KUR POLITIKA HUMB VLERAT, TRAGJEDIA E NJË SHOQËRIE QË U BESON NJERËZVE PA PARIME
Etem Xheladini
Ka një të vërtetë që nuk zbehet me kohën, njeriu mund të humbasë pasurinë, postin dhe pushtetin, por nëse humbet vlerat, ai ka humbur gjithçka. Pikërisht vlerat janë themeli mbi të cilin ndërtohen karakteri, dinjiteti dhe besueshmëria e çdo individi.
Njeriu që është rritur me edukatë, moral dhe ndershmëri nuk bëhet kurrë vazal. Ai e respekton fjalën e dhënë, e mbron dinjitetin dhe nuk e shet ndërgjegjen për interesa të çastit. Nuk është rastësi që urtësia popullore thotë: “Njeriu me karakter fisnik nuk e humb kurrë dinjitetin e tij.”
Por sot shtrohet një pyetje që meriton reflektim të thellë, sa prej politikëbërësve shqiptarë, që na përfaqësojnë në të gjitha trojet shqiptare, udhëhiqen nga vlerat dhe sa nga interesi personal.
Fatkeqësisht, ajo që shohim çdo ditë është një realitet shqetësues. Në politikë, për shumë njerëz, fjala nuk ka më peshë, parimet nuk kanë më vlerë, ndërsa morali është shndërruar në dekor elektoral.
Dje akuzonin njëri, tjetrin për korrupsion, tradhti, paaftësi dhe shkatërrim të shtetit. Sot ulen në të njëjtën tryezë, ndajnë pushtetin dhe e quajnë njëri, tjetrin partner. Nesër, kur interesat të ndryshojnë, do t’u rikthehen sërish të njëjtave akuza. Ky nuk është evolucion politik, kjo është një krizë e thellë karakteri.
Njeriu pa parime nuk e ndryshon fjalën sepse ka gjetur të vërtetën, ai e ndryshon atë sepse ka ndryshuar interesi. Një politikë e ndërtuar mbi interesin personal nuk mund të prodhojë drejtësi, zhvillim dhe mirëqenie. Ajo prodhon vetëm mosbesim, përçarje dhe zhgënjim.
Më e dhimbshmja është se shumë politikëbërës nuk bashkohen për idealet e kombit, por për interesat e tyre, i bashkon pushteti, privilegji, ndikimi dhe përfitimi.
Ndërsa qytetari mbetet spektator i një teatri politik, ku aktorët ndryshojnë rolet, por skenari mbetet i njëjtë. Një komb nuk dobësohet vetëm nga varfëria ekonomike, ai dobësohet shumë më tepër kur në jetën publike normalizohet mungesa e moralit, kur mashtrimi shpërblehet dhe kur besnikëria ndaj parimeve zëvendësohet me besnikërinë ndaj interesit. Politika nuk duhet të jetë rruga më e shkurtër drejt privilegjit, por misioni më i lartë për t’i shërbyer qytetarit. Kush nuk e respekton fjalën, nuk mund të respektojë as ligjin. Kush nuk ka karakter, nuk mund të ndërtojë shtet. Sot qytetarët nuk kanë nevojë për politikanë që flasin bukur vetëm gjatë fushatave. Kanë nevojë për njerëz që e mbajnë fjalën, që nuk i ndryshojnë bindjet sa herë ndryshon interesi dhe që e konsiderojnë pushtetin përgjegjësi, e jo pronë personale.
Historia nuk i nderon ata që fituan pushtetin me pazare politike. Historia i nderon ata që mbrojtën të vërtetën edhe kur ajo kishte kosto. Sepse pushteti është kalimtar, ndërsa karakteri është i përjetshëm.
Vlerat janë pasuria më e madhe e njeriut dhe themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e një kombi. Kur humbasin vlerat, humbet edhe shpresa.
Kur mbrohen vlerat, lind shpresa për një shtet më të drejtë, një politikë më të ndershme dhe një të ardhme më dinjitoze për të gjithë.

