April 27, 2024
Shqipëri

Samiti i Berlinit në Tiranë, Berisha: Sot varroset projekti i Ballkanit të Hapur, synonte rikthimin e Serbisë së Madhe

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sot samitin e Berlinit që ka nisur punimet në Tiranë, teksa tha se ky samit sot varros përfundimisht projektin e Ballkanit të Hapur, të cilin e ka promovuar edhe kryeministri Rama.

Në një deklaratë për mediat ai tha se samiti është gjithashtu garanci për popullin opozitar në Shqipëri “se asnjëlloj fasade e Ramës nuk do të mund ti pengojë ata të shohin muret që Rama ka ngritur dhe që ndajnë Tiranën me Brukselin, të shohin murin e korrupsionit, drogës dhe krimit të organizuar, murin e monizmit të plotë dhe luftës anti-kushtetuese ndaj opozitës”.

Deklarata e Berishës

PD mbështet dhe përshëndet samitin e sotëm të liderëve të vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë si një ngjarje ndër më të rëndësishmet pas samitit të Selanikut 20 vite më parë. PD si lokomotivë e proceseve integruese euro-atlantike garanton pjesëmarrësit e këtij samiti se ajo mbetet e vendosur, e përkushtuar me programin e saj të bëjë gjithçka për të avancuar procesin e rëndësishëm të integrimit në BE si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë në paqe, begati dhe zhvillim.

PD thekson se nga samiti i Selanikut gjer sot kanë kaluar 20 vite, por mjerisht vetëm një vend i rajonit nga ajo kohë është sot anëtar i plotë i BE-së, Kroacia. Kjo jo se ka munguar predispozita apo dëshira e BE-së për integrimin e këtyre vendeve, por sepse 10 vitet e fundit procesi i integrimit për shkak të regjimeve të instaluara në disa vende të rajonit, u shndërrua në një horizont që largohej gjithnjë e më shumë. Prania e liderëve të BE-së sot është një garanci më shumë sot për shqiptarët dhe popullit opozitar se asnjëlloj fasade e Ramës nuk do të mund ti pengojë ata të shohin muret që Rama ka ngritur dhe që ndajnë Tiranën me Brukselin, të shohin murin e korrupsionit, drogës dhe krimit të organizuar, murin e monizmit të plotë dhe luftës anti-kushtetuese ndaj opozitës.

PD shpreh vlerësimin më të madh për samitin e sotëm sepse sot këta burra të shquar të BE-së varrosin pikërisht në ndërtesën mauzole të diktatorit projektin e Ballkanit të Hapur të Edi Ramës, projekt ky de facto ruso- serb, i cili synonte me një mënyrë apo një tjetër rikthimin e Serbisë së Madhe rikthimin e rajonit në zonë influence të Rusisë.

Ky projekt në të cilin Rama u bë promotor kryesor, që mbështetej fuqimisht nga Lavrov dhe Soros, sot varroset këtë samit dhe kjo është një arritje e madhe për shqiptarët dhe të gjitha kombet e rajonit.