April 28, 2024
Maqedoni

Rrëfimi i padëfjuar për mësuesin në Gjinnazin e Tetovës: Jugosllavia ia vrau vëllaun, Enver Hoxha e hodhi në burg (Emri)

Agron Tufa (1967), me origjinë nga Dibra, i takon brezit të shkrimtarëve shqiptarë të njohur si avangardistë, por ai është njëherazi edhe studiues i letërsisë dhe i artit, në përgjithësi, ndërsa emri i tij është i lidhur edhe me përkthimet e shumta cilësore në gjuhën shqipe të disa autorëve të mëdhenj botërorë.

Ka përfunduar studimet themelore për letërsi në Universitetin e Tiranës, ka vazhduar studimet për filozofinë e artit në Moskë, ndërsa sot është doktor i shkencave filologjike. Disa vite ka qenë ligjërues i disa lëndëve në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa në periudhën 2011-2019 ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, kur – pas një përplasjeje me njerëz të ish nomenklaturës komuniste – u largua nga Shqipëria, për të kërkuar azil politik në Zvicër.
Ndonëse identiteti i tij i parë është letërsia (është autor ose bashkautor i mbi 20 veprave letrare dhe përkthyes i dhjetëra të tjerave, si dhe i disa studimeve mbi letërsinë dhe artin në përgjithësi) dhe diskutimi mbi letërsinë me të do të ishte sigurisht me shumë interes, megjithatë në një intervistë për revistën “Shenja” ai flet në cilësinë njeriut që për shumë është marrë në mënyrë të përqendruar me studimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe pasojave që i ka lënë ai regjim në jetën politike, ekonomike, kulturore, sociale e psikologjike te shqiptarët.

Në këtë intervistë, Tufa tregon se UDB-ja ka qenë themeluese dhe inspiruese për Sigurimin e Shtetit, por dëmi që ka sjellë regjimi komunist për Shqipërinë dhe hapësirat ku jetojnë shqiptarë ka qenë i madh.  Si shembull ai përmend emrin e një mesuesi në gjinnazin e Tetovës, i cili ka ikur nga Jugosllavia për të gjetur shpetim në Shqipëri, por atje është arrestuar nga regjimi eneverist, transmeton Lideri.mk..

“A e dini sa i madh është numri i kosovarëve dhe çamëve të dënuar nga regjimi komunist? Në vite burgu as ka të krahasuar. Në Shqipëri kosovarët kanë bërë deri 36 vjet burg. As regjimi jugosllav nuk ka dhënë dënime kaq të gjata. Çdokush që erdhi u pa keq, brenda frymës antikosovare që ka pasur regjimi, u burgos apo keqtrajtua. Pavarësisht se shumëkush që kishte ikur nga Kosova, Maqedonia apo dhe Mali i Zi kishte bindje komuniste, madje kishte lënë poste të rëndësishme partiake apo administrative në ish-Jugosllavi, ata provonin dënime të gjata poshtëruese nëpër burgje, me nofkën “bashkëpunëtor i UDB-së” dhe kjo bëhej në marrëveshje me UDB-në. Për ilustrim po përmend një ndër miqtë e tim eti në burgun e Spaçit, tetovarin Hashim Toplica, të dënuar tre herë, njëherë me 20 vjet, dy herët e tjera me nga 10 dhe 13 vite burg. Arrestohet e dënohet kur ishte 36 vjeç dhe del në moshën 74 vjeçare, pra 38 vjet burg! Po çfarë kishte bërë Hashim Toplica, ky i arratisur në “Shqipërinë nënë”? Ja me dy fjalë një portret i shpejtë: Me bursë të qeverisë së Mbretit Zog I, në vitet 1930-1938 ndjek gjimnazin e Tiranës. Në 28.4.1939 u kthye në vendlindje. Gjatë kësaj kohe ndjek gjyqin e Qemal Stafës në shkurt 1938 dhe merr pjesë në demonstratën e datës 6.4.1939 kundër Italisë fashiste. Bënte pjesë edhe në organizatën “Besa” të Kosovës me qendër në Tiranë. Më 1939-1940 ndjek Institutin e Lartë Filozofik në Zagreb. Më 1941-1942 ishte mësues në gjimnazin e Tetovës. Burgoset 3 muaj nga fashistët pasi mori pjesë në demonstratën e bukës në Elbasan, ku ishte gjendur atë ditë. Në vitin 1942 bëhet anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare e në shtator të atij viti i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Më 1942-1944 ishte partizan në brigadën e 4-t të shqiptarëve të Maqedonisë. Vijon punën si mësues në vitet 1945-1948 në Tetovë. Në nëntor 1948 mban qëndrimin pro Byrosë Informative kundër Titos dhe vjen në Shqipëri. Nëse studiohet dosja e tij, nuk e kemi të vështirë të dallojmë vendimin, si të porositur nga UDB-ja: “Nën maskën e emigracionit politik, duke qenë agjent i UDB-së ka ushtruar aktivitet kundërshtar në dëm të Republikës Popullore të Shqipërisë”. Madje që në procesin e parë, Hashim Toplica këmbëngul i dëshpëruar në hetuesi: “Unë nuk jam armik, por shihni mirë se kjo do të jetë diçka e UDB-së, që ne të futemi në dyshim. Unë jam mik i Shqipërisë, jugosllavët më kanë vrarë vëllain, nuk kam si pajtohem me ta”. Ky element poshtërimi është përdorur thuajse gjithmonë në dënimin e shqiptarëve që shpesh u iknin përndjekjeve të UDB-së në ish-Jugosllavi”, ka thënë mes tjerash Agron Tufa.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë Link:  https://revistashenja.com/interviste-agron-tufa-udb-ja-themeluese-dhe-inspiruese-per-sigurimin/?fbclid=IwAR0z9DWFOVRJQ-cN-FOOlUEQ2exBV9fpfUmcuZTqS_w0lVLqcAX9e4rD8SQ_aem_ATuQR_gT5axJ6F9TW4ZwCdSAQ_bXdd7HmaOzQZ1bZGjylRmo62J0GpNNB5fWs8Dw7s4&mibextid=2JQ9oc