Universiteti i Tetovës vazhdon ta forcojë angazhimin e tij për krijimin e një sistemi arsimor më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm për të gjithë fëmijët. Në hapësirat e Fakultetit Filozofik, më 6 tetor 2026 u nënshkrua Marrëveshja për vazhdimin dhe avancimin e projektit “Forcimi i inkluzionit të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore”, të mbështetur nga Fondacioni për Fëmijë “Pestalozzi”.
Marrëveshja shënon fillimin e fazës së tretë të projektit, e cila do të realizohet gjatë periudhës 2026–2028, dhe përfshin Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar.
Marrëveshjen e nënshkruan dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Ibish Kadriu, dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Maqedonase për Edukim Qytetar, Besnik Ramadani.
Projekti i ri synon të sjellë një dimension edhe më praktik në procesin e arsimit gjithëpërfshirës. Në fokus do të jenë fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, profesorët, studentët dhe shkollat, me qëllim krijimin e mundësive më të mira për përfshirje, mbështetje dhe zhvillim.
Një komponent i rëndësishëm i projektit do të jetë zhvillimi dhe testimi i zgjidhjeve nga fusha e teknologjisë asistuese, të cilat synojnë të lehtësojnë procesin mësimor dhe të krijojnë mundësi më të mëdha për pjesëmarrjen aktive të fëmijëve në procesin arsimor.
Në të njëjtën kohë, studentët e Universitetit të Tetovës do të kenë mundësi të jenë drejtpërdrejt të përfshirë në aktivitetet në shkollat pjesëmarrëse. Kjo do t’u mundësojë atyre që njohuritë teorike të fituara gjatë studimeve t’i përkthejnë në përvojë konkrete profesionale, duke u përgatitur më mirë për sfidat e punës me fëmijët me nevoja të veçanta arsimore.
Me fazën e re të projektit, Universiteti i Tetovës dhe partnerët e tij synojnë që këtë parim ta shndërrojnë edhe më shumë në praktikë, mbështetje dhe mundësi konkrete për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore.

