Sekretari i përgjithshëm i BDI, Faton Ahmeti ka akuzuar për diskriminim etnik gjatë punësimeve në Kadaster.
‘9 maqedonas (90%) – 1 shqiptar (10%) në Agjencinë e Kadastrës së Paluajtshmërive!
Kjo është barazia e tyre!
„Rrini rahat“, na thanë!’, ka reaguar Ahmeti në rrjete, njëkohësisht duke ironizuar në llogari të VLEN-it.
Mirëpo zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, Amet Ziberi, i është përgjigjur Faton Ahmetit nga BDI-ja lidhur me pretendimet për punësimet në këtë institucion, duke i cilësuar deklaratat e tij si shpifje dhe të pavërteta. Ziberi thotë se faktet janë krejt ndryshe nga ato që, sipas tij, Ahmeti po mundohet t’ia paraqesë opinionit publik. Ai thekson se vetëm në dy konkurset e fundit në Kadastër janë pranuar 8 shqiptarë, ndërsa përfaqësimi brenda institucionit është në përputhje me përqindjen e përfaqësimit etnik.Sipas Ziberit, një përfaqësim i tillë nuk është arritur asnjëherë gjatë kohës kur BDI-ja ishte në pushtet.“Qytetarët meritojnë të vërtetën, jo trillime, mashtrime dhe propagandë politike. Punësimet dhe përfaqësimi nuk maten me deklarata politike, por me fakte dhe rezultate konkrete”, thuhet në reagimin e Ziberit. Reagimin e tij, Ziberi e ka përmbyllur me mesazhin politik #VLEN.

