Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, zhvilloi një takim në Ankara me zëvendësministrin turk të Kulturës dhe Turizmit, Nadir Alparslan, ku në fokus ishte restaurimi, mbrojtja dhe zhvillimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Në takim morën pjesë edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sylejmani, përfaqësues të Komunës së Çairit, ish-kryetari i Bursës, Rexhep Alltepe, dhe ish-zëvendëssekretari i qytetit të Bursës, urbanisti Bajram Vardar.
Gjatë takimit, siç theksohet në komunikatë, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit institucional për hartimin e një projekti gjithëpërfshirës të restaurimit të Çarshisë së Vjetër, si dhe sigurimin e mbështetjes financiare për realizimin e tij. Palët u dakorduan për përgatitjen e një masterplani dhe formimin e një bordi këshilldhënës, i cili do të koordinojë procesin dhe hapat e mëtejshëm drejt konkretizimit të projektit.
“Çarshia e Vjetër e Shkupit është një trashëgimi e çmuar historike, kulturore dhe ekonomike. Synimi ynë është që restaurimi dhe ruajtja e vlerave të saj autentike të ecin paralelisht me zhvillimin e zejtarisë, tregtisë dhe turizmit, duke e shndërruar këtë hapësirë në një qendër edhe më tërheqëse dhe funksionale”, theksoi Mexhiti.

