Revolucion që do të japë shumë shpejt rezultat, e cilësoi kryeministri Edi Rama projektin “Smart City”.

Në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes me partnerë nga Abu Dabi, kreu i qeverisë u shpreh se me instalimin e kamerave inteligjente, Shqipëria do të jetë brenda dy viteve në mesin e vendeve më të sigurta në botë.

“Do të jetë e vështirë për të lëvizur në rrugët e Shqipërisë për të bërë keq.”

Sipas kryeministrit, ky sistem sigurie do të mund të identifikojë shkelësit në kohë reale.

“Nuk ka nevojë të presim nga postblloqet e policisë që të zbulojnë makinat e paregjistruara. Nuk ka nevojë të presim nga DPSHTRR të mbledhë taksat e papaguara të drejtuesve të automjeteve. Të gjitha këto info vijnë në kohë reale dhe policia ndërhyn për të zbatuar ligjin. Nuk ka nevojë që dikush të filmojë me kamera një punonjës policie që nuk përmbush standardet e komunikimit të një nxënësi të klasës së parë. Bëhet e pamundur që kamerat të fiken dhe ndizen sipas dëshirës. Një kamerë e fikur sinjalizohet menjëherë në qendër.”

Kryeministri zbulon se projekti është vonuar, pasi një pjesë e Policisë së Shtetit nuk e ka dashur të vihet në zbatim. Sipas kreut të qeverisë, projekti do të bëjë transparencë për ato raste ku policia ka mbyllur sytë.

“Elementet e krimit e kanë të pamundur të shkojnë ku të duan për të bërë keq, sepse janë nën sytë e policisë. Është normale që një pjesë në polici të mos e dojë këtë projekt. Do jetë e pamundur që një makinë policie të përdoret për punë personale. Do jetë e pamundur që një makinë policie të shkojë të parkohet tek shtëpia. Do jetë e pamundur që të shkojë të ndalojë dhe punonjësit të hanë drekë në restorant me uniformë. Ata që bënë çmos që ta shtyjnë dhe sabotojnë këtë projekt e kuptojnë më shumë se sa unë.”

Kamerat e instaluara kudo, përfshirë edhe institucionet arsimore, sipas kreut të qeverisë, do të rrisin sigurinë në shkolla.

“Tragjeditë që kemi pasur me shkolla janë të lidhura me shumë arsye, por patjetër që lidhen edhe me faktin e mos-pamjes së pamjeve, që e vështirëson punën. Me këtë sistem, perimeteri i oborrit të shkollës është 24 orë në 24…”

Mbi 5 mijë kamera inteligjente do të instalohen në 20 qytete të vendit, ndërsa 3 mijë të tjera në uniformat e efektivëve të policisë. Gjithashtu do të instalohen edhe radarë inteligjentë e sensorë për matjen e zhurmës në arteriet kryesore të vendit.

sqShqip