April 27, 2024
Maqedoni

VMRO: Përgjegjësi penale për Grubin dhe Kovaçevskin për korridoret

Kovaçevski dhe Grubi nuk i kanë marrë parasysh interesat e qytetarëve dhe të Maqedonisë, meqë kanë nënshkruar një kontratë kaq të dëmshme për ndërtimin e korridoreve – vlerësojnë nga opozitarja VMRO – DPMNE.

Nga kjo parti, siç përcjell KlanM, vënë në dyshim interesat për të cilat punojnë kryeministri dhe zëvendëskryeministri.

“Meqë ra fjala, kjo kontratë, të cilën dyshja kriminale Grubi dhe Kovaçevski ia fshehin publikut, përmban pjesë sipas të cilave ata marin përsipër ndryshimin e ligjeve në një afat të caktuar, duke përfshirë ligjin për marrëdhëniet e punës që duhet të parashikojë një javë pune prej 60 orësh dhe nëse kjo nuk realizohet deri në afatin e caktuar, atëherë Maqedonia do të ketë shpenzime shtesë ose gjoba prej 53 milionë euro”, thuhet në reagim.

Përveç kësaj, sipas VMRO-së, qeveria është zotuar që, nëse nuk ndryshohen ligjet, të paguajë 2.1 milionë euro shtesë në muaj, ndërkohë që ndërtimi do të vazhdojë dhe gjithashtu do të zgjatet.

“Zian deri në fyt. Nëse kompania private do të kishte negociuar një kontratë me portierin në qeveri, nuk do të merrte përfitime të tilla, sepse ai sigurisht ka më shumë sens për interesat shtetërore sesa Grubi dhe Kovaçevski”, thonë nga VMRO.

Nga partia e Mickoskit thonë se Grubi dhe Kovaçevski nuk do të mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë dhe ndjekjes penale për këtë marrëveshje, sipas tyre, kriminale./KlanMacedonia