May 20, 2024
Maqedoni

Komisioni Evropian i ndan RMV-së 50 milionë euro kredi mbështetëse

Komisioni Evropian siguroi këstin e parë prej 50 milionë eurosh kredi për Maqedoninë e Veriut, në kuadër të operacionit të Ndihmës Makro-Financiare  për vendin që kap shumën e përgjithshme prej 100 milionë eurosh.
Ndihma ofron mbështetje të mëtejshme për Maqedoninë e Veriut në fushën e ekonomisë, e cila është goditur rëndë nga kriza e fundit energjetike, e shkaktuar nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, thuhet në komunikatën e lëshuar të zyrës së BE-së në Shkup.
Kjo ndihmë do të mbështesë stabilitetin makro-ekonomik dhe do të sigurojë reforma të mëtejshme në lidhje me programin e vazhdueshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu do të ndihmojë edhe progresin në rrugën evropiane.
Lëshimi i kësaj mbështetjeje vjen pasi Komisioni ka konstatuar se Maqedonia e Veriut ka përmbushur angazhimet përkatëse të politikave të akorduara me BE-në për lirimin e këstit të parë, e që kanë të bëjnë me politikën fiskale financiare, progresin qeveritar, si dhe përforcimin në reformat në drejtësi.
Kësti i dytë me të njëjtën shumë mbetet në dispozicion në varësi të progresit në kushtet e politikës së akorduar. Në përgjithësi, që nga viti 2020, BE-ja ka paguar rreth 210 milionë euro mbështetje nga ndihma makro-financiare për Maqedoninë e Veriut. Këtu përfshihet edhe pagesa më e re prej 50 milionë eurosh.