Në shkollë me temperaturë jo më të lartë se 37,4
Temperatura gjatë hyrjes në shkollë nuk duhet të jetë më e lartë se 37.4, dezinfektim para mbajtjes së mësimit, pushimit dhe pas mësimit, mbajtja e maskave, por jo edhe gjatë kohës së pushimit, por mbajtja e distancës së nevojshme, ndalohet hyrja në objektet shkollore e personave të papunësuar – këto janë një pjesë e protokolleve me të cilat starton viti i ri shkollor në vend.
Sa mund t’i respektojnë këto protokolle fëmijët e klasave të ulëta? Ja si na u përgjigj drejtori i shkollës fillore “25 maji” në Shkup, Fadil Murtezani.
“Më shumë ata i respektojnë sesa të rriturit ose disa prindër që vijnë nga jashtë. Besoni fëmija e di ku saktë të shkojë, ku të ulet, nga cila anë të dalë, si ta mbajë maskën, si të dezinfektohet, ku t’i lajë duart. Nuk na besojnë se është kështu, por është e vërtetë që i respektojnë protokollet”, tha Murtezani.
Çdo shkollë varësisht nga numri i nxënësve dhe hapësirës ka organizim të orarit të shkollës se si do ta ndjekin mësimin. Në këtë gjë kanë punuar gjithë verës.
“Varet nga paralelet, duke filluar nga 20 deri në maksimum 30. Varet nga hapësira, ashtu i ndajmë nxënësit. Nëse kemi hapësirë prej 20 metrave katrorë, atje nuk mundet, por kemi hapësirë më të madhe dhe procesi vijon pa probleme”, shtoi ai.
Për sjelljen e vendimit për hapjen e shkollave është bërë vlerësim i përgjithshëm i rreziqeve. Janë marrë parasysh faktorët epidemiologjik, niveli i vaksinimit të kuadrit arsimor, sistemi arsimor, sistemi shëndetësor dhe kapaciteti i shëndetit publik dhe kapaciteti shtetërorë për mbajtjen dhe mbështetjen e kategorisë sociale dhe ekonomike./TV21