May 19, 2024
Maqedoni

Zbulohen varreza antike në Llojan të Likovës, banorët thonë se janë Ilire

Në fshatin Llojan të Kumanovës u gjetën në mënyrë rastësore artefakte nga periudha antike. Banorët duke gërryer për hapjen e kanalit të ujërave të zeza kanë hasur në diçka të çuditshme. Shoferi i ekskavatorit tha se gjatë ditësh së djeshme ndërpriten punimet dhe shumë fshatarë ndihmuan për ta nxjerr një gurë të madh varri të padëmtuar, që në të kishte epitaf me shkronja dhe numra romak.
“Tu punuar me ekskavator t’u gërryer këtu vërejtëm se doli diçka fort, një gur. Për të mos e dëmtuar e hapëm gropën ngadalë, duke punuar me kujdes pamë se zbuluam diçka historike.”

Banorët thonë se vetë përpiqen të ruajnë gjetjet deri sa shteti do të trajtoj në mënyrë të dinjitetshme artefaktet antike që sipas tyre do të dëshmojnë edhe lashtësinë e paraardhësve të tyre në këto zona.

“E kemi zbuluar një varr më të vjetër para 60 viteve dhe është i vendosur këtu siç e shihni. Ata na kanë thënë se ka qenë varr i një gruaje, ku burri saj për hir të bashkëshortes e ka bërë këtë varr me gurë. Kurse ky që u zbulua dje, e nxorëm gurin e më vonë u vërejtën edhe eshtrat e personit që u gjet.”

Arkeologu Sali Islami nga Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup thotë se janë duke bërë një projekt vullnetar të dokumentimit të këtyre relikteve në Komunën e Likovës. Ai shprehu revoltë që shteti nuk i ka mbështetur idenë që të bëjnë një studim të detajuar për gjetjet që sipas tij janë të Shekullit 2-4 Para Erës Sonë dhe i takojnë kryesisht fisit Dardanët të Ilirëve.

“Ne si arkeologë mendojmë se Llojani ka mbetje të periudhës Romake edhe pse është e vështirë të dihet saktë vendndodhja dhe koha. Duke filluar nga kjo pjesë që jemi ne deri te varrezat e fshatit dhe në drejtim të Serbisë që me toponim ne e quajmë ‘Resolka’ gjenden gjurmë arkeologjike gjatë ndërtimit të rrugëve, kanalizimeve apo lëvrimit të tokave. Në Llojan janë gjetur edhe relikte nga parahistoria, dyshojmë se një kodër që ne e quajmë ‘Rotllak’ mendojmë se i takon periudhës së Bronzit. Më e vjetër se kjo është ‘kalaja padina’ e antikitetit të vonshëm Shekulli 4-6. Gjithashtu është edhe një kishë afër lumit të fshatit që dyshohet se është nga periudha e Mesjetës. Fshati ka gjurmë nga gjitha periudhat historike.

Banorët thonë se autoritetet shtetërore nuk kanë shfaqur interesim asnjëherë të vijnë dhe të dokumentojnë këto artefakte antike. Përveç gurëve të varreve gjatë çdo gërmimi për punë tjera të banorëve gjejnë relikte të periudhave të Para Erës Sonë. Sipas tyre, interesimi i arkeologëve dhe historianëve nga jashtë shtetit për të studiuar lashtësinë e këtyre gjetjeve dhe për të dëshmuar se këto troje kanë qenë të banuara nga fiset Pellazge-Ilire, që janë paraardhësit e shqiptarëve, është i lartë./ALSAT