e Shqiptarisw” nga Arif Vladi.
Ahmeti: Zanafilla e Speciales në raportime trilluese ruso-serbe – lirimi i katërshes të vijë pa vonesa
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalën e tij në protestën që po mbahet pro UÇK-së në Tiranë ka thënë se duhet ngritur zëri për drejtësi, për respekt e për njohje të luftës së drejtë për pragun e shtëpisë, për liri e demokraci, për pavarësi dhe miqësi me Amerikën e Evropën.
Ahmeti tha se zanafilla e Gjykatës Speciale është në raportime trilluese ruso-serbe për trafikim organesh që sipas tij, bëri bujë padrejtësisht nëpër botë.
“Këtë çështje inekzistente që doli nga kuzhinat serbe me institucione ruse e hetoi edhe Tribunali i Hagës që konstatoi se nuk është e vërtetë dhe e mbylli hetimin. Kohë më pas, Dick Marty e riaktualizoi mediatikisht këtë temë përsëri me porosi ruso-serbe dhe inicioi miratimin e raportit në Këshillin e Evropës që detyroi themelimin e Gjykatës Speciale për të hetuar trafikimin e trilluar të organeve.
“Pra, kjo gjykatë u themelua që të zbardh pretendimet për trafikim organesh me mandat nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Kjo gjykatë u themelua nga vet Kosova me qëllim që t’ia pamundësoj Serbisë që përmes Rusisë ta themelojë atë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ta rikthej UNMIK-un ku Rusia ka të drejtë vetoje”, tha Ahmeti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai u shpreh se kur u hetua dhe u kuptua se çdo gjë ishte një tillim propagandues për ta nxirë imazhin e luftës për çlirim, Prokuroria nxitoi për ta përpiluar një aktakuzë mu në ditën kur duhej të nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë.
“Kur u hetua dhe u kuptua se çdo gjë ishte një trillim propagandues për ta nxirë imazhin e luftës tonë çlirimtare, prokuroria nxitoi dhe përpiloi një aktakuzë tjetër mu në ditën kur në Uashington në prezencën e presidentit Trump duhej të nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë dhe përfundim të hasmërisë shekullore pa ndarje dhe shkëmbim territoresh.
“Sot jemi dëshmitarë se aktakuza s’ka të bëjë me trafikim organesh por është një riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Ramushit, Fatmirit e të tjerëve. Sot, ata po gjykohen si çlirimtarë, si njerëz që e kanë kapur pushkën për ta mbrojtur pragun e shtëpisë dhe popullin e vet nga gjenocidi serb”, tha Ahmeti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Ahmeti tha se gjykimi në Hagë shfaqi botërisht që UÇK-ja ishte partnere e NATO-s, Amerikës dhe Evropës, teksa tha se liria e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit është e vonuar por duhet të vijë menjëherë dhe pa asnjë vonesë shtesë.
Ai po ashtu tha se ka akoma në mesin e shqiptarëve që pavetëdijshëm po i shërbejnë agjendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndër-shqiptare.
“Dua ta adresoj edhe një shqetësim. Ka akoma në mesin tonë ca që pavetëdijshëm i shërbejnë agjendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndër-shqiptare dhe ndjellin ndasi duke shpërndarë propagandën dashakeqe pa qenë fare të vetëdijshëm se po i shërbejnë Beogradit dhe Moskës. Liria e Kosovës nuk arenë për politika individuale, partiake dhe zgjedhore. Liria e Kosovës nuk është fushë pjellore për ndasi ndër-shqiptare”.
“Ne duhet të bashkohemi, ashtu siç u bashkuam për Kosovën Republikë, për Shqipërinë demokratike në NATO e BE, për shqiptarët e barabartë në një Maqedoni euroatlantike, për të drejtat e shqiptarëve në Luginë e Mal të Zi. Ashtu duhet të bashkohemi edhe për lirinë e çlirimtarëve dhe dinjitetin e UÇK-së”.
Begaj: UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës, krenaria e historisë kombëtare
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se UÇK-së është themeli i lirisë së Kosovës.
Kështu ka shkruar ai në “Facebook”, në ditën kur në Tiranë, po mbahet protesta gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, transmeton Klanksova.tv.
“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi”, ka shkruar presidenti shqiptar.
Moisiu: UÇK nuk ka kryer krime – Kreu detyrën më të lartë, çlirimin e Kosovës
Në protestën pro-UÇK në Tiranë, fjalim mbajti edhe ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu.
Moisiu tha se në Tiranë janë mbledhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe për të ngritur zërin kundër padrejtësive, transmeton Klankosova.tv.
“Sot jemi mbledhur këtu, në zemër të Tiranës, për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar. Jemi këtu për të ngritur zërin kundër padrejtësisë, që po u bëhet luftëtarëve të UÇK-së të cilët luftuan për lirinë e atdheut”, u shpreh ai.
Moisiu po ashtu kujtoi takimin e ish-presidentin Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin në Hagë, në vitin 2022.
Për këtë takim, Moisiu tha se nga ta kuptoi që ata nuk ishin të frikësuar, por ishin trima.
“Ata nuk kanë kryer krime, por kanë kryer detyrën më të lartë që njeh historia. Çlirimin e Kosovës, dhe mbrojtjen e popullit të vet. Unë besoj që drejtësia do të bëjë punën e saj”, u shpreh tutje ish-presidenti shqiptar.
Gucati: Nga Tirana, mbrojmë luftën e shenjtë të UÇK-së
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, fjalën e tij në protestën gjithëkombëtare në Tiranë, në mbështetje për çlirimtarët e Kosovës, e nisi me brohoritjet për katërshen e UÇK-së, që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Gucati thotë se përmes kësaj proteste, populli ka ngritur zërin për drejtësi, transmeton Klankosova.tv.
“Ne sot po protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi. Jemi këtu që të mbrojmë luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të mbrojmë gjakun e derdhur për liri, që të mbrojmë nderin e çlirimtarëve tanë”.
“UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ka qenë ushtri çlirimtare, këtë e ka dëshmuar historia, e kanë dëshmuar varret e dëshmorëve të kombit”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, Gucati tha se nuk do ta lejojnë asnjëherë që emri i UÇK-së dhe komandantëve të saj të përdhoset.
Me himnin kombëtar, nis protesta në Tiranë
Ka nisur protesta në Tiranë kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta po mbahet në Sheshin “Skënderbe” në Tiranë, shesh ky i cili është i mbushur plot me qytetarë, njofton Klankosova.tv.
Në këtë protestë po merr pjesë edhe djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endriti, e plot figura të tjera.
Sami Lushtaku në Tiranë: Kërkojmë drejtësi
Ish-gjenerali i UÇK-së, njëherësh kryetari në ardhje i Skenderajt, Sami Lushtaku i është bashkëngjitur protestës “Kërkojmë Drejtësi” në Tiranë.
Në një prononcim për gazetaren e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, Lushtaku tha se kërkesa në këtë protestë është e thjeshtë, “drejtësi dhe vetëm drejtësi”, transmeton Klankosova.tv.
“Mirë është me qenë këtu të gjithë bashkë, nuk po kërkojmë diçka tjetër pos drejtësi dhe vetëm drejtësi”, u shpreh ai.
“Unë mendoj që kërkesa e qytetarëve gjithmonë është e drejtë, dhe mesazhi gjithmonë është pozitiv për ata që janë në Hagë”, tha tutje ai.
Endrit Thaçi i buzëqeshur në mes të protestës në Tiranë
Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endri Thaçi por merr pjesë në protestën në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës, e cila do të mbahet në Tiranë me fillim nga ora 17:00.
Ai është kapur nga syri i kamerës duke buzëqeshur në mesin e mijëra njerëzve që po mbështesin këtë protestë, transmeton Klankosova.tv.
Në protestën e sotme pro-UÇK, po marrin pjesë shqiptarë nga anë e kënd bota.
Vasfije Krasniqi: Jemi bashkuar për një qëllim, t’i lirojmë çlirimtarët e Kosovës
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi po mbështet nga afër protestën pro-UÇK në Tiranë.
Në një prononcim për Euronews Albania, Krasniqi tha se të gjithë pjesëmarrësit në protestë janë bashkuar për një qëllim, e që sipas saj është lirimi i çlirimtarëve të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Të gjithë femrat shqiptare jemi të forta, por ne të gjithë këtu kemi ardhë për një qëllim, të bashkuar për t’i liruar çlirimtarët e Kosovës”, u shpreh Krasniqi.
“Të gjithë bashkë, si një trup, si një zemër”, Vlora Çitaku: Tirana e mbushur me krenari
Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ndodhet në Tiranë për protestën në mbrojtje të ish krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, ka ndarë disa momente nga organizimi gjithëkombëtar.
Ajo tha se rrugët e kryqendrës shqiptare janë plot – me flamuj, plisa e zëra.
“Të rinj e të moshuar, burra e gra, pa dallim.
Të gjithë bashkë, si një trup, si një zemër.”, shkroi Çitaku.
Tutje ajo shkroi se Tirana është mbushur edhe me krenari, me dhimbje e me kujtim.
“Secili e përshëndeste tjetrin, sikur të njiheshim prej kohe.
Në sytë e gjithsecilit kishte shpresë. Kishte dashni. Kishte kujtesë.
Sa e bukur, sa madhështore është Tirana sot.”