April 27, 2024
Kulturë

Sonte ajo do të shuhet

SHKRUAN: NEHAT JAHIU

Zemra e njomë e Njomëzës dalëngadalë po
shkrihej së bashku me pishën që nëna dikur e kishte ndezur pranë oxhakut për të bërë dritë. Pisha po digjej e dritë nuk bëri asnjëherë për Njomëzën shtalbore.
Trupi i saj po tretej si qiriu i shandanit, ndërsa shpirti i saj kërkonte jetë…

Sot, unë po e shfletoj faqen e fletës së ditarit dhe me lotët e ngrirë po e shikoj ngjyrën e stilolapsit që e ka
shkruar emrin dhe mbiemrin: Njomëza. E lindur më…
Në… Suksesi: Shkëlqyeshëm. Sjellja: Shembullore.
Lotët rrokullisen nëpër faqet e ditarit, se ajo sonte po tretet e vetme në atë dhomë, në mes atyre mureve të mykur ku i mungonte drita dhe ajri.

Po fikej së bashku me pishën pranë oxhakut. Me derën e mbyllur me shtatë dryna, dhe dritaret me grila. Sonte yjet nuk duken, nuk shkëlqejnë më, e kanë humbur vezullimin tyre. Dhe hëna është zhdukur prapa malit, ndërsa dielli nesër do të humbasë mes mjegullës së dendur dhe qielli do të qajë. Ajo sonte është në agoni e sytë i ka lëshuar larg…Larg mes shoqeve të gjimnazit, mes librave, lapsave, mësuesve dhe atje… Atje ku i mbetën sytë për të parën herë…

Nuk e di sa herë e kisha ndërruar nënkëmishën
për t’i tharë djersët e trupit tim që avullonin në tavanin e dhomës sime. Kafka e kokës më pëlciste. Shpirti më digjej. Me shtambë sa mundja pija ujë, për ta shuar sadopak etjen në këtë natë të tmerrshme! Sa e sa fije të shpirtit, të ëndrrave të mia sonte më ishin këputur.
As vet nuk e di. Edhe sot e kësaj dite nuk e di.

Dita kishte aguar. Dielli rrezet i kishte lëshuar fuqishëm dhe depërtonin përmes mjegullës së asaj dite të vrarë. Që nga bjeshkët e larta dëgjohej rënkimi.
Akullin e ngrirë sot e kishin shkrirë stuhitë e fuqishme.
Shtatë palë drynat ishin këputur. Dritaret ishin hapur.
Qyqja nuk ishte më në majë të oxhakut. Edhe huti mbi çati kishte ikur.

Zemra e Njomëzës ishte fikur këtë natë të gjatë, përgjithmonë. Ajo mori me vete një ëndërr të madhe, të parealizuar. Trupi i saj i njomë dhe i bukur sot u mbulua me dhe. Unë, në krye të kortezhit, me kokën ulur, duke u dridhur, mora një grusht dhe të njomur
prej lotëve të mi dhe ia hodha mbi varr bashkë me një lule të kuqe.

Me copëzat e dërmuara të shpirtit tim, do të bart kujtimet e paharruara për atë engjëll derisa të jem gjallë. Dhe kur të vdes, do t’i marr ato me vete sepse lënduan shumë shpirtin tim, jetën time. Më dogjën, më shkrinë, më tretën ëndrrën dhe ma flakën tej. E me pika gjaku të kulluara nga zemra, për një dëshirë,
një shpresë, një dashuri, që një ditë, së bashku me Njomëzën, do ta shkrinim akullin.

Do t’i shkrinim lotët e ngrirë në qepallat e syve. Do t’i thyenim barrierat ato shtatë dryna të derës dhe ato grila të dritareve.
Do ta dëbonim qyqen e hutin nga oxhaku e çatia.
Por s’mundëm… S’i thyem dot ato vargoj të çeliktë, ndoshta isha unë i dobët…ndoshta…Isha i ri.
E unë, çfarë të shkruaj tani?

Në faqen e fletës së ditarit
shkollor vetëm do të shtoja: Njomëza, lindi më…Në… Suksesi-Shkëlqyeshëm. Sjellja-Shembullore. Vdiq më…
Shpirti i ngujuar po fle mes lulesh…