May 10, 2024
Maqedoni

Shtyhet referendumi për lojërat e fatit, Lëvizja Antibixhoz thotë se shkak janë ndryshimet kushtetuese

Kaluan nëntë muaj nga mbajtja e debatit publik kur Lëvizja Antibixhoz shpalosi idenë për inicimin e referendumit lokal, për largimin e lojërave të fatit nga vendbanimet. Data për të njëjtin nuk është caktuar ende. Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmish thotë se kanë qenë në komunikim me Lëvizjen Antibixhoz dhe të gjitha obligimet që duhet t’i ndërmerr Komuna e Tetovës në lidhje me referendumin i ka ndërmarrë dhe është e përgatitur.

“Disa herë kam kontaktuar me ata i kam pyetur dhe ende nuk kam marrë përgjigje pozitive se kur do të ulemi që të takohemi dhe të diskutojmë rreth këtij procesi. Në qoftë se nuk do të kemi një hap të tillë, kemi një formë tjetër të cilën do duhet të ulemi bashkërisht me të gjithë këshilltarët komunal dhe mendoj se bashkërisht do të gjejmë zgjidhje përfundimisht. Do sjellim vendim ku do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe do t’i mënjanojë kazinotë prej qytetit”, theksoi Besar Durmish – këshilltar i BESËS .

Jushi Emurllau nga Lëvizja Antibixhoz, thotë se ndryshimet kushtetuese edhe censusi që duhet për daljen e qytetarëve ka qenë një ndër shkaktarët që është shtyrë për një afat të pacaktuar..

“Çështja e referendumit është zvarrit për shkak të situatës politike në Maqedoninë e Veriut pasi që kemi prit edhe ndryshim në kodin zgjedhor për çështjen e censusit për daljen në referendum, por për shkaqe politike që është vonuar për ndryshimet kushtetuese dhe korridorit tetë ka ardhur tek vonesa e referendumit. Ne presim edhe një takim me ministrin e drejtësisë dhe më pas do ju informojë saktë se kur do të mbahet referendumi. Do të fillojmë me Tetovën, që Tetova do të jetë një test për lojërat e fatit dhe më pas vazhdojmë me gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”, pohoi Jushi Emurllau – lëvizja Antibixhoz.

Referendumi do të përkrahet edhe nga këshilltarët e BDI-së në Këshillin Komunal.

“Ne e kemi përkrahur edhe publikisht Lëvizjen Antibixhoz dhe nuk kemi asgjë kundër kërkesave të tyre . Tani i është lënë në dorë kryetarit të Komunës dhe udhëheqësisë së Komunës të vendos për datën dhe krijimin e referendumit për qytetarët e Tetovës”, tha Liridon Disha, këshilltar komunal i BDI-së.

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.

Ndryshe, propozim ligji për lojërat e fatit ku parashihet që hapësirat afariste, gjegjësisht vendet për pagesë në të cilat organizohen lojërat e fatit të jenë në largësi jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme është në procedurë parlamentare. Ky ligj, ngjalli reagime të shumta në opinion./TV21