Ejup Berisha
Të gjitha shoqëritë dhe shtetet duhet të kenë objektiv themelor ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe luftën e vazhdueshme kundër padrejtësisë. Padrejtësia lind kur njerëzit nuk trajtohen në mënyrë të drejtë e të barabartë apo kur disa gëzojnë privilegje shumë të mëdha e të pajustifikuara e disa jo, kur ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, ose kur nuk respektohen të drejtat themelore. Një shtet bashkëkohor nuk mund t’i eliminojë të gjitha padrejtësitë, sepse asnjë shoqëri njerëzore nuk është e përsosur. Por ai ka përgjegjësinë t’i zvogëlojë, parandalojë dhe ti korrigjojë ato. Ky duhet të garantojë barazinë para ligjit, të mbrojë të drejtat e njeriut, të sigurojë gjyqësor të pavarur dhe të parandalojë keqpërdorimet me pushtetin.
Lufta kundër padrejtësisë kërkon gjithashtu institucione të forta, transparente dhe të përgjegjshme. Korrupsioni, diskriminimi, arbitrariteti, pandëshkueshmëria dhe përdorimi i pushtetit në dobi të një pakice e dobësojnë besimin e qytetarëve në shtet dhe në demokraci. Një shoqëri vërtet e drejtë duhet të përpiqet që të vendosë barazpeshë midis lirisë, barazisë, përgjegjësisë, solidaritetit dhe sigurisë. Drejtësia nuk do të thotë që të gjithë të kenë saktësisht të njëjtat gjëra, por që të gjithë duhet të kenë të njëjtat të drejta, të njëjtën mbrojtje sipas ligjit dhe mundësi e të drejta për të marrë pjesë në shoqëri.
Kështu, madhështia e një shteti nuk matet vetëm nga fuqia e tij ekonomike, ushtarake ose politike. Ajo matet gjithashtu nga aftësia e tij për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të zvogëluar padrejtësitë. Ky është një nga kushtet thelbësore të një shteti bashkëkohor dhe demokratik
Cilat janë shkaqet e padrejtësisë
Padrejtësia është një nga problemet më të vjetra dhe më të vështira në jetën dhe shoqërinë njerëzore. Shkaqet e padrejtësisë janë të shumta. Mund të shkaktohet nga keqpërdorimi i pushtetit, korrupsioni, favorizimi, diskriminimi, pabarazitë e konsiderueshme ekonomike dhe sociale, mungesa e gjyqësorit të pavarur ose nga pandëshkueshmëria. E njejta mund të përkeqësohet gjithashtu nga institucionet e dobëta, ligjet dobët të zbatuara ose kur zyrtarët përdorin pozicionet e tyre për t’i shërbyer interesave të tyre në vend të së mirës së përbashkët. Padrejtësia mund të burojë gjithashtu nga varfëria, mungesa e arsimit, përjashtimi social dhe nga mungesa e mundësive të barabarta. Kur një segment i popullsisë nuk ka qasje të vërtetë në arsim, punësim, drejtësi ose shërbime publike, pabarazitë sociale mund të bëhen shumë më të theksuara. Për të luftuar padrejtësinë, parase gjithash duhet të ndërtohet shtet i bazuar në ligj, barazi, liri, përgjegjësi dhe dinjitet njerëzor. Ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Askush nuk duhet të përfitojë ngaprivilegjet thjesht sepse ka pushtet, para ose lidhje. Gjithashtu të garantohet pavarësia e gjyqësorit, të forcohet transparenca e institucioneve dhe të luftohet me vendosmëri korrupsioni. Zyrtarët publikë duhet t’i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe, kur këta e shkelin ligjin, duhet ti nënshtrohen përgjegjsisë. Lufta kundër padrejtësive kërkon gjithashtu shoqëri civile aktive, shtyp të lirë, edukim të shëndoshë qytetar dhe qytetarë të aftë për të mbrojtur të drejtat e tyre duke respektuar të drejtat e të tjerëve. Prandaj, drejtësia nuk është vetëm përgjegjësi e gjykatave ajo ka të bëjë me të gjithë shoqërinë. Do të ishte e vështirë të eliminohej plotësisht padrejtësia, pasi shoqëritë njerëzore mbeten të papërsosura. Por një shtet demokratik mund ti zvogëlojë vazhdimisht padrejtësitë, ti parandalojë keqpërdorimet, ti mbrojë njerëzit e lëndueshëm dhe ti korrigjojë situatat e padrejta. Prandaj, forca e vërtetë e një shteti nuk qëndron vetëm në ekonominë, në ushtrinë ose ndikimin e tij politik. Ajo qëndron gjithashtu në aftësitë për të garantuar që çdo person të mund të jetojë në liri, siguri, dinjitet dhe barazi para ligjit. Një shoqëri bëhet vërtet bashkëkohore kur nuk e konsideron padrejtësinë si të pashmangshme, por si një problem që duhet të luftohet në vazhdimisi.

