Në prag të Kongresit të Bashkimit të VLEN-it, forumet rinore të partive të koalicionit VLEN kanë propozuar një Rezolutë për avancimin e të rinjve në jetën politike dhe publike.
Të shtyrë nga parimet e demokracisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta, të rinjtë e VLEN-it theksojnë se përfaqësimi i tyre është thelbësor për forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin shoqëror.
Rezoluta parasheh angazhime konkrete për rritjen e përfaqësimit të të rinjve në strukturat vendimmarrëse dhe listat zgjedhore, avancimin e tyre përmes meritës dhe transparencës, si dhe krijimin e programeve për trajnimin e liderëve të rinj.
Po ashtu, theksohet nevoja për rritjen e punësimit rinor, mbështetjen e sipërmarrjes, konsultime të rregullta me të rinjtë dhe përfshirje aktive të tyre në proceset demokratike.
Forumet rinore të VLEN-it vlerësojnë se kjo rezolutë shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të re politike, ku të rinjtë janë bartës aktivë të zhvillimit dhe vendimmarrjes.
VLEN riafirmon përkushtimin për fuqizimin e brezit të ri dhe vendosjen e tij në qendër të politikave publike dhe institucionale.
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali: Rezoluta e Rinisë, hap drejt fuqizimit dhe ndryshimit
Në një postim në rrjetet sociale, Bekim Sali ka ndarë momentet nga nënshkrimi i Rezolutës së Rinisë, i cili u zhvillua sot në Teatrin Shqiptar.
Ai e cilësoi këtë si një moment plot emocion dhe shpresë, duke theksuar se rezoluta do të jetë pjesë përbërëse e Kongresit të VLEN më 9 maj. Sipas tij, kjo përfaqëson një zotim të rëndësishëm për të ardhmen dhe një dëshmi se bashkimi rreth idealeve të përbashkëta sjell forcë dhe vendosmëri për ndryshim.
Sali bëri të ditur se së bashku me Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami janë zotuar të udhëheqin procese që fuqizojnë rininë dhe i japin zë shpresës për një të nesërme më të drejtë dhe më dinjitoze.
Në fund, ai theksoi se rinia nuk duhet parë vetëm si e ardhmja, por si forca kryesore që e ndërton atë që sot.

