Zekirja Tahiri nga VLEN-i ka ngritur akuza të rënda ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke pretenduar se një kompani e lidhur me rrethin e tij familjar ka marrë kredi prej 5 milionë eurosh nga “Alta Banka” me seli në Beograd.
Në një konferencë për media të mbajtur më 13 nëntor 2026, Tahiri deklaroi se në qendër të kësaj marrëveshjeje qëndron kompania kërçovare “AS Senjak”, në pronësi të Selaudin Arifit, të cilin e cilësoi si krushkun e Ali Ahmetit.
Sipas pretendimeve të Tahirit, më 9 qershor 2025, një kompani ku bashkëpronar është “AS Senjak” ka përfituar një kredi prej 5 milionë eurosh drejtpërdrejt nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd.
Ai pretendoi se kjo kompani ka lidhje edhe me bizneset e nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmeti, duke përmendur në këtë kontekst blerjen e qendrës tregtare “Soravia”.
Tahiri ngriti pikëpyetje mbi rrethanat në të cilat është miratuar kredia, veçanërisht duke pasur parasysh se, sipas tij, marrëveshja është realizuar në kohën kur “Alta Banka” po përgatitej të hynte në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut.
“Sipas cilës logjikë ekonomike dhe për çfarë meritash banka e Davor Macurës nga Beogradi i jep 5 milionë euro kapital të freskët një kompanie të lidhur drejtpërdrejt me familjen e Ahmetit?”, pyeti Tahiri.
Ai ngriti gjithashtu dyshime nëse kjo kredi mund të ketë pasur ndonjë prapavijë politike, duke kërkuar sqarime nga Ali Ahmeti dhe udhëheqësia e BDI-së për marrëdhëniet e tyre me biznesmenin serb Davor Macura.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit rreth “Alta Bankës” dhe vendosjes së saj nën administrim të përkohshëm nga Banka Popullore, përfaqësuesi i VLEN-it kërkoi që institucionet kompetente të hetojnë këtë çështje.
Në veçanti, ai i bëri thirrje Prokurorisë Publike dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare që të hapin hetim për transaksionet ndërkombëtare të datës 9 qershor 2025, të verifikojnë kushtet e miratimit të kredisë, garancitë e ofruara dhe destinacionin e pesë milionë eurove.
Në fund, Tahiri paralajmëroi se VLEN-i do të publikojë informacione të tjera në konferencën e ardhshme për media, duke pretenduar se vetëm tre muaj pas transferimit të këtyre mjeteve nga Beogradi ka ndodhur një zhvillim tjetër që do të bëhet publik.

