June 3, 2024
Maqedoni

Me certifikimin e mandateve nga KShZ-ja, rrjedhin afatet për Qeverinë e re

KShZ-ja dje i shpalli rezultatet e para zyrtare të zgjedhjeve dhe deri në mesnatë në Kuvend duhet ta dorëzojë raportin për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, pas së cilës, kryetari i tanishëm i Kuvendit, për të dielën në mesditë duhet të caktojë seancën parlamentare për inaugurimin e presidentes së sapozgjedhur të vendit.
Pas inaugurimit të Siljanovska Davkovës, sipas Rregullores së re të Kuvendit, përbërja e re parlamentare duhet ta mbajë seancën konstituive jo më vonë se data 28 maj. Mandati i deputetëve fillon të rrjedhë nga seanca konstituive e Kuvendit.
Sipas dispozitave të Kushtetutës, Kuvendi i sapozgjedhur mblidhet në seancë konstituive jo më vonë se 20 ditë pas zgjedhjeve. Seancën konstituive duhet ta thërrasë kryetari aktual i Kuvendit. Nëse ai nuk e bën një gjë të tillë, në ditën e 21 pas zgjedhjeve, seancën e thërret deputeti më i vjetër.
Kryetari i përbërjes së re parlamentare pritet të zgjidhet më së voni më 1 qershor. Presidenti i shtetit, nga ana tjetër, brenda dhjetë ditëve nga konstituimi i Parlamentit, është i detyruar t’ia besojë mandatin për përbërjen e Qeverisë një kandidati të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend. Mandatari, në afat prej 20 ditësh nga dita e besimit të mandatit, i paraqet Kuvendit program dhe propozon përbërjen e Qeverisë.
Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Deri në zgjedhjen e përbërjes së re qeveritare, vazhdon edhe mandati i Qeverisë teknike, i cili startoi 100 ditë para zgjedhjeve.